Aksidenti tragjik, Xhoshua do ta mbyllë me boksin! Xhaxhai i tij: Humbja e dy miqve e ka shkatërruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2026 | 13:10

Aksidenti tragjik, Xhoshua do ta mbyllë me boksin! Xhaxhai i tij: Humbja e dy miqve e ka shkatërruar

Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Entoni Xhoshua, po konsideron seriozisht tërheqjen nga boksi, sipas xhaxhait të tij, Adedamola Xhoshua.fdsggBoksieri britanik u rikthye në ring muajin e kaluar, duke mposhtur Xhejk Polin me nokaut në raundin e gjashtë, pas më shumë se një viti mungesë për shkak të një dëmtimi që pësoi pas humbjes me ndërprerje ndaj Daniel Dubois në shtatorin e kaluar. Xhoshua kishte planifikuar të rikthehej sërish në shkurt, me një kundërshtar të përfolur si Riko Verhoeven, përpara një përballjeje të shumëpritur me rivalin e tij të vjetër, Tajson Fjuri, në vitin 2026.

Megjithatë, planet e tij u tronditën nga një tragjedi e rëndë. Gjatë një vizite në Nigeri, ku ka familjen e tij, Xhoshua u përfshi në një aksident fatal automobilistik. Ai vetë pësoi vetëm lëndime të lehta, por dy miqtë e tij të ngushtë, Sina Ghami dhe Abdul Latif Kevin Ayodele, humbën jetën në aksident. Xhoshua mori pjesë në funeralet e të dyve më 4 janar dhe, sipas “The Sun”, ka vendosur të ofrojë mbështetje financiare dhe morale për familjet e tyre gjatë gjithë jetës. Por, humbja e dy miqve të afërt ka pasur një ndikim të madh emocional te Xhoshua dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në të ardhmen e tij sportive. Duke folur për “The Punch” nga shtëpia e familjes në Sagamu në Nigeri, xhaxhai i tij, Adedamola Xhoshua, zbuloi se boksieri po mendon seriozisht të varë dorezat. “Gjëja kryesore është se ai është tërhequr nga boksi”, tha Adedamola.

“Kjo na bën të ndihemi të lehtësuar, sepse sa herë që ai lufton në ring, ne e përjetojmë emocionalisht shumë fort. Sa herë që ai rrëzohet, është sikur zemra na del nga kraharori. I gjithë ky stres emocional është tepër i madh edhe për ne. Tani që ai ka thënë se po largohet në kulmin e duartrokitjeve, ne jemi të lumtur”. Adedamola shtoi gjithashtu se Xhoshua ua ka konfirmuar vendimin e tij për t’u tërhequr edhe anëtarëve të tjerë të familjes. Ndërkohë, “Matchroom Boxing”, kompania që e ka promovuar Xhoshuan që nga debutimi i tij profesional në vitin 2013, ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje kur u kontaktua nga “BoxingScene”.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL