U19/ Partizani super, thyen Vllazninë. Shkodranët pësojnë humbjen e parë pas 8 javësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2020 | 13:09

U19/ Partizani super, thyen Vllazninë. Shkodranët pësojnë humbjen e parë pas 8 javësh

Çarçani hero, dopietë ndaj shkodranëve

Partizani fiton kryendeshjen e javës së tetë ndaj Vllaznisë me shifrat 2-1. Kjo ishte disfata e parë për këtë kampionat e shkodranëve kryesues të Grupit A. Heroi i të kuqve që drejtohen nga Reinaldo Kalari ishte Klei Çarçani, i cili shënoi dy gola, nga një për secilën pjesë. Nga ana tjetër, goli i Muliut për shkodranët vlejti vetëm për statistikë, pasi nuk e shmangu dot humbjen.
Klei Carcani
Fillimi i lojës ishte i ekuilibruar, me shkodranët që kërkuan të imponoheshin, por hasën në rezistencën e të kuqve. Me kalimin e minutave, Partizani arrin të dalë në sulm dhe rrezikojë disa herë portën mike. Në minutën e 37-të, kapiteni Çarçani godet mjaft bukur me të djathtën dhe mposht portierin Kaçaj. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për Partizanin. Me fillimin e pjesës së dytë janë shkodranët që kërkojnë me ngulm barazimin, por mbrojtja e të kuqve është e vendosur mirë. Minuta e 82-të nderon “demat”, pasi Çarçani shënon sërish dhe vulos fitoren e skuadrës së Kalarit/ABDULLA DUSHKU

KLEI CARCANI

Disfatë e Tiranës
Shënkolli ka likuiduar Tiranën, duke fituar me shifrat 2-0 falë golave të Gjokës dhe Daijës. Ka qenë një ndeshje mjaft e fortë, me bardheblutë që drejtoheshin për herë të parë nga trajneri elbasanas, Gentjan Stojku. Diferencën e bënë minutat 44 dhe 51, kur vendësit u treguan të saktë para portës bardheblu, duke shënuar dy gola/ PRENG GJIKOLA
SHENKOLLI TIRANA

Flamurtari bën detyrën
Flamurtari i Fjodor Xhafës fiton ndaj Elbasanit dhe ngjitet në tabelë. Pavarësisht një organike jo të plotë për shkak të grumbullimit të lojtarëve me ekipin e parë, të rinjtë vlonjatë bindën me lojë. Kuqezinjtë e mbyllën historinë e takimit që në pjesën e parë, duke shënuar dy gola me autor Kadriajn dhe Gegajn në minutat 15 dhe 35/ ERMAL SIKA

FLAMURTARI ELBASANI

Shkëndija mposht Dinamon
Shkëndija e Tiranës ka fituar me meritë ndaj Dinamos me shifrat 3-0. Ka qenë një ndeshje e dominuar nga skuadra e Shpendi Kumbarçes. Golat e Klevis Dragajt dhe Rabjon Gogës do ta çojnë skuadrën e mjeshtërisë me shifrat 2-0 në dhomat e zhveshjes. Pas pushimit ka vulosur kapiteni Zuna me penallti. Dinamo u tregua e pafuqishme për të reaguar/ ABDULLA DUSHKU

SHKENDIJA DINAMO

Në Kavajë s’ka fitues
Besa surprizohet nga Akademia e Futbollit, duke mos shkuar më shumë se barazimi 1-1. Kur akoma nuk ishte “ngrohur” loja, miqtë në një aksion pa pretendime fitojnë një 11-metërsh. Godet saktë E.Milla dhe kavajasit befasohen. Më pas Besa ushtron presion të vazhdueshëm në portën mike dhe gjen golin e barazimit me A.Lilën vetëm në fund/ FERIZ FERIZAJ

BESA

Spektakël në Durrës, Teuta nuk ndalet

Fitore në frymën e fundit për Teutën, Mustafallari bëhet shpëtimtar ndaj Apolonisë. Ka qenë një ndeshje e çmendur ajo që është luajtur në Durrës, duke prodhuar plot pesë gola. Të rinjtë e drejtuar nga Xhevahir Kapllani besuan deri në fund dhe ia dolën përballë kampionëve në fuqi të U-19. Starti ishte i jashtëzakonshëm, teksa shënoi Bastri Malaj për fierakët. Lojtari që vjen nga Luftëtari realizoi një supergol nga goditja e dënimit. Megjithatë, në të njëjtën mënyrë iu përgjigj Shala, që barazoi shifrat në minutën e 10-të pas një goditjeje mjaft të bukur nga 20 metra. Në fundin e pjesës së parë Teuta arrin të shënojë edhe golin e epërsisë me anë të mbrojtësit Elezi, që godet saktë me kokë. Në pjesën e dytë miqtë reaguan me Balën, por kjo ishte baraspeshë e përkohshme. Fundi ishte dramatik, pasi Mustafallari shënoi golin e fitores për Teutën në minutën e katërt të shtesës. Pas këtij triumfi durrsakët kryesojnë bindshëm grupin B me 22 pikë/ ZAMIR QYPI

TEUTA APOLONIA

Goleadë e Internacionalit

Spektakël në Pezë, Internacionali dhe Shkëndija e Durrësit shënojnë 9 gola dhe në fund janë vendësit që festojnë fitoren me shifrat 6-3. Skuadra e drejtuar nga Olgert Muka realizoi një përmbysje spektakolare pas 10 minutash lojë. Goli Nasufit u zhvlerësua pas tripletës së Rushitit, e gjithashtu rrjetave të Voglit, Tafës dhe Nergutit/ ABDULLA DUSHKU

INTERNACIONAL

Goditje në kohën shtesë
Football Republic merr tri pikë të arta në Korçë falë një goli në minutat shtesë me anë të Mëhallës. Skuadra e drejtuar nga ish-futbollisti i Skënderbeut, Erbim Fagu, besoi deri në fund dhe u shpërblye në minutën e 91-të. Të rinjtë korçarë shpërdoruan disa raste për shënim dhe atëherë kur nuk e prisnin, e pësuan nga kryeqytetasit/ LLAZI SARO

SKENDERBEU FOOTBALL REPUBLIC

Shkëlqen Butrinti

Butrinti ka shkëlqyer ndaj Pogradecit. Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar, por me miqtë që realizuan të parët me anë të Likollarit. Megjithatë, minuta e 43-të ka qenë fatlume për sarandjotët, pasi Malaj shënoi në portën e Pogradecit. Ndërkohë, në pjesën e dytë vendësit shkëlqyen dhe realizuan dy herë të tjera me Sejkon dhe Brahimin/ TOMOR SHEHU

BUTRINTI POGRADECI

1

2

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"