Kur bilbili ndahet nga drejtësia dhe presidentët nga durimi, kriza aktuale në Superiore nuk është emocionale
Java e 21-të e Kategorisë Superiore nuk solli thjesht rezultate, por nxori në sipërfaqe një realitet të zymtë në elitën e futbollit shqiptar, pa e ulur stekën në nivelet e mëposhtme ku situate është edhe më alarmante: Krizën e besimit tek “xhaketat e zeza”. Ajo që prej javësh ziente në heshtje, këtë herë shpërtheu publikisht, duke kthyer presidentët, trajnerët dhe klubet kundër njëri-tjetrit, me arbitrimin në qendër të akuzave dhe polemikave.

Çfarë po ndodh realisht me arbitrimin?
Në thelb, problemi nuk është një vendim i vetëm apo një episod i izoluar. Është përsëritja e gabimeve, mungesa e standardit të njëjtë dhe perceptimi i favorizimeve, që ka krijuar ndjesinë se kampionati nuk po luhet më në kushte të barabarta.
Rastet e përmendura nga Dinamo, Vora, Egnatia apo Elbasani tregojnë një panoramë të qartë:
-Vendime të dyshimta për penallti;
-Kartonë të kuq të diskutueshëm;
-Ndërhyrje të rënda të pandëshkuara;
– VAR-i që ose hesht, ose ndërhyn në mënyrë kontradiktore. Madje kjo është mbi të gjitha, pasi pretendohet për një hallkë korrigjuese gabimesh, por mesa duket vetëm sap o e trash më shumë “zullumin”. Kur teknologjia që u soll për të reduktuar gabimet kthehet në burim debatesh, atëherë problemi nuk është më vetëm njerëzor, por i sistemit të ngritur me në krye ata që kanë levat e kontrollit.
Pse janë nxehur kaq shumë presidentët?
Sepse sot një vendim arbitri nuk ndikon vetëm një ndeshje, por një sezon të tërë, duke hedhur në erë edhe investimet kolosale, që sipas deklarimeve vijnë nga të ardhurat familjare. Diferencat në renditje janë minimale, objektivat janë të qarta: Titull kampion, pjesëmarrje në Europë, si dhe mbijetesë. Ndaj, çdo pikë ka peshë financiare, sportive dhe institucionale.
Presidentët ndihen të pambrojtur:
-Klubet e vogla mendojnë se penalizohen prej “të mëdhenjve”;
-Klubet pretendente ndihen të shënjestruara për t’u “balancuar” kampionati; Ndërsa të tjerë akuzohen se ushtrojnë presion apo kanë ndikim indirekt. Kjo është arsyeja pse akuza nuk ndalet më te arbitri, por shkon deri te presidenti kundërshtar, si në rastin Llupa–Demrozi. Kur mungon besimi te sistemi, dyshimi kalon nga bilbili te zyra. Gjithsesi, duhet pranuar edhe vetë fakti se akuzat vërtetojnë indirekt më së miri se janë vetë këta president që ia varin “gurin në qafë” njëri-tjetrit. Ndaj, ndodh që “karma” të kalojë minimum çdoherë te çdokush i përfshirë në makinacionet që ata i thonë më lirshëm në tavolina miqsh, por që së fundmi ka nisur të prevalojë edhe në deklarata publike.
Një klimë që po dëmton vetë futbollin
Deklaratat e Ilir Dajës janë ndoshta pasqyra më e fortë e situatës. Trajnerë që nuk dinë më çfarë t’u thonë lojtarëve, futbollistë që ndihen të pambrojtur dhe klube që zgjedhin bojkotin moral si formë proteste. Në këtë klimë, arbitrat humbasin autoritetin, VAR-i humb besueshmërinë dhe kampionati humb kredibilitetin.
Përfundimi, kriza nuk është emocionale, por strukturore
Kjo që plasi pas javës së 21-të në Superiore, nuk është thjesht “javë nervash”. Është sinjal alarmi. Arbitrimi shqiptar ka nevojë urgjente për transparencë, përgjegjësi publike, standard të njëjtë vendimmarrjeje, si dhe mbrojtje institucionale nga presioni i klubeve. Përndryshe, ajo që po shohim sot do të përshkallëzohet nesër me më shumë akuza, si dhe me më pak futboll. Dhe në fund, të gjithë do të humbasin, edhe ata që sot mendojnë se po fitojnë nga kaosi. Duke ditur se jemi në një vit zgjedhor në qeverinë e futbollit vendor, gjasat janë që të mos kemi reformë, por metoda pajtimi dhe joshje, ku të gjithë do të përfundojnë në “lëpirje kockash”. Gjithsesi, këto kambana që po amplifikohen e kanë një të mirë, pasi futbolli shqiptar ka nevojë për një vetëpastrim, dhe kush mund ta bëjë më mirë sesa ata drejtues klubesh dhe instancash në federatë, që mundohen t’ia “fusin” njëri-tjetrit. Ka ardhur koha e një operacioni “fshesa” në futbollin shqiptar, në mënyrë që të mos humbasë edhe sporti më popullor në vendin tonë. Mosprania e asnjë klubi futbolli nga Shqipëria në grupet e kompeticioneve europianë në këtë edicion tregon më së miri sesa janë rritur fqinjët, dhe sesi po shkërmoqet e ardhmja nga futbolli i zyrave në vendin tonë.
ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL













