“Tirana e meriton se ka karakter dhe ka ekip autokton, ndryshe nga Partizani”,  Sulejman Mema: Ja cilin lojtar i këshillova Silvinjos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 22:27

“Tirana e meriton se ka karakter dhe ka ekip autokton, ndryshe nga Partizani”,  Sulejman Mema: Ja cilin lojtar i këshillova Silvinjos

Sulejman Mema mendon se Tirana e meriton titullin kampion për atë që ka dhënë në fushën e lojës në këtë kampionat. Ish-futbollisti dhe trajneri i njohur i bardhebluve, i cili në të kaluarën është ulur edhe në pankinën e të kuqve, ka analizuar derbin dhe sipas tij, barazimi i jep të drejtë Tiranës.

sulejman mema

Duke folur për “Sport News” në ”News 24”, Mema ka nxjerrë në pah ndryshimet mes dy skuadrave kryeqytetase edhe pse Tirana ia del gjithmonë të kalojë momentet e vështira, duke i dhënë merita padyshim edhe asaj që ka bërë Orges Shehi në drejtimin e ekipit.

Profesor, mjaftojnë dy pikë tre javë përpara fundit? Është titulli llogari e mbyllur?
Nuk mund të them i mbyllur, por dy pikë janë shumë që Tirana të luajë e qetë. Nuk humbi në derbi, edhe pse kishte probleme. Them qe duhet të jetë e qetë, vetëm me qetësi mund ta marrë kampionatin.

Pse festuan te Tirana pas barazimit, nuk e kuptoi këtë as Kolela…
Festuan sepse kjo diferenca prej dy pikësh do t’i jap qetësinë dhe sigurinë, do t’i japë garanci sepse kthehen edhe lojtarët që nuk luajtën, për ta pasur skuadrën më të plotësuar. Një skuadër që për mendimin tim e meriton që është e para në klasifikim.

Profesor, në 20 vite Tirana nuk e ka mbrojtur kurrë titullin, e as nuk ka bërë dopietë. A është e mundur dhe çfarë ka ndryshe ky ekip i Shehit, që për hir të së vërtetës është shumë i limituar?
Nuk është e limituar, ka një skuadër të mirë, kjo është edhe meritë e trajnerit Shehi me këtë grup futbollistësh, edhe pse janë larguar elementë cilësorë ai prapë e ka konsoliduar ekipin. Mendoj se Tirana i ka mundësitë të bëjë dopietë këtë sezon, edhe kampionatin edhe Kupën. Kur fitohet Kupa dhe Kampionati i jep më shumë garanci skuadrës, trajnerit, opinionit për ta ndjekur, për të parë spektakël, siç ndodhi në pjesën e dytë në derbi.

Të gjithë prisnim që titulli të vendosej në derbi, por nuk ndodhi kështu. Këtë javë Tirana luan në transfertë kundër Laçit, ndërsa Partizani pret Vllazninë. A është ky momenti final?
Dy ndeshje shumë interesante. Tirana do të ketë vështirësi në Laç sepse janë një skuadër shumë e fortë edhe pse humbën ndeshjen e fundit. Kurse Partizani ka ndeshje të fortë me Shkodrën, po Partizani kam parë si asnjë herë tjetër 4-5 elementë shumë të mirë, nga elementët e mirë të futbollit shqiptar, nuk po i përmend me emra, por me të vërtetë më pëlqyen.

Pse çedon gjithnjë atëherë kur nuk duhet Partizani profesor? Nuk besoj se mund ta gjejë me Tiranën me kaq shumë probleme, në asnjë moment nuk e vrau dot kampionatin?
Sepse Partizani ndoshta nuk ka euforinë që mund të ketë Tirana në momentet më deçizive. Tirana ka karakter, ndryshe nga Partizani, një skuadër autoktone, tifozët ambienti i japin këtë ndjesi, këtë ndjesi që i garanton të luftojnë deri në fund për kampionatin.

Profesor, jeni një ikonë e klubit të Tiranës. Dua një mendim personal për Orges Shehin, është trajneri më jetëgjatë i Tiranës. Meqë e ke thirrur dhe te Kombëtarja e veteranëve, sa peshë ka pasur trajneri Shehi në këtë rrugëtim?
Unë kam parë një njeri shumë të qetë, më ka pëlqyer se si ka drejtuar skuadrën. Orgesi është djalë shembullor, unë e kam thirrur tek ekipi Shpresa, edhe pse shtatshkurtër ka bërë veprime shumë të mira. Si trajner e vlerësoj për qetësinë që tregon, një qetësi që trajnerët e tjerë duhet ta kenë zili. Mënyra se si ai lidhet me skuadrën, mënyra se si ai lidhet me tifozët them që i ka bërë mirë kësaj skuadre, jetëgjatësinë e ka nga rezultatet që ka arritur.

Flasim shumë për një kampionat shumë të fortë, shumë konkurrues, por pse çedojmë në Europë? Pse zbehet kaq shumë madhështia e një klubi si Tirana duke mos kaluar asnjë tur në Evropë siç ndodhi një vit më parë?
Largimet e tepërta, sidomos e lojtarëve cilësorë, ose konsolidimi i skuadrës ka të bëjë shumë. Tirana duhet të zërë mend, të gjithë ekipet shqiptare, sepse kompeticionet evropiane të japin shumë të ardhura që i bëjnë mirë skuadrave për vazhdimësi. Largimi i lojtarë për të fituar diçka më shumë ka bërë që skuadrat të mos konsolidohen, kur fillojnë kompeticionet evropiane i gjen ekipet shqiptare te çrregullta.

Shkurtimisht, kush është lojtari më premtues i këtij edicioni?
Më ka pëlqyer numri 44 i Partizanit (Hadroj), herën e fundit pashë parametrat fizik të tij. Të them të drejtën më pëlqeu. Nuk e kisha parë me atë sy më përpara, por më pëlqeu.

Kë do i sugjeroje Silvinjos?
Një nga këto e thashë, Hadrojn, por duhet të jenë dhe të tjerë. Unë kam biseduar pak me Silvinjon, një prej tyre që i kam sugjeruar është Ismaljgeci, duhet të jetë pjesë e ekipit kombëtar sepse nuk kemi një të majtë. Një puro sallakas do t’i bënte mirë ekipit kombëtar, shpresoj ta marrë në konsideratë.

Meqë jemi te Silvinjo, te Kombëtarja, çfarë pret nga dy sfidat e qershorit, kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe? Ke frikë se mund të rrëshqasim?
Shiko, më duken të vështira. Pavarësisht se me të fortët kemi luajtur më mirë, me ekipet e vogla kemi çeduar. Silvinjo dhe stafi i tij janë të preokupuar, të gjithë janë në zyrë, punojnë për të evidentuar futbollistët, për të parë gjendjen e tyre. Janë dy ndeshjet më të rrezikshme për të arritur objektivin, shpresoj t’i kalojmë sepse një barazim në këto ndeshje do të ndikojë negativisht.

Duke parë dhe grupin, kemi shanse të kualifikohemi?
Unë shpresoj që pas këtyre dy ndeshjeve të themi që kemi shanse për t’u kualifikuar, pasi të fitojmë këto dy ndeshje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"