Vjen Ilion Lika, Magani: Presim edhe 6 të tjerë. Tomiç e Morina, dy dëshira bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2014 | 10:39

Vjen Ilion Lika, Magani: Presim edhe 6 të tjerë. Tomiç e Morina, dy dëshira bardheblu

ilion-lika-me-kupen-e-59-frediTirana e nis merkaton me blindimin e portës. Afrimi i parë për bardheblutë për 2014-ën është pikërisht Ilion Lika. Donatorët Halili e Morina, pas bisedimeve intensive me drejtuesit e Kastriotit, u kanë marrë këtyre të fundit kartonin e lojtarit. Tashmë e vetmja gjë që ka mbetur është hedhja e firmës mbi kontratë, pasi gjithçka tjetër është mbyllur. Futbollisti do të rikthehet në kryeqytet pas një shkëputjeje jo shumë të gjatë dhe nga janari do të jetë ai numri një i portës. Burime pranë kryeqytetasve zbulojnë se lojtari do të nënshkruajë një marrëveshje 6-mujore, por me mundësi rinovimi. Sakaq, një tjetër detaj që zbulohet lidhet me borxhin prej 50 milionë lekësh që klubi i ka Likës pas gjyqit të fituar nga ky i fundit. Ato parà nuk do të përfshihen në kontratë, por do të jenë detyrim që i takon pikërisht klubit që të mbulojë faturën. Kujtojmë që Lika shpalli “divorcin” me Tiranën pas mosmarrëveshjeve me ish-trajnerin Nevil Dede. Ardhja në drejtim e dyshes Halili-Morina dhe largimi i Dedes konkretizoi edhe rikthimin në “shtëpi” të gardianit. Ai është blerja e parë për Tiranën, por jo e fundit, duke qenë se priten edhe 6 të tjerë. Gjë që e konfirmon edhe trajneri.
Trajneri Gugash Magani i ka idetë e qarta për Tiranën e tij. Trajneri i bardhebluve ka punuar ndjeshëm gjatë ditëve të para të vitit, ndaj beson se shpejt skuadra e tij do të kompletohet. Në prononcimin e parë për “Panorama Sport” për 2014-ën, tekniku sqaron merkaton, duke filluar nga afrimet, por nuk nguron që të prekë edhe temën e largimeve. Ndonëse shfaqet i rezervuar, duke mos përmendur emra. “Kanë qenë ditë intensive, dhe lëvizja e parë që është bërë është rikthimi i Ilion Likës. Me të porta tani u sigurua. Megjithatë nuk do të mbetet me kaq, pasi me rinisjen e përgatitjeve do të na bashkohen edhe tre të huaj. Drejtuesit më kanë njoftuar se u janë prerë biletat, dhe nga DVD-të që kam parë, ata duken interesantë. Sidoqoftë, më mirë do i shohim nga afër. Bëhet fjalë për një sulmues pykë, një mesfushor krahu me tipare ofensive, si dhe një organizator. Në total do të bëhen 6 afrime. Shpresojmë që ato të mbyllen para datës 8, që të kemi mundësi të bëjmë fazë përgatitore jashtë vendit. Pikërisht ky është synimi im, që ta nis fazën me kontingjentin e plotë. Nëse nuk ia dalim në kohë, atëherë do të qëndrojmë në Shqipëri”, – tha Magani.
Grupi Do të ketë pa dyshim edhe largime. Bëhet fjalë për lojtarë që nuk kanë gjetur fort hapësira gjatë pjesës së parë të këtij edicioni. Këtë e pranon edhe vetë trajneri, i cili sqaron se shpejt do të zbulohet edhe lista. “Të hënën nisim punën dhe aty do mësohen edhe largimet. Megjithatë nuk dua të them emra, pasi nuk do ishte mirë në këtë moment. Ne synojmë ta përforcojmë grupin dhe më pas të konkretizojmë edhe ndonjë firo”, – përfundoi Magani.

