Besimi te projekti dhe fati në krah, ja çfarë i duhet Partizanit për sezonin e ri
Partizani po përgatitet të nisë një sezon të ri me synime të mëdha, por për të kaluar nga vendi i pestë i kampionatit të kaluar te statusi i një pretendenti të vërtetë për titull, të kuqtë duhet të ndryshojnë disa aspekte të rëndësishme të funksionimit të skuadrës. Sezoni i fundit ishte larg pritshmërive për një klub me historinë dhe ambiciet e Partizanit. Ekipi mbeti jashtë zonës “Final Four”, nuk siguroi një vend në kupat europiane dhe e mbylli kampionatin me shumë pikëpyetje.
BILANCI- Statistikat tregojnë qartë se ku qëndruan problemet kryesore. Partizani pësoi 48 gola dhe shënoi vetëm 38, duke e mbyllur sezonin me një golavarazh negativ prej 10 golash. Për një skuadër që synon titullin, këto janë shifra që duhet të ndryshojnë patjetër. Pika e parë ku duhet të përmirësohet skuadra është mbrojtja. Gjatë kampionatit të kaluar, të kuqtë shpesh vuajtën mungesën e stabilitetit në repartin defensiv dhe pësuan gola në momente vendimtare. Edhe pse në organikë ndodhen futbollistë cilësorë si Marcelino Preka, Saliu Sembene dhe David Atanaskoski, skuadra ka nevojë për më shumë siguri dhe vazhdimësi në këtë repart. Përmirësimi i fazës mbrojtëse nuk lidhet vetëm me qendërmbrojtësit. Ai fillon që nga organizimi i skuadrës si grup dhe nga mënyra se si ekipi reagon kur humbet topin.
SHFRYTËZIMI I MUNDËSIVE PËR SHËNIM- Një tjetër aspekt ku Partizani duhet të bëjë më mirë është efikasiteti në sulm. Tridhjetë e tetë gola janë shumë pak për një ekip që synon të luftojë për vendet e para. Problemet fizike të lojtarëve kryesorë ndikuan ndjeshëm në këtë statistikë. Xhuliano Skuka dhe Albers Keko humbën një pjesë të rëndësishme të sezonit për shkak dëmtimesh dhe kjo u reflektua menjëherë në rendimentin ofensiv të skuadrës. Nëse dy sulmuesit arrijnë të kenë vazhdimësi dhe të qëndrojnë larg dëmtimeve, Partizani mund të fitojë shumë në repartin ofensiv.
MERKATO DHE PROBLEMET FIZIKE– Po aq e rëndësishme do të jetë edhe merkatoja. Largimi i Vusal Isgandarlit ka lënë një boshllëk në repartin ofensiv dhe drejtuesit duhet të gjejnë një futbollist që mund të sjellë gola dhe asistime. Diferencën shpesh e bëjnë lojtarët e krahëve dhe Partizani ka nevojë për më shumë prodhim në këtë aspekt. Një tjetër element që nuk duhet neglizhuar është përgatitja fizike. Sezoni i kaluar u karakterizua nga dëmtime të shumta që ndikuan drejtpërdrejt në rezultatet e skuadrës. Në momentet më të rëndësishme të kampionatit, stafi teknik shpesh nuk kishte në dispozicion futbollistët kryesorë dhe kjo ndikoi në performancën e ekipit. Për këtë arsye, puna gjatë fazës përgatitore do të ketë një rëndësi të veçantë. Stafi i ri teknik duhet të sigurojë që skuadra të jetë në kushtet më të mira fizike për të përballuar ritmin e kampionatit.
TRAJNERI I RI- Po aq e rëndësishme është edhe qartësia në projekt. Emërimi i Florin Bratut pritet t’i japë fund periudhës së pritjes dhe t’i japë skuadrës një drejtim të qartë. Trajneri rumun do të ketë kohën e nevojshme për të njohur grupin dhe për të vendosur identitetin e tij në ekip. Ndryshe nga rivalët që do të jenë të angazhuar në Europë, Partizani do të ketë më shumë kohë për të punuar dhe për t’u përgatitur për kampionatin. Kjo mund të shndërrohet në një avantazh të rëndësishëm nëse shfrytëzohet si duhet nga stafi teknik dhe futbollistët. Një rol të madh do të luajnë edhe liderët e skuadrës. Futbollistë si Qirko, Preka, Atanaskoski, Ismaili, Human, Dumbia, Skuka dhe Keko duhet të marrin më shumë përgjegjësi në momentet vendimtare. Partizani ka në organikë lojtarë me cilësi dhe eksperiencë, por tani duhet të tregojë se mund të funksionojë si një ekip i konsoliduar gjatë gjithë sezonit.
KONKURRENCA- Po ashtu, konkurrenca e brendshme duhet të rritet. Asnjë vend në formacion nuk duhet të jetë i garantuar dhe çdo futbollist duhet të luftojë për minutat e tij. Ky është një nga elementët që karakterizon skuadrat fituese dhe që shpesh bën diferencën në garën për titull. Partizani nuk ka nevojë për një revolucion të madh. Baza e skuadrës ekziston dhe cilësia nuk mungon. Megjithatë, për të kaluar nga vendi i pestë te pretendenti për titull, duhen më shumë ekuilibër, më shumë gola, më pak dëmtime dhe më shumë vazhdimësi në rezultate. Vetëm nëse këto elemente përmirësohen, të kuqtë mund të rikthehen në luftën për trofe dhe të synojnë sërish majën e futbollit shqiptar në sezonin e ardhshëm.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













