“Tiranën dhe të kuqtë i kam gjithnjë në shënjestër”, Beshiraj: Ishim euforikë ndaj Partizanit, Kukësi mposht Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2023 | 19:41

“Tiranën dhe të kuqtë i kam gjithnjë në shënjestër”, Beshiraj: Ishim euforikë ndaj Partizanit, Kukësi mposht Laçin

Kukësi regjistroi një barazim në përballjen me Partizanin në shtëpi, i cili ishte i katërti radhazi. Edhe pse një pikë me të kuqtë mund të qëndrojë, fakti se nuk fitojnë prej shtatë takimesh, tregon se skuadra po futet në një ngërç psikologjik.

MARIO BESHIRAJ

Autori i golit të bluve, Mario Beshiraj, i cili mesa duket po tregon cilësitë e tij më të mira përballë kryeqytetasve, pasi më herët i ka shënuar edhe dy gola Tiranës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi e vlerëson barazimin, por sipas tij, erdhi më së shumti si pasojë e euforisë së momentit, pasi u barazuan shumë shpejt, sepse në të kundërt edhe mund të kishin fituar. “Mund të them që ndihem ‘gjysmë i kënaqur’ për golin, sepse nuk i shërbeu skuadrës për të marrë tri pikë.

Barazimi erdhi si pasojë e euforisë që kishim kur shënuam gol, sepse e pësuam shumë shpejt. Sa i përket faktit që i kam shënuar edhe Tiranës, mund të them se ekipet e kryeqytetit i kam në shënjestër dhe do të doja t’u shënoja edhe më shumë”, u shpreh fillimisht 24-vjeçari i Kukësit.

PËRGJEGJËSIA –

Në ndeshjet e fundit, Beshiraj ka pasur një përgjegjësi më të madhe mbi supe, pasi aktualisht është sulmuesi i vetëm në skuadër, pas largimeve të Rashitit dhe La Torres. “Nuk më shqetëson fakti që jam sulmuesi i vetëm. Di të mbaj përgjegjësi dhe do të vazhdoj t’i shërbej ekipit deri në fund”, vijoi më tej sulmuesi i Kukësit, i cili këtë kampionat ka shënuar tre gola, një Partizanit dhe dy Tiranës. Ai ka besim se blutë do ta mbyllin me fitore këtë vit, edhe pse Laçi meriton respekt. “Besoj se do ta mbyllim këtë vit me fitore, ashtu siç i ka hije Kukësit. Normalisht kemi respekt për kundërshtarin, por fitojmë ne”, vijoi më tej sulmuesi i bluve.

SITUATA –

Beshiraj ndalet edhe te situata e Kukësit, duke i mëshuar më shumë mungesës së eksperiencës, por edhe fatit që nuk e kanë pasur shpesh në krah. Gjithsesi, ai ka besim se në fund do t’ia dalin. “Për situatën ku ndodhemi mund të them se e kemi vuajtur pak mungesën e eksperiencës, pasi jemi thuajse të gjithë djem të rinj. Disa luajnë madje edhe për herë të parë në Superiore. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se në disa raste kemi qenë edhe pa fat. Sa i përket garës për mbijetesë, normalisht ajo do të jetë e fortë, por jam i bindur se në fund Kukësi do t’ia dalë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën, sulmuesi i Kukësit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"