Dy brazilianë për Tiranën, të hënën dalin në stërvitje
Te Tirana do të mbërrijnë sot dy brazilianë, pasi klubi ka arritur akordin me menaxherët e futbollistëve nga vendi i sambës. Leandro dhe Fortunato do i nënshtrohen një prove te bardheblutë. Atyre u janë prerë biletat e avionit dhe pritet që sot të mbërrijnë në tokën shqiptare, ndërsa nesër të nisin stërvitjen me grupin. I pari është Leandro Matias Moris, lojtar i lakuar që prej muajit dhjetor te Tirana. Nga të dhënat rezulton se ka një CV realisht të pasur, ndonëse përvojat e tij të vetme i ka në vendin e tij, pra në Brazil. Ai ka luajtur me skuadra si Imperatis, Takuaritinga, Tabao da Serra, Rio Branko-SP, EC Guarani dhe së fundmi është pjesë e Alto Acres. Ky futbollist luan si organizator dhe konsiderohet si një alternativë e mirë për kryeqytetasit. Megjithatë, fillimisht do të vëzhgohet dhe më pas, nëse bind, do të hedhë edhe firmën mbi kontratë. Prioritet do të ketë edhe sulmi. Duke ditur krizën e këtij reparti, teksa në 16 javë u shënuan vetëm 6 gola, kjo ka bërë që drejtuesit të vihen në kërkim të një “makinerie” golash. Duke qenë se vendi nuk ofron lojtarë të tillë, sytë janë hedhur edhe jashtë Shqipërisë, e pikërisht në Brazil. Ai quhet Gilberto Fortunato dhe do të mbërrijë sot, bashkë me Leandron. Aktualisht sulmuesi 26-vjeçar luan në Vietnam për Hai Phong. Nëse është i duhuri apo jo, kjo mbetet për t’u parë.

Tomiç e Morina, dy dëshira bardheblu
Zejlko Tomiç vazhdon të jetë një dëshirë e Tiranës. Prej kohësh ai ka qenë në planet e bardhebluve, madje ka pasur edhe kontakte me të, por kontrata që futbollisti ka me klubin korçar është një problem më vete. Gjasat janë që drejtuesit e Skënderbeut të mos e lënë të lirë mesfushorin kroat, pasi ai është në planet e trajnerit Mirel Josa. Në kushte të tilla, kryeqytetasit do e kenë të pamundur për ta bërë të tyrin. E njëjta situatë është edhe me Mario Morinën. Sulmuesi ka dëshirë të rikthehet bardheblu, por marrëveshja e nënshkruar me bardhekuqtë i mbyll çdo rrugë. Bisedimet vazhdojnë me Fagun, Gvozdenoviç, Bjelkanoviç, Mihanin, G.Likën, Cankën, Izuçukun, Popoviç, Memellin dhe Salihin.

“Klubi nuk do largojë askënd”
Krenar Alimehmeti sqaron se klubi nuk do të largojë askënd me forcë nga Tirana, por as nuk do të mbajë lojtarë me zor. Për gazetën, ai tregon se drejtuesit kanë punuar shumë gjatë këtyre ditëve dhe i vetmi afrim i konfirmuar është Ilion Lika. “Portieri Lika është afrimi ynë i parë zyrtar. Ka mbetur vetëm firma, megjithatë është vetëm formalitet. Jemi në bisedime edhe me emra të tjerë, por nuk mund të bëjmë asgjë publike, sepse nuk do të ishte etike. Vetëm kur të ketë zyrtarizime, atëherë po do t’i bëjmë me dije. Sa u përket largimeve, edhe do të ketë, por ne nuk do heqim askënd me forcë. Gjithashtu, nëse do të ketë nga ata që do duan ta prishin kontratën, si në rastin e të huajve, ne jemi të hapur për të biseduar”, – tha administratori i bardhebluve.

Lojtarët, stërvitje individuale
Nuk kanë zgjatur shumë pushimet për futbollistët e Tiranës. Bardheblutë, edhe pse nuk e kanë nisur zyrtarisht punën, po stërviten në mënyrë individuale, sikundër i ka udhëzuar edhe trajneri Gugash Magani. Ky i fundit u dorëzoi një program treditor futbollistëve, të cilët ishin të detyruar që ta zbatonin. Të premten, të shtunën dhe të dielën, pra edhe sot, kishin për detyrë që të përgatiteshin për 80 minuta në ditë. E gjitha do u shërbejë për të mos shtuar në peshë, me qëllim që kur të nisin stërvitjen me grupin nesër të jenë në tonus dhe të përballojnë ngarkesat. Nesër në orën 14:00 ekipi do të zhvillojë seancën e parë zyrtare për këtë vit të ri.

Ja plani për fazën përgatitore
Pritet që zyrtarizimet e radhës për Tiranën të ndodhin brenda javës së dytë të vitit, kur mendohet se drejtuesit mund të konfirmojnë edhe disa blerje. Bisedimet vazhdojnë, teksa emrat e lakuar deri më tani kanë qenë të shumtë. Afrimet synohen nga mbrojtja në sulm, pas blindimit të portës. Gjasat janë që të afrohen 5 ose 6 lojtarë (katër prej të cilëve me pasaportë shqiptare, ndërsa dy të tjerë të huaj). Megjithatë, kushti për zhvillimin e fazës përgatitore në Turqi lidhet pikërisht me kompletimin e grupit. Nëse deri në datën 8 skuadra do të jetë përforcuar, atëherë do të niset, në të kundërt do e zhvillojë në Shqipëri.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"