ANALIZA/ “Thembra e Akilit”, për kampionët e Europës është presingu i lartë
Rezultati në tabelën elektronike ishte 2-0. Realiteti në Atlanta ishte ndryshe. Për shumë minuta, PSG-ja ishte në vështirësi kundër Bajernit. Ekipi i Luis Enrikes ishte në limite në pjesën e parë. Vinsent Kompani, trajneri i ekipit bavarez, i dinte të fshehtat e kampionve të Europës për t’i goditur ata. Parisi nuk u shemb, përkundrazi fitoi.

Por Bajerni zbuloi tek ata “thembrën e Akilit”, si një pistë që Ksabi Alonso dhe Reali mund ta shfrytëzojnë. PSG-ja mund të lëkundet nën presion dhe kjo është diçka që Reali duhet ta dijë. Bajerni e përdori këtë truk për të kufizuar kundërshtarët e tyre.
Ekipi i Luis Enrikes ishte joefektiv me topin. Një simptomë e ekspertizës së Bajernit, i cili mbështetej në presingun e lartë për të mbytur parisienët. Trajneri belg u kërkoi lojtarëve të tij të kërkonin mundësi njëkundër-një në të gjithë fushën. Një presing i pastër mbytës u lejoi gjermanëve të kontrollonin shumicën e situatave mbrojtëse kundër një skuadre që është e fortë dhe rrallë fal. Gjatë pjesës së parë, Musiala udhëhoqi presingun bavarez. Qendërmbrojtësi, Xhonatan Tah avancoi në mesfushë për të markuar Fabian Ruiz, duke shpresuar ta pengonte atë të kthehej dhe të gjente hapësirën. Kompani i mbajti lart mbrojtësit e tij të krahut, Boej dhe Laimer dhe i detyroi anësorët të lëviznin në kërkim të superioritetit numerik në të dyja anët. Ky sistem i hartuar me kujdes bëri që skuadra e Mynihut të dominonte zotërimin e topit.
PSG-JA PUSHOI SË QENI NË KRYE – Kjo ishte performanca fizike e admirueshme e Bajernit derisa Musiala doli nga fusha pas një dëmtimi serioz. Duke parë shifrat, PSG-ja humbi 22% të pasimeve në fillim të ndeshjes. Kjo do të thotë, një në katër pasime nuk arriti te marrësi i synuar. Për ta adresuar këtë, trajneri asturian e inkurajoi ekipin e tij të bënte më shumë ndryshime drejtimi dhe të përfitonte nga pasimet e gjata për të sulmuar mbrojtësit e krahut të Bajernit. “Ata ishin kundërshtarët që na ngjanin më shumë”, pranoi Luis Enrike pas ndeshjes. Bajerni i bëri kampionët e Europës të dukeshin të prekshëm në faza të caktuara të lojës. Kjo ndodhi edhe në sezonin e fundit të Ligës së Kampioneve, ku Arsenali (në ndeshjen e dytë të gjysmëfinaleve) dhe vetë Bajerni (në fazën e ligës) e detyruan ekipin e Luis Enrikes të braktiste stilin e vet.
PANORAMASPORT.AL













