Balaj shpik golat dhe mbrojtja e Vllaznisë ruan ekuilibrin, kartonët e kuq nuk i frenojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2026 | 14:34

Balaj shpik golat dhe mbrojtja e Vllaznisë ruan ekuilibrin, kartonët e kuq nuk i frenojnë

Sezoni 2025–26 në Kategoria Superiore ka treguar një Vllazni konkurruese dhe me identitet të qartë loje, por një statistikë e veçantë bie në sy gjatë 27 javëve të para të kampionatit, kartonët e kuq.

vllaznia

Shkodranët janë ndëshkuar plot pesë herë me përjashtim nga loja, një numër relativisht i lartë për një skuadër që tradicionalisht njihet për futboll të bukur dhe korrekt në fushë. Rasti i parë erdhi në përballjen ndaj Teutës në ndeshjen e fazës së parë në Durrës, kur zëvendës kapiteni Erdenis Gurishta u detyrua të largohej nga fusha pas dy kartonëve të verdhë. Një situatë loje e tensionuar bëri që mbrojtësi i djathtë të ndëshkohej dy herë nga gjyqtari, duke e lënë skuadrën shkodrane me një lojtar më pak në një moment delikat të ndeshjes.

Një tjetër episod erdhi në sfidën ndaj Tiranës, ku mbrojtësi Aleksander Kuros u ndëshkua me karton të kuq direkt. Ishte një ndërhyrje e konsideruar e rrezikshme nga arbitri, duke bërë që Vllaznia të mbetej në inferioritet numerik në një nga ndeshjet më të forta të kampionatit. Lista e përjashtimeve vazhdoi edhe në javët pasuese. Mbrojtësi Elmando Gjini u ndëshkua me dy kartonë të verdhë në përballjen ndaj AF Elbasani, ndërsa mbrojtësi Jasmin Çelikoviç mori të njëjtin fat në ndeshjen tjetër kundër Teutës në Durrës, duke u larguar nga fusha pas dy paralajmërimeve të njëpasnjëshme.

Rasti më i fundit është ai i sulmuesit Bismark në përballjen ndaj Flamurtarit në Vlorë, i cili u ndëshkua me karton të kuq direkt. Një moment tensioni në fushë bëri që arbitri të mos hezitonte për të nxjerrë kartonin e kuq, duke e mbyllur para kohe ndeshjen për futbollistin e Vllaznisë. Megjithatë, pavarësisht këtyre pesë kartonëve të kuq në 27 javë, Vllaznia vazhdon të konsiderohet një nga skuadrat që kultivon futboll ofensiv dhe fair play në kampionatin shqiptar. Statistika mbetet disi kontradiktore me stilin e lojës së shkodranëve, të cilët përgjithësisht dallohen për organizim, intensitet dhe respekt për lojën, elementë që prej vitesh janë pjesë e identitetit të klubit kuqeblu.

MBYLLJA E FAZËS SË TRETË – Pas mbylljes së fazës së tretë të edicionit në Kategoria Superiore, gara për titullin kampion është bërë edhe më e qartë dhe më e fortë. Në krye të tabelës së klasifikimit qëndron Vllaznia, e cila pas 27 javësh ka grumbulluar 51 pikë, duke mbajtur një avantazh minimal prej vetëm dy pikësh ndaj ndjekësve më të afërt, Elbasani dhe Egnatia. Kjo diferencë e vogël pikësh paralajmëron një fazë të fundit kampionati mjaft të luftuar, ku çdo ndeshje pritet të ketë peshë vendimtare për fatin e titullit.

Statistikat deri në këtë moment tregojnë qartë forcën e skuadrës shkodrane në repartin ofensiv. Kuqeblutë kanë sulmin më të mirë të kampionatit me 36 gola të shënuar në 27 javë, duke lënë pas rivalët direktë. Pas tyre renditet Egnatia me 34 gola të realizuar, ndërsa Elbasani ndjek me 33 gola. Në këtë repart spikat veçanërisht sulmuesi Bekim Balaj, i cili ka qenë protagonisti kryesor i shkodranëve në fazën sulmuese me 13 gola të shënuar, duke u kthyer në një nga lojtarët më vendimtarë të sezonit. Por forca e Vllaznisë nuk qëndron vetëm në sulm. Kuqeblutë kanë treguar stabilitet edhe në prapavijë, duke qenë njëkohësisht edhe ndër mbrojtjet më solide të kampionatit.

Skuadra shkodrane ka pësuar vetëm 21 gola në 27 ndeshje, shifër që e ndan me Elbasanin, ndërsa menjëherë pas tyre renditet Egnatia me 22 gola të pësuar. Këto statistika dëshmojnë balancën që karakterizon tre skuadrat kryesore të këtij sezoni. Dominimi statistikor i këtyre tre ekipeve në të dy repartet e lojës tregon qartë se lufta për titullin kampion pritet të zhvillohet pikërisht mes këtij treshi. Megjithatë, duke parë renditjen dhe performancën e deritanishme, rivaliteti më i drejtpërdrejtë për Vllazninë duket se do të jetë me Elbasanin dhe Egnatian, dy skuadra që kanë ruajtur ritëm të lartë gjatë gjithë sezonit.

Me kampionatin që hyn në fazën më vendimtare, çdo pikë do të marrë një rëndësi të veçantë. Për shkodranët objektivi është i qartë: ruajtja e vendit të parë dhe vazhdimi i ritmit pozitiv deri në fund të sezonit. Megjithatë, presioni i Elbasanit dhe Egnatias premton një garë të fortë dhe emocionuese deri në javët e fundit të kampionatit.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL