VIDEO / Pejiç mposht Laçin, Kukësi i përgjigjet Partizanit (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 17:22

VIDEO / Pejiç mposht Laçin, Kukësi i përgjigjet Partizanit (VIDEO)

Kukësi nuk gabon në garën për titull, duke mposhtur 2-1 në shtëpi Laçin në javën e 31-të të kategorisë Superiore.

Në “Zeqir Ymeri”, vendasve iu desh të djersinin për të marrë tri pikë të arta, që marrin vlerë të madhe pas fitores së djeshme të Partizanit në derbi.

Pero Pejiç ishte edhe sot njeriu i suksesit për ekipin e Ernest Gjokës, me të dy golat që mbajnë firmën e tij. Sulmuesi kroat zhbllokoi ndeshjen pak sekonda para pushimit dhe riktheu vendasit në epërsi 2-1 në të 53-n, pasi Jonuzi kishte barazuar dy minuta nga fillimi i pjesës së dytë pas një gabimi të Albi Allës.

Fitorja i rikthen të besuarit e Gjokës në krye me pikë të barabarta me Partizanin (65), ndaj përballja direkte e javës së ardhshme pritet të përcaktojë shumëçka në fatet e titullit.

Kukesi - Laci

Komenti minutë pas minute

90+4′ Përfundon ndeshja në “Zeqir Ymeri”, Kukësi mund Laçin 2-1.

90+1′ Më në fund Stavri Nica kryen ndërrimin e parë. Jashtë loje autori i golit, Lonuzi, në fushë Shala.

86′ Kukësi e mbyll me ndërrimet, me Lukas Rangelin që zë vendin e Matija Dvornekoviçit. Ndërkohë, te Laçi nuk ka ende asnjë lëvizje.

73′ Ritmi i lojës bie disi, edhe për shkak të faullave të shumtë. Në një të tillë mbetet i dëmtuar Izair Emili, i cili detyrohet t’i lërë vendin Sindri Gurit.

60′ E pabesueshme çfarë mundësie shpërdoron skuadra udhëtuese! Emanuel Mensah shfaqet i vetëm para Koliçit, të cilin provon ta driblojë në zonë. Por nga prapa i ndërhyn Besar Musolli, që ia heq topin nga këmba. Laçi proteston për penallti, por për Kridens Metën është vetëm goditje nga këndi.

56′ Ernest Gjoka bën lëvizjen e parë nga stoli duke futur Nijas Lenën në vend të Kales. Zhan Karioka zhvendoset në të majtë të mesfushës, për t’ia lënë Lenës vendin në qendër.

53′ GOL! Kukësi rikthehet në epërsi. Shënon sërish Pejiç, kësaj radhe duke shfrytëzuar një pasim të Elton Kales nga e majta. Pasi i shpëton përsëri mbulimit të mbrojtjes kurbinase, kroati mposht Vatën për të dytën herë me golin e 20-të sezonal.

47′ GOL! Barazon Laçi. Kuksiani Fjoart Jonuzi rikthen baraspeshën menjëherë pas rifillimit të lojës pas pushimit, pas një gabimi të Albi Allës.

46′ Pjesa e dytë nis me të njëjtat formacione që e mbyllën të parën.

Pjesa e parë

45+3′ Me epërsinë e vendasve mbyllet fraksioni i parë i lojës.

45+2′ GOL! Kukësi kalon përpara. I zakonshmi Pero Pejiç merr një pasim të saktë nga mesfusha dhe, pasi e kontrollon topin mes dy mbrojtësve kundërshtarë, mposht portierin Elton Vata me golin e 19-të në këtë sezon.

44′ Pejiç shpërdoron një mundësi të mirë për të kaluar Kukësin në avantazh. Sulmuesi kroat shfaqet para portierit Vata, i cili vesh petkun e shpëtimtarit duke i mohuar golin bomberit shtatlartë.

39′ Laçi i afrohet kërcënueshëm portës së Enea Koliçit me topa të lartë pas shpinës së mbrojtësve. Megjithatë aksionin e ndal flamuri i ngritur i anësorit që sinjalizon për pozicion jashtë loje.

36′ Zhan Karioka i beson të djathtës së tij nga një goditje të lirë prej rreth 35 metrash, por gjuajtja e brazilianit është tërësisht e pasaktë dhe shkon larg katërkëndëshit laçian.

28′ Kale tenton me një goditje të rrezikshme nga hyrja e zonës, por topi shkon jashtë mbi traun e portës.

24′ Laçi i afrohet golit pas një goditjeje me kokë të Gjonit, por topi shkon jashtë ngjitur me shtyllën.

16′ Kale shpërdoron një rast të artë teksa gjuan jashtë një top që e gjen zbuluar të vetëm përballë portierit Vata.

16′ Karton i verdhë për Sefgjinin pas një ndërhyrjeje të gabuar.

12′ Koliçi reagon mjaft mirë në dy goditje të rrezikshme njëra pas tjetrës të futbollistëve të Laçit duke larguar topin në goditje këndi.

10′ Karioka ekzekuton një goditje dënimi duke tentuar portën, por topi kontrollohet nga portieri Vata.

10′ Musaj ndëshkohet me karton të verdhë për shkak të një ndërhyrjeje të gabuar.

9′ Musolli ndëshkohet me karton të verdhë për shkak të një goditjeje me bërryl ndaj kundërshtarit..

7′ Laçi krijon një rast mjaft të bukur për shënim, por goditja e rrezikshme e Nikës neutralizohet nga Koliçi i vëmendshëm.

1’ Fillon ndeshja. Laçi luan topin e parë.

kukesi laci

KUKËSI 2 – 1 LAÇI (Pejiç 45+2′, 53′ / Jonuzi 47′)

Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Pashaj, Alla, Imami, Dvornekoviç (Rangel 86′), Musolli, Karioka, Kale (Lena 56′), Emini (Guri 73′), Pejiç
Trajner: Ernest Gjoka

Laçi: Vata, Musaj, Qaqi, Lulaj, Sefgjini, Gjoni, Lushkja, Nika, Jonuzi (Shala 90+1′), Serxhio, Mensah
Trajner: Stavri Nica

Gjyqtar: Kridens Meta

KV: Musolli 9′ / Musaj 10′, Sefgjini 16′

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"