Asnjë lider, mesfusha e Partizanit nuk ka “pronar”
Të gjitha repartet janë të rëndësishme, por nëse nuk ke mesfushën, nuk ke asgjë. Në vitin 2025, Partizani ka shfaqur probleme të mëdha dhe lojtarët e mbetur nuk kanë arritur në asnjë moment të ngrihen në nivelin e duhur.

Madje, në një moment, trajnerit Gega iu desh të shpikte me Sembene si mesfushor qendre, për ta plotësuar me Koten dhe Mehmetin, që gjithashtu treguan limite dhe shfaqën luhatje ndeshje pas ndeshjeje. Asnjëri nga mesfushorët e Partizanit nuk mund të themi se është i kompletuar dhe gati për ta udhëhequr repartin.
Në këtë situatë, të kuqtë me siguri do të përqendrohen për të sjellë lojtarë të tjerë që synohet se do të rrisin cilësinë dhe do të kthejnë mesfushën në një pikë të fortë. Procesi ka nisur me Herolind Shalën, por edhe me të do të duhet një punë voluminoze për ta kthyer në formën e tij optimale, pasi ka luajtur shumë pak, për të mos thënë fare.
Sakaq, në dyshim është e ardhmja e Gjelbrim Taipit, të cilit flitet se i skadon kontrata në këtë verë dhe rinovimi duket ende në dyshim. Sakaq, sa u përket lojtarëve të lirë, opsionet për të forcuar ekipin nuk mungojnë, me Aleksin apo Zejnullain, që kanë mbyllur kontratat me Egnatian, por edhe të tjerë futbollistë shihen si opsione.
PANORAMASPORT.AL













