“Zhiru e Leao fajtorë”, Arrigo Saki: Kuqezinjtë duhet të gjejnë vazhdimësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 18:59

“Zhiru e Leao fajtorë”, Arrigo Saki: Kuqezinjtë duhet të gjejnë vazhdimësinë

Revolucionar i futbollit dhe njeriu që vendosi Milanin në hartën e Europës. E kush më mirë se Arrigo Saki mund të analizonte sfidën e sotme kundër Romës që do të luhet në ora 21:00. Gjithçka në një intervistë ekskluzive për “La Gazzetta dello Sport” ku këshillat dhe mendimet për Piolin dhe djemtë e tij nuk kanë munguar.

-800-0-saki

Çfarë problemesh ka Milani në nivel taktik?

Problemi më i madh është mungesa e vazhdimësisë. Skuadra vuan për të lëvizur njëmbëdhjetë lojtarë, sulmuesit shpesh nuk sakrifikojnë veten dhe shmangin kthimin, mesfushorët nuk filtrojnë sepse ekipi është shumë i gjatë dhe repartet janë të largëta. Këtu duhet punuar shumë.

Ju çfarë këshilloni?

Po të shohim kampionatin anglez, vërehet menjëherë sesi në skuadrat më të mira ka bashkëpunim mes fazës mbrojtëse dhe sulmuese, ato janë ‘të shkurtra’. Megjithatë, të mos harrojmë se Pioli fitoi një kampionat me një skuadër jo më të fortë dhe që sot është në vendin e dytë. Këtë sezon ai ka treguar se di të dalë nga një periudhë e komplikuar.

A është e drejtë që të largohet trajneri në bazë të dy ndeshjeve të ardhshme?

Varet nga merkato e më lejoni të shpjegoj. Trajnerët duhet të mësojnë të zgjedhin lojtarët që duan të zhvillojnë idetë e tyre. Nuk e di nëse të gjithë të huajt që mbërritën te Milani verën e kaluar janë zgjedhur së bashku me trajnerin apo në çdo rast me miratimin e tij. Prandaj, nuk do të ishte bujare ta gjykonim për rezultatet e ardhshme nëse ai nuk do të jepte pëlqimin dhe nuk do të mbështeste merkaton. Përndryshe është e qartë, ai do të kishte përgjegjësitë e tij. Në rastin e parë Pioli nuk do të kishte faj dhe po të isha unë president do të shikoja se kush i zgjodhi ata lojtarë. Megjithatë, nëse Pioli ka marrë pjesë në vendime dhe më pas diçka nuk funksionon, fajin e ka edhe ai.

Ju si do të cilësonit Piolin?

E njoh prej kohësh dhe ishte një nga ata takticienë që nuk besonin fort te loja. Gjithashtu mendoj se vitet e fundit është përpjekur të bëhet strateg dhe të propozojë diçka të tijën. Është një diskutim i përgjithshëm: në futboll ka pak strategë dhe shumë takticienë, vetëm vitet e fundit ka lëvizur diçka me dikë që më në fund kërkon të dominojë lojën. Pioli po afrohet me këtë kategori trajnerësh.

Çfarë këshille do t’i jepnit Piolit për ndeshjen me Romën?

Që t’i kërkojë Leaos dhe Zhirusë të ndihmojnë në fazën mbrojtëse më shumë. Futbolli luhet me njëmbëdhjetë lojtarë, kjo është e vështirë për t’u kuptuar. Milani im ishte lartësimi i kolektivit. Nëse një djalë nuk ka një personalitet, duhet pritur pasi mund ta zhvillojë më vonë. Temperamenti, nga ana tjetër, është gjenetik. O e ke ose nuk e ke dhe Rafa duhet marrë kështu. Në këtë mënyrë, megjithatë, Milani ka disa lojtarë që luftojnë për të mbajtur pozicionet e tyre. Zhiru justifikohet për moshën e tij, Leao për temperamentin e tij dhe në fund të ditës mbrojtësit nuk kanë mbulimin e duhur.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"