Vila: Goli për trajnerin dhe tifozët e kuq. Duro: Kësaj radhe fati ishte me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2014 | 9:05

Vila: Goli për trajnerin dhe tifozët e kuq. Duro: Kësaj radhe fati ishte me Partizanin

Partizani-Skenderbeu 1-0, te kuqte gezojne me stafinEmiljano Vila, me golin e tij nga pika e bardhë e penalltisë, i dhuroi Partizanit fitoren e parë. Durrsaku shpreson se kjo është pika e kthesës për atë dhe Partizanin. Golin ia dedikon trajnerit Duro dhe tifozëve të kuq. “Ishte një ndeshje e vlerësuar mjaft nga ana jonë dhe them se zhvilluam një lojë të mirë dhe me pak fat në fund, me anë të një penalltie, arritëm të fitojmë takimin dhe të merrnim tripikëshin. Në këto tri javë kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe na ka munguar vetëm rezultati. Tani besoj se jemi në rrugën e duhur, kemi shumë ndeshje përpara. Është java e tretë dhe shpresoj se me këtë gol fitoreje ndaj Skënderbeut, të jetë kthesa e Partizanit dhe unë personalisht të jem çliruar dhe të shënoj sa më shumë. Ashtu siç presin të gjithë nga unë, edhe personalisht pres më shumë nga vetja”, tha Vila në fillim.
Dedikimi – Pas shënimit, Vila vrapoi drejt pankinës ku edhe përqafoi trajnerin Duro. “Që në moshën 10-vjeçare kam punuar me profesor Shpëtimin dhe ai ka qenë personi që ka këmbëngulur më shumë që unë të jem pjesë e këtij ekipi. Kështu që edhe goli shkon për atë. Këtë gol ua dedikoj gjithë tifozëve të Partizanit, të cilët na kanë mbështetur edhe në Fier, ndonëse ekipi u mund. Ata na përkrahin kudo dhe goli është dedikimi im special për tifozët e kuq”, u shpreh Emiljano Vila pas ndeshjes me Skënderbeun.

Duro ShpetimDuro: Kësaj radhe fati ishte me Partizanin
Trajneri Duro është shfaqur i kënaqur pas fitores me Skënderbeun dhe pranoi se patën edhe fat. “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse kampionati është i paparashikueshëm. Ekipi im ka luajtur shumë mirë në transfertat e luajtura dhe vetëm episodet na kanë dëmtuar. Kështu që kisha besim tek organika e skuadrës. Ky është një kampionat ku do të ketë suksese dhe disfata. E rëndësishme është që në fundin e kampionatit të arrijmë objektivat që kemi. Luajtëm një ndeshje ndaj një kundërshtari që kishte përparësi psikologjike në krahasim me Partizanin. U desh një lojë shumë e kujdesshme ndaj një kundërshtari të tillë. Skënderbeu luajti kujdesshëm ndaj nesh, pasi ata e dinin forcën tonë. Ne ishim më dominues ndaj Skënderbeut gjatë gjithë ndeshjes. Me futjen e Raçiç dhe të Fazliut skuadra mori një frymëmarrje tjetër. Ashtu sikurse ishim dënuar me fatin në ndeshjet e tjera, tashmë fati ishte edhe në anën tonë. Unë jam shumë i kënaqur me ekipin pasi kemi mundur një skuadër shumë të fortë që tregon se ekipi ka potencë, megjithëse është një skuadër shumë e re. E kam thënë edhe më parë që nuk ka ekip që mund të na dominojë në fushën e lojës, gjë që e treguam edhe sot (dje)”, u shpreh Duro.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"