Vllaznia 2021?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2020 | 23:21

Vllaznia 2021?

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Kështu pra, jo Vllaznia 2001, kur ka qenë për herë të fundit kampione e Shqipërisë. Është 20 vjet më parë. Shumë! Madje shumë, shumë! Ndonëse tash, në këtë 2020 apo prag 2021-shi, krejt papritmas, mbas 11 javësh kampionat, ajo kryeson me bukur 6 pikë epërsi. E, ky është një lloj kryesimi kampionësh, ndonëse edhe mund të mos jetë, megjithatë. Sepse, kur kujtoj javën 11 të kampionatit të fituar prej saj, atë 2000-2001, Vllaznia zinte vendin e tretë me plot 4 pikë larg SK Tiranës dhe Dinamos kryesuese. Madje, në përfundim të periudhës së parë (fazës) të kampionatit, Vllaznia ishte edhe më larg, plot 5 pikë. Mandej, shpërthimi i saj në 13 ndeshje radhazi me 10 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje. Dhe doemos kampione e Shqipërisë me 2 pikë mbi SK Tiranën dhe 4 mbi Dinamon. E mandej? Mandej, plot 20 vjet heshtje.

Ndërsa tash kryesuese me 6 pikë mbi të dytën, 8 pikë mbi të tretën, 9 pikë mbi të pestën dhe 10 pikë mbi rivalen e saj të “dy shekujve” SportKlub Tiranën rekordmene. Dhe me çudinë e madhe: plot 19 pikë mbi skuadrën më të mirë shqiptare të dhjetëvjetëshit të fundit që është Skënderbeu i Korçës. E pra, po të më pyesje mua, edhe pse shkodran i vjetër: A më mirë të shpallet kampione Vllaznia e të dalë Skënderbeu i Korçës nga kategoria apo të mos shpallet kampione Vllaznia e të mos dalë Skënderbeu nga kategoria, unë si “mik i madh i skuadrave të rretheve”, siç më “akuzonin” në kohët e regjimit të shkuar, do të thosha: “Më mirë të mos shpallet kampione Vllaznia e Shkodrës e të shpëtojë Skënderbeu i Korçës”. Them se mû këtu qëndron problemi më i mprehtë i kampionatit të sotëm të Shqipërisë të cilin me (ç)organizimet e tij krejt të papranueshme të FSHF, hap mbas hapi ia ka cenuar tejet më të rëndësishmen: qytetarinë e tij të vërtetë.

Një gjë mund të them: Është shpejt për ta menduar Vllazninë kampione të Shqipërisë, por nuk është aspak shpejt për të menduar rënien e Skënderbeut, i cili ndodhet jo pak, por plot 9 pikë larg vendit të 7-të shpëtimtar. Sigurisht, pa harruar se ka edhe 25 javë kampionat… Dhe ja ku dalim te problemi “im” i vjetër: te shtimi urgjent i skuadrave. Sigurisht, nëse keni dhimbje për Vlorën e Elbasanin, për Kavajën e Beratin, për Gjirokastrën e Lushnjën. E pse jo, edhe për Dinamon që është histori e pashlyeshme e kampionatit të Shqipërisë. Ata që e kanë çuar deri në këtë gjendje gjeopolitikën e kampionatit të Shqipërisë, më vonë historia e tij as nuk do t’i përmendë. Nëse ende nuk e kanë kuptuar këtë, të shkretët ata!… Dhe i kthehemi Vllaznisë befasuese 2020 a 2021. 11 ndeshje, 8 fitore, 1 barazim, 2 humbje, golat 20-8! Dhe 5-1 Skënderbeut tonë të famshëm! Kjo, pra, është Vllaznia për të cilën trajneri gjermano-kroat, Tomas Brdariç, nuk pranon aspak që të thotë se skuadra synon titullin. Kjo është baraspesha e disiplinës që po e quaj “parashikuese gjermane”, që nuk pranon fluturimet e nxituara në qiell, por që mbi gjithçka kërkon mbështetjen me këmbët në tokë e me mendtë në krye. Interesant! Gjithnjë, sidomos në TV, sundojnë biseda të tjera: “Tirana, Partizani, Kukësi” – treshja “e re” e skuadrave të kryeqytetit, sepse KF Kukësi veç emrin ka Kukës, ngaqë në mos gaboj, ka vite që jeton në Tiranë. Kjo është një tjetër e metë e gazetarisë sonë televizive, që si dikur nuk sheh fort tej mjedisit të kryeqytetit. Për fat, kështu ka qenë gati përherë.

