Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2012 | 14:00

Për Hulian Rubion kjo me Flamurtarin, e fituar 1-0, ishte thjesht një miqësore. Ai sqaron se ekipi bëri punë të mirë, mirëpo kjo ishte veçse një provë. Merkatoja për të është e hapur dhe pret me padurim një qendërsulmues, një mesfushor të djathtë dhe një organizator. “Unë e mora këtë si një miqësore dhe kështu e trajtova. Këto ndeshje kanë vlerë, pasi nxjerrin në pah gjendjen e skuadrës. Flamurtari është ekip pretendent, por ky ishte thjesht një test, asgjë më tepër. Ekipi ishte mirë, por ka ende probleme. Abilaliaj për shembull ka shumë cilësi, mirëpo ka ende punë, pasi ka shumë pak stërvitje. Tashmë unë i kam bërë të qarta kërkesat e mia në merkato, madje që në mars. Mirëpo ka ekipe që prishin merkaton duke ofruar shifra të çmendura. Na nevojitet një qendërsulmues, një mesfushor i djathë, një organizator si Mahmud al Ajmi. Madje, një trajner i mirënjohur thotë: “Trajner mund të bëhet kushdo nëse ka një portier të mirë, një qendërsulmues dhe një organizator”, – tha fillimisht spanjolli. I pyetur nëse ka antipati për lojtarët e huaj, meqenëse deri më tani nuk ka pranuar asnjë, duke përfunduar tha: “S’kam antipati për lojtarët e huaj, por kur vjen një i tillë duhet të bëjë diferencën dhe jo të jetë në të njëjtin nivel me vendësit. Nga krahu tjetër, ata që janë cilësorë, nuk përshtaten dot këtu dhe e them këtë jo se dua të shaj vendin tuaj, pasi punoj këtu. Mirëpo, në asnjë vend të botës nuk ka stadium të tillë (i referohet ‘Selman Stërmasit’)”.

Miqësorja e luksit, Tirana thyen vlonjatët
TIRANA – FLAMURTARI  1-0

GOLAT: G.Lika 10′
TIRANA: I.Lika, Sina, Dushku, Pashaj, Kalari, Taku, Muçollari, Peposhi, G.Lika, Morina, Abilaliaj;
Trajner: H.Rubio
U aktivizuan: Karabeci, Çota, Ahmataj, Pisha, Tushe.

FLAMURTARI: Koliqi, Rajoviç, Veliu, Mici, Bisha, Pezo, Telushi, Lena, Vukçeviç, Soza, Memelli;
Trajner: Sh.Muça
U aktivizuan: Bratiç, Pepa, Bregu.
KARTONË TË VERDHË: Muçollari 36′, Pisha 70’/ Rajoviç 9′, Bratiç 49′

MINUTAT
10′ Bratiç pengon jashtë zone Abilaliajn dhe kryesori jep goditje dënimi. Gilman Lika godet, por muri i vlonjatëve ia kthen topin sërish në këmbë, shkodrani këtë herë nuk gabon, duke e dërguar topin në rrjetë dhe 1-0.
21′ Mici kërkon të rrezikojë portën e vendësve me një goditje në distancë, por Lika pret pa problem.
23′ G.Lika gjuan sërish nga larg, por e pengon trau.
31′ Vukçeviç merr një top nga mesfusha, gjuan, por mbi traversë.
46′ Telushi kroson nga e djathta për Sozën, ky gjuan me kokë, por I.Lika bën mrekullinë, duke pritur një top thuajse të pamundur.
58′ Goditje dënimi në anësore për Tiranën, Ahmataj gjuan bukur, por pret Koliqi.
80′ Bratiç rrezikon me nga 20 metra, por Lika pret sërish.

Tirana dhe Flamurtari kanë zhvilluar dje në orën 17:50, në “Selman Stërmasi”, një përballje luksi, duke qenë se të dyja skuadrat kanë pretendime madhore në edicionin e ri. Një miqësore, që në fakt vetëm e tillë nuk dukej, kjo kuptohej nga ashpërsia me të cilën nisi dhe u mbyll kjo sfidë. Por jo vetëm, pasi interesi i kishte kaluar parashikimet, një tribunë thuajse e mbushur, ku nuk kanë munguar as drejtuesit e të dyja klubeve. Në fund kanë fituar bardheblutë, teksa një gol i Gilman Likës në të 10-ën ka mjaftuar për të gjithë ndeshjen. Kryeqytetasit bënë paraqitje më të mirë në 45 minutat e para, madje ishin më të koordinuar mes reparteve, ndërsa vlonjatët kanë vuajtur së tepërmi. Gjë që reflektohej edhe nga trajneri Muça, i cili në pankinë është shfaqur tepër nervoz. Nuk ka mbetur pas as Rubio, i cili kërkonte më shumë, mirëpo sulmi e pati të vështirë që të shënonte më, ndonëse shërbimet nga ana e mesfushës ishin të vazhdueshme. Megjithatë, në fund mes dy strategëve ka pasur shtrëngim duarsh, pasi në fund të fundit ky ishte veç një test për të parë se ku janë dhe çfarë nuk shkon te skuadrat e tyre.
Pjesa e parë Ndeshja nis vrullshëm, me një Tiranë në kërkim të golit dhe me një Flamurtar që s’i mbetet gjë tjetër veçse të mbrohet. Madje edhe goli nuk vonon, teksa në të 10-ën zhbllokohen shifrat. Bratiç pengon jashtë zone Abilaliajn dhe kryesori jep goditje dënimi. Gilman Lika godet, por muri i vlonjatëve ia kthen topin sërish në këmbë, shkodrani këtë herë nuk gabon, duke e dërguar topin drejt në rrjetë dhe 1-0. U mendua që pas këtij episodi nuk do të vononin edhe golat e tjerë, por më kot, pasi edhe pse të dyja ekipet u munduan, duke krijuar me bollëk, e patën të vështirë të finalizonin. E në të tilla kushte, fraksioni i parë mbyllet me këtë rezultat.
Pjesa e dytë I dyti nis me lëvizje, e kjo është e kuptueshme, duke qenë se trajnerët i shohin këto lloj duelesh si një shans për të parë lojtarët e ardhur rishtas. Rubio aktivizon Karabecin, Ahmatajn, Çotën e Tushen, ndërsa Muça fut Bratiçin, Pepën dhe Bregun. Tentativat nuk mungojnë, teksa për vendësit mundohen G.Lika, Abilaliaj, Çota e Morina, por konkretizimi çalon ndjeshëm. Nga krahu tjetër, ndonëse me sulmues tepër të kushtueshëm financiarisht si Soza e Memelli, goli ishte një mision i pamundur. Mesfusha vlonjate bëri një punë të mirë në tërësi, por vetëm kaq nuk mjaftoi për të thyer tersin ndaj Tiranës, e cila në përballjet e fundit ka dalë gjithnjë e fituar.

Interesi
Tirana-Flamurtari ka tërhequr vëmendjen e një numri të madh tifozësh, teksa në tribunën qendrore të stadiumit ishin të akomoduar rreth 200 të tillë. Fakti që përballeshin dy ekipe që pretendojnë shumë në sezonin dhe priten të jenë rivale për titullin kampion, bëri që një numër i konsiderueshëm tifozësh t’i shihnin më nga afër skuadrat. Veç fansave bardheblu, tek-tuk ka pasur edhe ndonjë vlonjat, që me siguri jetojnë në kryeqytet.

Tribuna
Tribuna VIP dje ka qenë më e mbushur se në ndeshjet zyrtare të kampionatit, duke i kaluar të gjitha parashikimet. Edhe në këtë drejtim interesi ishte i lartë, teksa përveç drejtuesve të të dyja klubeve, prezent ishte edhe vetë kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, por edhe presidenti i sapoemëruar i Skënderbeut, Artan Takaj. Ndër të tjerë, dje ra në sy edhe prania e Edvin Muratit, ish-futbollistit të Kombëtares që e ndoqi deri në fund miqësoren.

Limani sot nis provën, brenda javës pritet Afroto
Mbërrin një tjetër lojtar te Tirana. Mensur Limani dje ka ardhur në kryeqytet, madje ka qenë prezent edhe në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe vetëm sot pasdite do të startojë zyrtarisht provën. Mesfushori kosovar, i cili sezonin e fundit e ka mbyllur në Azerbajxhan, më konkretisht te AZAL, është një alternativë më shumë për bardheblutë për sezonin e ri. Mirëpo përpara se të flitet për blerje, fillimisht trajneri Rubio do të jap OK-in. Në rast se prova e tij do të kalojë me sukses, drejtuesit mund të flasin edhe në terma financiarë me 27-vjeçarin. Megjithatë, ai do të ketë disa ditë kohë për të treguar veten dhe rrjedhimisht të bindë teknikun spanjoll. Sakaq, brenda javës pritet të vijë një tjetër lojtar. Bëhet fjalë për Mostafa Aforton, sulmues egjiptian, i cili edicionin e fundit e ka mbyllur te Atromitos. Lojtari 23-vjeçar thuhet se ka cilësi tepër të mira dhe, veç sulmit, mund të përshtatet edhe në mesfushë. Mirëpo edhe për Afroton, në rast se do të vijë te Tirana, fillimisht duhet të marrë notë pozitive nga Rubio për t’u federuar.

Klubi vijon bisedimet me Teqjen
Prej kohësh Tirana ka nisur tratativat për të afruar në skuadër Olsi Teqjen. Lojtari tiranas, i cili vazhdon të jetë në pronësi të klubit të Bylisit, pëlqehet nga stafi teknik i bardhebluve. Në të tilla kushte, drejtuesit e kanë kontaktuar sërish për të thelluar bisedimet. Mirëpo, gjithçka është shtyrë për sot. Se si do të përfundojnë këto bisedime, kjo mund të zgjidhet brenda disa ditëve. Trajneri e do në ekip këtë futbollist, por tashmë çdo gjë varet edhe nga Bylisi, klub që ka kartonin e lojtarit edhe për një sezon tjetër.

Pas testit, sytë nga Superkupa
Për Tiranën, ndeshja miqësore e zhvilluar një ditë më parë kundër një rivali të fortë si Skënderbeu, mund të quhet si provë gjenerale në prag të Superkupës. E në fakt, kjo finale nuk është e largët, pasi gjatë javës së ardhshme, më konkretisht më 19 gusht, kryeqytetasit do të përballen me Skënderbeun. Bardheblutë si fitues të kupës dhe korçarët të kampionatit, do të luajnë me njëri-tjetrin për të fituar këtë trofe. Sfida do të zhvillohet në “Qemal Stafa”, të paktën këto janë informacionet e para, megjithatë detaje më të sakta do të jepen në ditët e ardhshme.
ADELA MERKO

FLAMURTARI
Muzaka zyrtarizohet, Gjika: Dua titullin!

Gjergji Muzaka është zyrtarisht i Flamurtarit. Presidenti Shpëtim Gjika konfirmoi për “Panorama Sport” blerjen e mesfushorit. Ish-lojtari i Skënderbeut mund të quhet pa dyshim si goditja më e bujshme në këtë merkato për kuqezinjtë. “Muzaka firmosi për një vit me klubin tonë”, – tha dje në drekë presidenti i Flamurtarit. Ky i fundit nuk e fshehu gëzimin për blerjen e një lojtari si Muzaka, edhe pse pak ditë më parë kishte paralajmëruar se merkatoja e Flamurtarit do mbyllej me Vukçeviçin dhe Bratiçin.
Gjika – “Jam i kënaqur që më në fund po ju jap në mënyrë zyrtare lajmin se Gjergji Muzaka do të jetë pjesë e Flamurtarit. Këtë kënaqësi unë e ndaj edhe me sportdashësit vlonjatë. Tashmë gjithçka është mbyllur për ne. Muzaka zgjodhi Flamurtarin pas ofertës sonë dhe diskutimeve që patëm me të. Nuk ka rëndësi se sa na kushtoi, pasi ne përpiqemi të ndërtojmë një skuadër për të luajtur futboll në radhë të parë, pastaj për të tjerat. Nuk mund të bëj më shumë komente rreth lojtarit, pasi të gjithë i njohin cilësitë e tij. Me afrimin e tij, Flamurtari mbyll zyrtarisht merkaton e verës. Klubi është treguar mjaft i kujdesshëm në këtë merkato. Me bindje të plotë, por edhe ju mund ta konstatoni, që është ruajtur grupi. Një pjesë të mirë të lojtarëve ne i kemi pasur edhe sezonin e kaluar. Tani duhet të arrijmë objektivat. Sa i takon titullit kampion, mendoj se është herët për të folur, pasi skuadrat janë ende në përgatitje e sipër. Por, nëse Flamurtari nuk e fiton këtë titull, kjo nuk do të thotë asgjë. E rëndësishme është që të jemi dinjitozë dhe të luajmë futboll të bukur, që i argëton të gjithë”,- deklaroi Gjika.
“Telenovela” – Transferimi i Muzakës u kthye në një “telenovelë”. Teksa mendohej se lojtari do të firmoste për Levadhiakosin në Greqi, situata ndryshoi në momentet e fundit. Pas telefonatave të shpeshta mes Muzakës, menaxherit të tij dhe drejtuesve vlonjatë, u arrit akordi për 105 milionë lekë në sezon. Lojtari ka pasur ofertë edhe nga Skënderbeu, skuadra ku mbylli sezonin, por me një klauzolë ku do t’i mbahej 30% e kontratës nëse ekipi nuk shpallej kampion. Po ashtu edhe Tirana i ofroi 60 mijë euro, por as kjo nuk e bindi shumë lojtarin. Në këto kushte, oferta e Flamurtarit ka qenë e parefuzueshme për mesfushorin. Pritet që Muzaka të prezantohet sot zyrtarisht në Vlorë, pasi dje presidenti Gjika udhëtoi drejt Tiranës për të ndjekur miqësoren.

Ja komentet e tifozëve për mesfushorin
Ardhjen e Muzakës te Flamurtari e kanë përshëndetur edhe tifozët vlonjatë. Në rrjetin social në “Facebook”, ultrasit kuqezi shprehen të kënaqur për këtë përforcim. Ata vlerësojnë cilësitë e këtij lojtari, ndërsa i urojnë mirëseardhjen. Por ka edhe nga tifozë, të cilët mendojnë se blerja e një lojtari të tillë me shifrën e 105 milionë lekëve është disi e tepruar. Tashmë tifozët kuqezi presin me padurim fillimin e kampionatit. Sipas konfirmimit që kanë bërë vetë drejtuesit e klubit, mesfushori do të prezantohet sot para mediave si futbollist i kuqezinjve. Pas zyrtarizmit, ai do të zbresë në fushë dhe do të vihet nën urdhrat e trajnerit Shkëlqim Muça.

Ja si ndryshon Flamurtari me Gjergji Muzakën titullar
Ardhja e Gjergji Muzakës pritet të ndryshojë variantin taktik te Flamurtari. Burime pranë stafit teknik bëjnë të ditur për “Panorama Sport” se trajneri Shkëlqim Muça do të bëjë një spostim të Rafael Sozës. Si mesfushor i djathtë do të luajë Muzaka, ndërkohë që në rolin e një sulmuesi të mirëfilltë do vendoset Soza. Ky i fundit pritet të jetë “partneri” i Memellit. Në fakt, këtë variant trajneri kuqezi e ka provuar në miqësoren ndaj Himarës. Vendosja e Sozës më pranë Memellit funksionoi më së miri, pasi gjatë miqësores me Himarën kjo dyshe shënoi tre gola në një hark të shkurtër kohor. Me Muzakën në krahun e djathtë të mesfushës dhe malazezin Vukçeviç në të majtë, Flamurtari bëhet një skuadër supersulmuese. Të dy lojtarët e krahut janë thuajse si sulmues të maskuar. Nga ana tjetër, edhe qendra duket e blinduar. Përveç Lenës, i cili është e sigurt se do të jetë titullar, nuk dihet se çfarë do të bëjë trajneri Muça me mesfushorin tjetër që do të luajë në rolin e shkatërruesit. Kroatët Pezo dhe Bratiç do të luftojnë për një fanellë titullari. Nga ana tjetër, mbrojtja duket e sigurt me katërshen: Arbri, Rajoviç, Veliu dhe Mici. Në stol alternativat nuk mungojnë.

Muça do afrime të tjera: Dua të dubloj krahët e mbrojtjes
Shkëlqim Muça ka pasur rezerva për ekipin e tij në këtë miqësore, mirëpo teksa pyetet për mediat ai nuk e bën dramë. Për teknikun, këto teste për këtë vlejnë, që të shohësh se çfarë formë po kalojnë lojtarët dhe çfarë çalon në ekip. Mirëpo edhe pas blerjes së Muzakës, trajneri pret ende nga merkatoja. Ai e thotë hapur se ka nevojë për të dubluar krahët e mbrojtjes, pasi do që t’i paraprijë të keqes në rast dëmtimesh. “Ishte një miqësore që na shërbeu për të parë ku jemi dhe çfarë çalon. Kemi probleme me harmonizimin, pasi kemi lojtarë të rinj. Madje sulmi shfaq probleme, pasi janë të ardhur së fundmi. Shpresoj që të marrin veten në vazhdimësi, megjithatë edhe lodhja ndikoi, pasi kjo ka qenë periudhë e ngarkuar. Vukçeviç është cilësor, por do kohë që të vijë në formën e duhur. Memelli që do shërbim të shokëve, i duhet punë nga krahët. Sa i përket Pepës, e shoh të lodhur. Megjithatë, me Muzakën nuk mbyllet merkatoja. Kemi nevojë për dublime, sidomos nga krahët e mbrojtjes”, – tha trajneri fillimisht. I pyetur se çfarë do ndryshojë me ardhjen e Muzakës dhe a pritet të ulet në stol Soza, përgjigjet: “Nuk bëhet fjalë vetëm për Sozën, por për gjithkënd. Në fushë do të zbresin ata që e meritojnë dhe që do i përshtaten më mirë lojës. Titulli është objektiv pa diskutim dhe për këtë po përgatitemi. Por në luftë nuk jemi vetëm ne, por edhe për 4-5 skuadra të tjera. Tirana është më e favorizuar, pasi është ekip i bërë prej kohësh dhe janë më të alternuar”.
ERMAL SIKA