Vendimi i Ksabit, Klop: E kuptoj Alonson, kështu bëra edhe unë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2024 | 10:20

Vendimi i Ksabit, Klop: E kuptoj Alonson, kështu bëra edhe unë

Jyrgen Klop thotë se e kupton vendimin e Ksabi Alonsos për të qëndruar te Bajer Leverkuseni përtej këtij sezoni. Emri i ish-mesfushorit të Liverpulit, ishte i lidhur fort me ish-klubin e tij pas sezonit fantastik që po bën në Gjermani dhe spanjolli ishte kandidati i preferuar i të kuqve për të zëvendësuar Klopin, kur gjermani të largohej në fund të këtij sezoni.

klop

Por Ksabi njoftoi dje se ai planifikon që të qëndrojë tek “aspirinat”, ku ndihet shumë i lumtur dhe i vlerësuar në klub. Dhe Klop, duke folur në konferencën e tij për shtyp përpara ndeshjes së Liverpulit kundër Brajtonit të dielën tha: “Një pjesë për të cilën unë mund të flas është se ai është një menaxher i ri ku po ecën shumë mirë. Unë pata një situatë të ngjashme (te Mainci) dhe bëra pothuajse të njëjtën gjë dhe nuk u pendova kurrë. Ai po bën një punë të jashtëzakonshme atje. Leverkuseni ndoshta do ta mbajë ekipin e tyre të bashkuar. E kuptoj pse ai dëshiron të qëndrojë”. 56-vjeçari shpreson që të rikthejë sa më shumë nga lojtarët e dëmtuar, ndërsa u ndal të komentonte edhe Brajtonin dhe rivalitetin për titull:

“Kemi nevojë që t’i kemi lojtarët tanë sa më shpejt që të jetë e mundur në dispozicion. Djemtë që kthehen nuk kanë kohë të gjejnë përsëri formën e tyre, ata duhet të japin rezultate. Gjithçka për ne fillon nga kundërpresingu. Ne të gjithë e dimë se sa e vështirë është kundër Brajtonit. De Zerbi po bën një punë të pabesueshme atje. Ne ishim kundërshtari i parë i tij dhe nuk e kishim idenë se çfarë të prisnim. Ishte mbresëlënëse se sa shpejt i përcolli ekipit filozofinë e tij dhe që atëherë vetëm janë përmirësuar.

Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur kundër tyre është të kesh topin. Pavarësisht ndeshjes Siti-Arsenal, ne do të luajmë për tri pikët tona. E kemi vendosur veten në një pozicion për të luftuar për gjithçka dhe kjo është ajo që duam të bëjmë. Askush nuk e di se si do të përfundojë, por ne do ta provojmë siç duhet dhe ajo nis të dielën. Këto janë të gjitha finale për ne, por kjo nuk duhet të na nxitojë. Ne duhet t’i luajmë ato si ndeshje normale futbolli”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"