Vllaznia festa e golit

E në Shkodër këtë e quanin ngacmim. Mirëpo: “Mos gabo shkodranët me i ngâ se nuk të lanë uha pa të la”, siç ka pasë thënë Fishta me humor. Ndonëse, në fund të fundit, edhe fort faj nuk mund t’u vësh. Përderisa Vllaznia vitin që shkoi u rendit vetëm e 8-ta apo që vetëm një vit më parë luante në Kategorinë II dhe kur po larg, para 11 vjetëve (2009) ishte nënkampione e Shqipërisë. Gati e harruar. E tash? Brdariç, Zogoviç, Gurishta, Adili, Imami, Isaevski, Krymi, H.Marku, Kruja, Imeri, A.Hoxhaj, Jonuzi, Dilaver, Dunga, Da Silva. Sa për të përmendur ata që po mbajnë peshën më të madhe të skuadrës. I njoh shumë pak të gjithë këta. Nuk kanë qenë ndonjëherë protagonistë të kampionatit të Shqipërisë të viteve të fundit. Por përmes televizionit që transmeton ndeshjet, deri diku kam arritur të kuptoj lojën e tyre nën fanellën e kësaj Vllaznie. Dhe për çudi më ngjan jo pak me stilin saj të vjetër: kolektivitet, harmoni, futboll teknik dhe i shtruar, qetësi, befasi, kryeultësi e jashtme që nga ndeshja në ndeshje, aty këtu, shfaq një personalitet që megjithatë, nuk guxoj ta quaj si i dikurshmi. Ngaqë kjo nuk është Vllaznia e Loro Boriçit, Muc Koxhjes, Preng Gjeloshit, Bimo Fakjes, Xhelal Jukës, Muhamet Dibrës, Pal Mirashit e Dod Tahirit të viteve ’40.

Doemos nuk është as Vllaznia e treshes magjike R.Rragami – Zhega – Bizi. Madje, nuk është as Vllaznia – kampione e vitit 2001 e kryetarit të saj të paharrueshëm Myftar Çela, trajnerit Dervish Haxhiosmanoviç dhe e futbollistëve Osja, L.Zmijani, Beqiri, Belisha, D.Bylykbashi, K.Duro, Djokoviç, O.Osmani, Krstajiç, Patushi, Lici. E mbi të gjithë, ajo nuk është Vllaznia e Vioresin Sinanit dhe e Edi Martinit. Edhe në këtë rast përmenda emrat e atyre kampionëve të 20 vjetëve më parë të cilët luajtën rolet kryesore. Në fund të fundit, ajo ka qenë një Vllazni e cila ka pasë plot 16 lojtarë shkodranë. E them këtë sepse sot për herë të parë në histori kemi një Vllazni që në 20 lojtarët e deritashëm ka vetëm 6 djem shkodranë, madje titullarë vetëm katër: Gurishta, Krymi, Kruja, Kalaja. Ngaqë, dy të tjerët, Çoba e Lekaj, sapo e kanë prekur fushën e blertë të Vllaznisë së parë. Janë 20-vjeçarë e kjo të gëzon fort. Për këtë përbërje të sotme “jo fort shkodrane” unë them se ka luajtur boshti i rrotës së historisë së futbollit të Shkodrës. Absolutisht, kjo Vllazni është hera e parë që shfaqet nën fanellën e Vllaznisë. Kjo është risia e saj më e madhe. Kur risi po të madhe paraqet vetë drejtimi i saj i ri prej një figure të re, siç është kryetari i saj, Alban Xhaferi, njeriu i cili ka pasë guximin ta marrë skuadrën në këtë kohë që dukej si më e vështira në historinë e saj.

Ma do mendja se të gjitha këto mbeten për një përimtim të mëvonshëm. E rëndësishme është se kampionati kombëtar i Shqipërisë, mbas 20 vjetëve kryesohet prej Vllaznisë e cila gjithsesi është e Shkodrës, përfaqëson Shkodrën, don të fitojë për Shkodrën e qytetarinë e saj. Sigurisht ajo nuk është një Vllazni “gjermanike”. Ndoshta po përpiqet të marrë sadopak nga stili fitimtar “gjermanik” i një Tomas Brdariçi, i cili ndoshta nuk e di se Gjermania e tij (pa harruar Kroacinë e tij) tifozët më të shumtë në Shqipëri i ka pasë pikërisht në Shkodër. Tomas Brdariç ka luajtur 8 ndeshje me Gjermaninë dhe në 5 prej tyre ka qenë fitimtar. Një herë, në 1997, ai ka luajtur edhe kundër Shqipërisë së 21-vjeçarëve dhe ka fituar 2-0. Me sa duket, Brdariç në vetvete përfaqëson një njeri fitimtar. Por, të mos ngutemi. Drejt me thënë, ende nuk e dimë fort mirë se deri ku do të mbërrijë kjo Vllazni tejet tërheqëse që do t’i përkasë vitit 2021…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"