Analiza/ Triumfi i Spanjës, si e çorientoi Anglinë! Ja kush ishte lojtari kyç i kampionëve
Spanja është kampione e Europës, pasi mposhti Anglinë në finalen e Berlinit 2-1.Një fitore e fundit për skuadrën spanjolle për një kampionat perfekt, me shtatë fitore në shtatë ndeshje (askush nuk i ka fituar të gjitha ndeshjet në kampionat më parë), dhe duke mposhtur të gjitha ekipet evropiane të shpallura kampione bote: Italia në fazën e grupeve, Gjermania në çerekfinale, Franca në gjysmëfinale dhe Anglia në finale. Finalja nuk ndryshonte nga skenari që ishte planifikuar, me Spanjën e Luis de la Fuentes që kërkonte portën rivale dhe Anglinë e mbrojtur mirë, mbi të gjitha, në krahë me Kajl Uolker dhe Luk Shou që fituan duelet individuale kundër Niko Uilliams dhe Lamine Jamal, veçanërisht në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, gjithçka ndryshoi shpejt në favor të Spanjës. Një aksion në krahun e djathtë liroi hapësirat në anën tjetër për Niko Uilliams në golin e 1-0. I detyruar të baraspeshonte takimin, Garet Sauthgejt iu drejtua ndryshimeve që kishin funksionuar për të gjatë kampionatit, me futjen e Uotkins e Palmer. I dyti barazoi shifrat, por në minutat e fundit dhe me ndryshimet e të dy trajnerëve, loja filloi të kishte më pak rregull dhe më shumë shpejtësi. Kështu u vendos dhe finalja, me një sulm të shpejtë nga Spanja që Mikel Ojarzabal e finalizoi në rrjetë pas një krosi të Kukurejës. Anglia pati një mundësi të fundit të shkëlqyer për të barazuar, por fillimisht Unai Simón dhe më pas Dani Olmo shpëtuan Spanjën. Spanja, të cilën shumë pak e konsideronin një kandidat për ta fituar kampionatin para nisjes së tij, arriti ta fitonte atë bindshëm në Berlin. E katërta në historinë e saj që u bë skuadra me më shumë tituj evropianë.
VENDOSJA – Spanja, me një 4-2-3-1 në fazën sulmuese, kërkoi të gjente një zgjidhje në lëshimin e topit ndaj bllokut mbrojtës të Anglisë. Për ta bërë këtë, portieri Unai Simon shmangu lidhjen e drejtpërdrejtë me treshen Rodri-Fabian Ruiz-Dani Olmo, pasi të tre ishin të markuar rresptësisht nga mesfusha angleze, me Fil Foden, Kobi Maino dhe Deklan Rajs. Simon gjithashtu shmangu lidhjen me Laporte, i cili kishte mbikëqyrjen e vazhdueshme të Herri Kejn. Zgjidhja e Spanjës ishte pasimi i shkurtër i Simon me Robin Le Normand, me qendërmbrojtësin që lëvizte përpara për të tërhequr Bellingamin. Kjo zhvendosje e anglezit, i hapi rrugën Le Normand të komunikonte me Dani Karvahalin si lojtar i lirë. Nëse Spanja kërkonte çekuilibër, Anglia zgjodhi kontrollin. Sauthgejt organizoi Anglinë në formacionin 4-4-2 gjatë fazës mbrojtëse në pjesën e parë, me Foden dhe Kejn në pozicione më të avancuara. Megjithatë, Foden kishte një pozicion më pak të fiksuar, me shumë më tepër lëvizshmëri, pasi në fazën sulmuese lëvizje mes rreshtave të mbrojtjes spanjolle, ndërsa pa top ai ndryshoi pozicionin e tij për të formuar Anglinë për shumë momente në 5-4-1 variant në mbrojtje. Synimi i Sauthgejt me Foden ishte të shmangte qarkullimin dhe lidhjet e brendshme të Spanjës, gjithashtu me pajisjen mbrojtëse në fushën e saj shumë kompakte, dhe me Declan Rice dhe Kobi Maino që mbyllnin pasimet e brendshme dhe futeshin në vijën e fundit të mbrojtjes.
POZICIONET KYÇE – Në fazën e sulmit dhe gjatë kohës që ishte në fushë (deri në minutën e 68-të), Alvaro Morata ishte lojtari që ofroi zgjidhjet më të mëdha dhe më të mira sulmuese për shokët e tij në zonën e organizimit të lojës për të prishur mburojën mbrojtëse të Anglisë. Ai e arriti këtë duke krijuar boshllëqe mbështetëse pas Rajs dhe Maino, duke e identifikuar veten në atë zonë të fushës si një lojtar i tretë për të marrë topin te Olmo, Niko Uilliams dhe Jamal. Kështu, me rolin e Moratës në sulm, skuadra spanjolle arriti të gjenerojë rrjedhshmëri më të madhe në lojë dhe gjithashtu të rrisë shpejtësinë e lojës së saj në fushën rivale. Në pjesën e dytë, Sauthgejt modifikoi mënyrën e presionit. Nëse në pjesën e parë Foden u kryqëzua me Rodrin, në pjesën e dytë lojtari i Sitit ishte në krye të presionit ndaj Le Normand. Megjithatë, ajo lëvizje e prishi plotësisht pajisjen mbrojtëse angleze, pasi u krijua një 2 kundër 1, me Zubimendin dhe Fabian Ruiz në epërsi ndaj Maino, pasi lojtari i Junajtidit nuk mund të ndihmohej nga Rajs për të kompensuar boshllëkun e krijuar nga përparimi i Fodenit.
HAPËSIRAT NË TRANZICION – Në pjesën e dytë, tranzicionet sulmuese u bënë kyç, së bashku me hapësirat që krijonte çdo skuadër në riorganizimin e saj pas humbjes së topit në zonën e fundit. Jamal u përpoq të krijonte situata të favorshme ndaj Shou. Në golin e 1-0, anësori spanjoll tërhoqi mbrojtësit, me ndihmën e Olmos dhe Moratës, për të përfunduar çorientimin e mbrojtjes angleze. Anglia, pas ndryshimeve të bëra nga Sauthgejt, filloi të krijonte situata shumë të rrezikshme në portë. Skuadra angleze përfitoi nga ky çekuilibër në mbrojtjen spanjolle, duke e tërhequr edhe Zubimendin jashtë zonës. Kjo krijoi hapësirë të lirë për Palmerin dhe kështu erdhi goli i barazimit.
SKUADRA E NDARË – Por pa shumë ekuilibër (shumë forca sulmuese) dhe e zgjatur shumë në fushë, Anglia i bëri një nder Spanjës. “La Roja” arriti t’i shfrytëzonte këto hapësira në strukturën mbrojtëse angleze, të kryente sulme të shpejta dhe vertikale midis linjave. Me këtë variant në sulm në minutat e fundit, Spanja arriti 2-1 përfundimtare, me anë të Ojarzabal.LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"