Analiza/ 3 gabime dhe një mungesë i kushtuan derbin bardhebluve të Tiranës
Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit nuk u buzëqeshi bardhebluve, por përtej rezultatit, analiza e ndeshjes nxjerr në pah disa vendime që ndikuan drejtpërdrejt në fatin e takimit. Katër elementë kryesorë duket se i kushtuan shtrenjtë Tiranës në një përballje ku detajet bëjnë diferencën. Së pari, aktivizimi i Johan Kortezit me vetëm tre ditë stërvitje me skuadrën ishte një rrezik i madh. Në një derbi me intensitet të lartë, ku ritmi dhe harmonia mes repartesh janë vendimtare, mungesa e përgatitjes optimale u reflektua në lojën e tij.

Futbollisti nuk arriti të ishte vendimtar dhe shpesh u duk jashtë sinkronit me pjesën tjetër të ekipit. Po ashtu, aktivizimi i Ernestit, i cili nuk është në formën e tij më të mirë, nuk solli impaktin e pritur. Në vend që të jepte shtysë në fazën sulmuese, kontributi i tij ishte i kufizuar dhe Tirana humbi shumë në krijimtari. Së dyti, zgjedhja e një formacioni të aktivizuar së fundmi dhe pa u testuar mjaftueshëm në ndeshje të tjera rezultoi e diskutueshme. Derbi kërkon stabilitet dhe automatizma të konsoliduara, jo eksperimente.
Për më tepër, disa prej lojtarëve vinin të lodhur nga angazhimet në Kupë, çka ndikoi në freskinë fizike dhe përqendrimin, sidomos në pjesën e dytë. Rënia e ritmit dhe mungesa e agresivitetit në duele i dhanë hapësira kundërshtarit për të kontrolluar momentet kyçe të takimit. Së treti, ndryshimi i skemës ishte një tjetër faktor që ndikoi në balancat e skuadrës. Trajneri Ardian Nuhiu kishte përdorur skemën 3-5-2 në ndeshjet e fundit, duke marrë rezultate pozitive dhe duke krijuar një identitet të qartë loje. Megjithatë, pas humbjes me Dinamon, ai vendosi të ndryshojë sistemin në derbi. Ky vendim prishi ekuilibrat e krijuar.
Mbrojtja nuk ishte aq kompakte sa më parë, ndërsa mesfusha humbi superioritetin numerik që e kishte ndihmuar në takimet e mëparshme. Së fundmi, mungesa e Redon Xhixhës u ndje më shumë se kurrë. Sulmuesi ka qenë vendimtar në dy fitore të rëndësishme, duke sjellë gjashtë pikë për ekipin. Në Ballsh fitoi penalltinë që zhbllokoi sfidën, ndërsa ndaj Egnatias realizoi golin e fitores. Pa të, Tirana humbi thellësinë dhe rrezikshmërinë në zonën kundërshtare. Sulmi u bë i parashikueshëm dhe mungoi lojtari që mund të bënte diferencën me një veprim individual.
Në një ndeshje si derbi, gabimet paguhen menjëherë. Zgjedhjet në formacion, menaxhimi i lodhjes dhe vendimet taktike ndikuan në një mbrëmje ku Tirana nuk arriti të shfaqë potencialin e saj të plotë. Tani mbetet për t’u parë nëse kjo humbje do të shërbejë si një mësim për vijimësinë e sezonit, apo do të lërë pasoja edhe në objektivat afatgjatë të skuadrës bardheblu.
PANORAMASPORT.AL













