ANALIZA/ Ditët më të vështira! Tirana kishte 13 shanse për gol ndaj Teutës, por në fushë humbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2025 | 12:51

ANALIZA/ Ditët më të vështira! Tirana kishte 13 shanse për gol ndaj Teutës, por në fushë humbi

Tirana po kalon ditët më të vështira të saj këtë sezon, teksa do të përballet ditën e diel me Dinamon në një ndeshje vendimtare për mbijetesën. Gjatë këtyre orëve, situata nuk ka qenë e qetë te bardheblutë. Mbledhje pas mbledhjeje, kanë qenë drejtuesit ata që kanë ngritur moralin për sfidën e fundit të Kategorisë Superiore.

ernest tirana

Përditë, si trajneri Bledi Shkëmbi, dhe drejtori Agim Ibrahimi, kanë folur me lojtarët, për atë që u rezervon kalendari ditën e diel. Fokusi i bisedave ka qenë te përqendrimi që skuadra duhet të ketë për sfidën me Dinamon. Të gjithëve u është kërkuar një sforco e fundit, që bardheblutë të mos turpërohen në këtë ndeshje decizive. Një humbje apo barazim është firmosja e rënies nga kategoria dhe, për këtë qëllim, te Tirana duan të jenë të karikuar dhe të mbajnë ekipin të qetë nga çdo problem i jashtëm, që mund t’i shpërqendrojë për objektivin final.

ANALIZA – Gjatë këtyre ditëve janë analizuar me kujdes të gjithë hapat në ndeshjen e së shtunës së kaluar ndaj Teutës. Kulmi qëndron te fakti se Tirana ka pasur 13 raste të pastra për gol dhe njëkohësisht 13 gjuajtje në portë, një penallti të humbur dhe nuk tundi dot qoftë edhe një herë rrjetën.

Jo vetëm kaq, por nga analiza që i është bërë situatës, duket qartë se ekipi në sulm ka qenë i papërqendruar dhe jo rezultativ. Kujtojmë që Ndreca e Zharmuni patën raste për të “vrarë” takimin, por nuk ia dolën. Përfitoi Teuta, e cila, me gjuajtjen e vetme në portë, shënoi, mori fitoren dhe shpëtoi prej rënies nga kategoria.

DY DEKADA – Tirana do të luajë ditën e diel ndoshta përballjen më të rëndësishme të sezonit, kundër Dinamos. Gjithsesi, ndonëse ekipi bardheblu do të fitojë këtë takim, sido që të shkojnë ndeshjet e tjera, Tirana do të shkojë në “play out”.

Po a ka mundësi Tirana të mundë Dinamon? Statistikat thonë që po. Tirana, nga viti 2001 e në vazhdim, ka dominuar takimet. Në 25 takime të luajtura mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, bardhebluë kanë fituar 12 herë. Më saktë, janë 48% të takimeve të fituara. Katër takime janë mbyllur në barazim, ndërsa nëntë ndeshje të tjera janë në krahun e Dinamos.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL