“Zborit” të De Biazit pritet t’i shtohet Erjon Dushku i Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2012 | 14:00

“Zborit” të De Biazit pritet t’i shtohet Erjon Dushku i Tiranës

Lista me 23 lojtarë, e bërë publike prej disa ditësh nga FSHF-ja për zborin që do të zhvillojnë elementët e spikatur nga kampionati shqiptar, nën drejtimin e trajnerit të ri të kombëtares, italianit De Biazi, pritet të bëhet me 24 persona. Sepse në të do të shtohet edhe emri i mbrojtësit lezhjan të Tiranës, Erjon Dushku. Një gjë të tillë e kanë bërë të ditur burime brenda FSHF-së, që kanë pranuar gabimin e bërë me lënien jashtë të këtij lojtari të spikatur prej dy vitesh në radhët e bardhebluve, aq më tepër që luan në një pozicion, ku kombëtarja jonë kuqezi ka shumë nevojë për alternative. Zbori disaditor ishte planifikuar filimisht të zhvillohej në Turqi, por më pas u ndryshua vendim, kështu që do të kryhet në Shqipëri. Ky do të jetë rasti i parë për trajnerin e ri të kombëtares, italianin De Biazi, që të veshë tutat kuqezi dhe të vëzhgojë “mallin” më të mirë që ka kampionati ynë kombëtar. Grumbullimi do të nisë më 21 janar në Durrës dhe italiani do të ketë 23 futbollistët më të spikatur të kampionatit. Listën De Biazit ia kanë bërë zyrtarët e FSHF-së, më konkretisht drejtoria teknike e ekipeve përfaqësuese. Në listë bie në sy numri i madh i mesfushorëve (12 të tillë) dhe numri i pakët i mbrojtësve (5) ose i sulmuesve (3). E çuditshme që Muzaka dhe G.Lika ftohen në një zbor si ky, duke qenë se ata nuk kanë se çfarë të tregojnë më, pasi janë prej vitesh pjesë e skuadrës përfaqësuese. Në vend të tyre, fare mirë mund të ishte edhe Jetmir Sefa, që luan te Kastrioti. Trajneri De Biazi po përpiqet të monitorojë sa më shpejt lojtarët vendës, me qëllim që të zgjerojë listën e futbollistëve të Kombëtares shqiptare. Ishtrajneri i kuqezinjve, Josip Kuzhe, pranoi se gaboi që u bazua tek një numër i vogël futbollistësh, ndaj i ka sugjeruar trajnerit të ri të Shqipërisë që të jetë më i kujdesshëm. “De Biazi duhet patjetër që të krijojë një grup me 30 futbollistë, pasi kështu do të ketë më tepër alternativa në dispozicion, kur të dëmtohen apo pezullohen lojtarë të rëndësishëm. Unë nuk arrita ta bëj dot një gjë të tillë”, pat thënë Kuzhe.

LOJTARËT QË DO TË GRUMBULLOHEN
PORTIERË
Orges Shehi  (Skënderbeu)
Stivi Frashëri  (Bylisi)
Shpëtim Moçka  (Flamurtari)
MBROJTËS
Tefik Osmani  (Teuta)
Franc Veliu  (Flamurtari)
Renato Arapi  (Skënderbeu)
Dritan Smajli  (Vllaznia)
Shaqir Stafa  (Teuta)
Erjon Dushku (Tirana)
MESFUSHORË
Albi Dosti  (Teuta)
Renato Hyshmeri  (Teuta)
Ansi Nika  (Teuta)
Bruno Telushi  (Flamurtari)
Gerhard Progni  (Flamurtari)
Ndriçim Shtubina  (Flamurtari)
Gentian Manuka  (Kamza)
Gjergji Muzaka  (Skënderbeu)
Erando Karabeci  (Skënderbeu)
Afrim Taku  (Tirana)
Gilman Lika  (Tirana)
Armando Vajushi  (Liteks)
SULMUES
Mirel Çota  (Teuta)
Vilfor Hysa  (Flamurtari)
Bekim Balaj  (Tirana)

PROGRAMI I EKIPIT KOMBETAR
21.01 ora 10:00
Nis grumbullimi në hotel ‘Adriatik’
ora 15:00 Stërvitje
22.01 ora 10:00 Stërvitje
ora 15:00 Stërvitje
23.01 ora 15:00 Stërvitje
24.01 ora 10:00 Stërvitje
ora 15:00 Stërvitje
25.01 ora 10:00 Stërvitje