Ballshiotët rikthehen në fushë, fokusi te Laçi dhe Tirana
Bylisi ka pushuar vetëm pak këtë periudhë, pasi skuadra është stërvitur deri më 30 dhjetor. Më pas, lojtarët janë larguar drejt familjeve të tyre, kryesisht ata shqiptarë sepse të huajt kanë qëndruar pjesa më e madhe në Ballsh. Nga sa bëhet e ditur, ballshiotët pritet që të diskutojnë edhe për fazën përgatitore së shpejti, ndërsa dy takimet e para zyrtare i kanë në shtëpi.

Në datën 10, ata presin Laçin në ndeshjen e 1/8 të Kupës së Shqipërisë, ndërsa duelin e radhës do ta luajnë me skuadrën e Tiranës, takim i vlefshëm për javën e parë të fazës së tretë të kampionatit të Superiores. Nga ballshiotët, në këtë pjesë të dytë të garës nuk do të ketë shumë lëvizje, madje është menduar që të ketë 2-3 afrime, ndërsa kryesisht për ata lojtarë të cilët nuk janë në planet e stafit por kanë kontratë do të huazohen.
Grumbullimi ka nisur që në datën 2 të këtij viti dhe pasi janë mbledhur fillimisht në Kompleksin “Gjanica” ku kanë uruar njëri-tjetrin kanë nisur menjëherë nga puna për sezonin e ri futbollistik, teksa vëmendja është te sfida e vetëm e Kupës së Shqipërisë me Laçin. Mallakastriotët e kanë si synim Kupën e Shqipërisë dhe duan që t’i shkojnë deri në fund kompeticionit teksa pas këtij dueli kanë short, por jashtë vëmendjes nuk do të jetë edhe kampionati, aq më tepër që sfidën e parë zyrtare e luajë me një rival direkt në betejën e mbijetesës siç është Tirana.
Sa i përket merkatos, dihet që Bylisi ka shumë elementë të cilët kanë pasur oferta, për më tepër që premtojnë shumë. Por kjo mbetet për t’u parë dhe nisur nga objektivat e qarta që ka klubi në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë, në Ballsh priten afrime. Drejtuesit mund të bëjnë afrime në mbrojtje por edhe në sulm, ndonëse ofensiva ka shkuar mire javët e fundit.
“Zhbllokimi” i sulmuesit kryesor Ibrahim Mustafa ka ndezur shpresat në Ballsh se e kanë njeriun gol që deri më tani ka shënuar 5 gola dhe bën pjesë në listën e shënuesve më të mirë të elitës dhe ka treguar një formë mjaft të mire javët e fundit në kampionat duke shënuar rregullisht ndaj Teutës, Elbasanit e Vorës.
Gjithsesi, në klub puna ka nisur prej kohësh dhe ballshiotët nuk duhet që të nxitohen për të bërë afrimet e duhura sepse në këtë periudhë koha nuk mjafton dhe eksperienca ka treguar se rrallë gjen lojtarë. Ndaj edhe ballshiotët do të ndjekin taktikën e viteve të fundit teksa në merkaton e janarit kanë afruar nga 2-3 lojtarë aty ku ka nevojë skuadra që të përforcohet dhe me tregun e hapur së shpejti priten edhe surprizat.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













