Video / Lulaj shpëton Laçin nga humbja, barazim me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2016 | 14:00

Video / Lulaj shpëton Laçin nga humbja, barazim me Flamurtarin

Laçi dhe Flamurtari kanë ndarë nga një pikë në barazimin 1-1 mes dy skuadrave në fushën e kurbinasve. Dy skuadrat aktualisht gjenden pranë fundit të tabelës së klasifikimit dhe ishin në kërkim të një suksesi për të dalë sa më shpejt nga kriza dhe për t’iu larguar fundit.

laci-flamurtari

Edhe pse vendasit dominuan në pjesën e parë, u goditën nga kundërsulmi i shpejtë i Radoviç i cili dhuroi spektakël me një depërtim në krahun e djathtë. Në të dytën, atëherë kur Laçi dukej i dorëzuar me humbjen, erdhi goli i mbrojtësit të talentuar Bruno Lulaj, i cili ashtu si në ndeshjen e mëparshme ndaj Vllaznisë rezultoi vendimtar me golin e tij duke ndihmuar skuadrën të marrë pikë.

lulaj

Laçi-Flamurtari 1-1

86′ Lulaj / 28′ Radoviç

Laçi: Selmani, Musaj, Qaqi, Lulaj, Shala, Kastrati (51′ Abraham), Lipi, Pinto, Lushkja, Çelhaka, Taubate (59′ Hyseni) (71′ Toska).

Tr: R. Ndreu

Flamurtari: Halilaj, Beqaj, Berisha, Kuqi, Veliu, Zeqiri, Telushi, Shkodra, Radoviç (72′ Galiç), Alvesh, Shehaj.

Tr: G. Mezani

KV: Shala / Zeqiri

Gjyqtar: A. Beqiri

Laci-flamurtari1

Minutë pas minute

90’+3’ Mbyllet në barazim ndeshja në Laç.

90’ Aksione të njëpasnjëshme të skuadrës së Laçit, por pa sukses, pasi tashmë Flamurtari kthehet i plotë në mbrojtje.

86’ Lulaj shpëton Laçin. Ashtu si në Shkodër, futbollisti i talentuar, në vazhdim të një aksioni të gjatë për skuadrën e tij, ka dërguar topin në rrjetën e vlonjatëve. 1-1

79’ Dy mundësi të njëpasnjëshme të Flamurtarit për të shënuar me gjuajtje nga jashtë. Fillimisht Telushi trondit traversën me tentativën e tij e më pas Shkodra përsëri nuk gjen kuadratin e portës së Laçit që duket i dorëzuar plotësisht në këto momente.

77’ Donjet Shkodra provon përsëri nga distanca, këtë radhë gjuajtja e tij përfundon jashtë, në krahun e  majtë të Selmanit i cili kontrollon me qetësi.

72’ Ndryshon edhe Mezini, duke larguar Radoviç, për të aktivizuar të riun Galiç.

71′ Ndreu çudit me lëvizjen e tij të tretë, duke larguar nga fusha Hysenin, e aktivizuar pak minuta më parë, për të hedhur në fushë Toskën.

70′ Shkodra provon me “specialitetin” e tij, gjuajtjet nga distanca, por tentativa e tij përfundon shumë lart mbi traversë.

68′ Aksioni i mirë i Pinto në krahun e majtë por pasimi tij në zonë nuk shfrytëzohet nga Çelhaka.

63′ Ka rënë disi ritmi i lojës në këto momente, me skuadrat të cilat nuk arrijnë të prodhojnë gjuajtje drejt portës, edhe pse ka shumë qarkullim topi pranë zonës sa në njërin krah, ashtu edhe në tjetrin.

54’ Gentjan Selmani shpëton portën duke mbajtur në garë Laçin me një pritje të shkëlqyer. Donjet Shkodra ekzekuton një goditje dënimi ndërsa Kuqi devijon sferën me kokë drejt kryqëzimit të shtyllave në të djathtë të portierit, por ai reagon me një shkëputje spektakolare duke ndalur topin.

51′ Ndreu provon të ndryshojë gjërat duke larguar nga fusha Kastratin dhe aktivizuar Abraham, me detyra më ofensive në krah.

47’ Aksion shumë i mirë i Çelhakës me një shpërthim në krahun e majtë, top në qendër i tij, por Veliu shpëton portën me një largim vendimtar.

46′ Rifillon ndeshja pa ndryshime në radhët e skuadrave

45’+2′ Mbyllet pjesa e parë me një gjuajtje të Lushkjas që bllokohet si zakonisht nga mbrojtja e ngjeshur e Flamurtarit.

45′ Aksion i bukur me shumë pasime i Flamurtarit, i përfunduar me një pasim nga e majta drejt qendrës nga Veliu, por Shkodra nuk arrin të koordinohet për të goditur portën në pozicion ballor.

39’ Dy goditje këndi radhazi për Flamurtarin, por asnjë prej lojtarëve vlonjatë nuk arrijnë të dërgojnë topin në rrjetë

36’ Provon Laçi të ndryshojë situatën pas golit, por Flamurtari mbrohet mirë dhe mban kurbinasit larg portës, sidomos Taubate që ishte lojtari më i rrezikshëm para avantazhit. Vlonjatët luajnë më qetë dhe mundohen të qarkullojnë sa më shumë topin.

28’ Pas disa minutave insistim të Flamurtarit, vjen edhe goli i avantazhit. Radoviç bën spektakël në minutën e 28 me një depërtim në zonë në krahun e djathtë dhe një gjuajtje perfekte që nuk i lë vend për reagim Selmanit. 0-1 për Flamurtarin.

21′ Dy goditje nga këndi radhazi për vendasit, por mbrojtja arrin të largojë rrezikun para portës së Halilajt.

17’ Ka rënë disi rrezikshmëria e skuadrave para portës, me më shumë ndryshime zotërimi në mesfushë. Megjithatë, iniciativa mbetet kryesisht e Laçit, që kërkon të përfitojë nga momenti negativ i Flamurtarit. Ndërsa vlonjatët përqendrohen më shumë te kundërsulmet me pasime të gjata drejt Alvesh.

7’ Fillimisht Çelhaka provon nga jashtë zonës, duke fituar vetëm një goditje nga këndi. Në zhvillimin e saj, Lulaj shfaqet në pozicion të favorshëm por pa gjetur kuadratin.

6’ Radoviç kthen një top interesant në qendër për Alvesh por Selmani kontroll para se topi të mbërrijë në këmbët e sulmuesit të vlonjatëve

4’ Lushkja ka mundësinë të shënojë golin e avantazhit por gjuajtja e tij fluturimthi ndalet nga Beqaj që i bën mur mesfushorit duke shpëtuar portën.

2’ Fillon me ngulm ndeshjen Laçi, Taubate pretendon për një penallti pas një kontakti në zonën e Flamurtarit por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

1 minute heshtje

0′ Një minutë heshtje për të dy skuadrat në nderim të figurave të Safet Berishës dhe Esat Rakiqit që u ndanë nga jeta këtë javë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"