Xhafaj rinovon kontratën me Teutën edhe për një sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2013 | 13:00

Xhafaj rinovon kontratën me Teutën edhe për një sezon

Xhafaj Daniel dylufton me PishenSulmuesi i njohur i kampionatit shqiptar dhe i Teutës, Daniel Xhafaj, do të vazhdojë karrierën e tij edhe për një tjetër sezon në radhët e durrsakëve. 36-vjeçari ka refuzuar të gjitha ofertat që kanë ardhur në drejtim të tij nga disa klube, duke vendosur të pranojë ofertën e bërë nga presidenti Hasanbelliu. Një gjë të tillë e konfirmon vetë futbollisti, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” është shprehur: “Pranova të isha edhe për një tjetër sezon pjesë e Teutës, pasi këtu ndihem shumë mirë. Kemi kaluar një sezon të mrekullueshëm dhe arritëm të ishim në Europë, pavarësisht se aty nuk u përfaqësuam në mënyrën më të mirë. Sezonin tjetër na presin sfida të reja”, ka deklaruar vlonjati, i cili ka provuar të luajë me të gjitha klubet elitare në vendin tonë dhe dy sezone më parë është shpallur kampion me Skënderbeun. Gjatë sezonit të kaluar me Teutën, Xhafaj ka qenë një pikë e fortë në sulm, madje ka arritur të shënojë edhe 10 gola, pasi për disa javë nuk është aktivizuar për shkak dëmtimi. Ofertat – Partizani ishte ekipi i parë që shfaqi interes për të marrë shërbimet e Daniel Xhafës, i cili ishte i lirë nga të gjitha detyrimet me Teutën, për shkak se kontrata i përfundonte me fundin e përfaqësimit të durrsakëve në Kupat e Europës. Edhe pse drejtuesit e kuq nuk e pranuan asnjëherë publikisht ofertën në drejtim të lojtarit, kontaktet kishin nisur. Eksperienca e tij në kampionatit shqiptar i jepte përparësi Xhafës, krahasuar me alternativat e tjera që të kuqtë kishin për sulmin. Megjithatë, lojtari nuk preferoi të ndërronte ambient edhe për një tjetër vit, duke refuzuar në këtë mënyrë të gjitha ofertat në drejtim të tij, pasi për shërbimet e futbollistit ishin interesuar edhe një sërë klubesh të tjera. Tashmë trajneri Magani për sezonin e ardhshëm do të jetë më i qetë sa i përket repartit të avancuar, pasi nuk do të ketë largime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"