Trajneri i akademisë vlerëson rrogozhinasit: Egnatia drejt titullit, me Tiranën tregon veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2023 | 20:35

Trajneri i akademisë vlerëson rrogozhinasit: Egnatia drejt titullit, me Tiranën tregon veten

Teksa Egnatia kryeson me meritë këtë edicion futbollistik një punë e shkëlqyer është duke u bërë edhe me grupmoshat e klubit bardhejeshil. Trajneri i Egnatias për U17, Mario Deda, në një intervitë për “Panorama Sport” shprehet se ekipi i Edlir Tetovës është në rrugën e mbarë për të tentuar titullin në fund të sezonit.

egnatia

Ish-futbollisti i Egnatias më tej edhe trajner i ekipit rrogozhinas shton se drejtuesit e klubit po bëjnë një punë të admirueshme edhe me grupmoshat.

Mario, dikur ke luajtur me Egnatian, më tej ke qenë trajner i saj, si ndihesh teksa shikon ekipin e vendlindjes në këto nivele?

Është një ndjesi fantastike pasi jam nga ata që kam pasur fatin ta vesh në fushën e lojës fanellën e klubit tim të vendlindjes. Ndjek rregullisht ekipin dhe më besoni është emocion i madh, teksa shikon që Egnatia kryeson tabelën e klasifikimit. Do të doja të isha sot një lojtar i bardhëjeshilëve me këto kushte dhe financa të shëndosha dhe për këtë meritë të padiskutueshme ka presidenti i klubit Agim Demrozi.

Egnatia kryeson aktualisht, sa shanse ka të shpallet kampion?

E rëndësishme është që skuadra po luan mjaftë mirë dhe me meritë po udhëheq kampionatin. Në fakt, ekipi është ndërtuar mjaftë mirë, pasi në skuadër ka talente, lojtar me eksperiencë, por edhe futbollistë me shumë kualitet. Referuar edhe panoramës që ofrojnë ekipet e tjera të Superiores mendoj dhe gjykoj se Egnatia i ka të gjitha mundësitë që të shpallet kampion.

Kë shikoni rivalë për titullin kampion?

Në bazë kualiteteve që kanë në organikën e tyre por edhe financave që disponojnë gjykoj se Tirana, Egnatia dhe Partizani duket sikur kanë një “marsh” më shumë. Jemi ende në fazën e parë dhe ekipet ende nuk janë kolauduar. Megjithatë formula që do aplikohet këtë sezon i jep shansin 4 ekipeve që të tentojnë titullin kampion në fund të 36 javëve.

Luajmë me Tiranën, si e parashikoni këtë duel?

Do të jetë një përballje e fortë ku diferencat do t’i bëjnë episodet. Egnatia luan më mirë ne transfertë, ndërkohë Tirana ka lojtar cilësor që bëjnë keq në çdo moment. Kush do të jetë më pragmatiste në manovrën sulmuese do ta ketë më të lehtë të marrë maksimumin nga ky 90-minutësh.

Jeni trajner i U-17, si është situata tek grupmoshat në përgjithësi?

Më vjen mirë që prej 4-5 vitesh grupmoshat nga U-9 e deri tek U21 kanë garuar rregullisht në kategoritë respektive. Ajo që duhet theksoj është fakti që po bëhet një punë intensive që ekipi të furnizohet me talente nga qyteti ynë apo vendet përreth. Presidenti Demorozi na është gjendur orar dhe besoj se shumë shpejt fytet e punës tonë do të dalin në pah.

Si e vlerësoni punën e trajnerit Edlir Tetova?

Është një profesionist i zoti. Me fjalë pak por që rezultatet kanë qenë të kënaqshme. Mendoj që është njeriu i duhur për të udhëhequr Egnatian drejt titullit kampion ashtu siç bëri me trofeun e Kupës së Shqipërisë sezonin e shkuar.

A mendon se një ditë mund të jesh trajner i Egnatias?

Sigurisht që po! Do të ishte privilegj, përgjegjësi dhe krenari të drejtoja ekipin e vendlindjes. Në fakt i kam të gjitha cilësitë dhe kapacitetet për të qenë “timonieri” i Egnatias në një të ardhme të afërt.

ISA HALILI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"