Thellohet kriza, Tirana barazon me Teutën. Magani e pranon: Këto janë mundësitë tona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2013 | 11:44

Thellohet kriza, Tirana barazon me Teutën. Magani e pranon: Këto janë mundësitë tona

Tirana-Teuta 0-0TIRANA-TEUTA 0-0
TIRANA: Çaka, Sina, Pashaj, Vrapi, Kotobelli, Kërçiku (Çaushaj 46′), Kalari, Karabeci, Peposhi (Sorra 72′), Limani (Hoxha 55′), Çota; Trajner: G.Magani.
TEUTA: Rizvani, Idrizaj, Osmani (Deliallisi 53′), R.Hoxha, Da Dilva, Beqja (Jakupi 46′), Dosti, Hodo, Ahmataj, Joel (Muriqi 72′), Xhafaj; Trajner: R.Sorrentino.
KARTONË TË VERDHË: Kalari 88’/ Ahmataj 46′, Dosti 85′, Deliallisi 62′
VËZHGUES: Plarent Kotherja (Tiranë)
DELEGAT: Enton Lita (Tiranë)
GJYQTARET: L.Alla, D.Koreshi (Lushnjë) G.Koka (Lezhë)

MINUTAT
10′ Beqja provon nga jashtë zone, por Çaka reagon në kohë.
26′ Peposhi merr krahun, kroson për Çotën, i ndërhyn Hoxha, Tirana pretendon penallti, por kryesori Alla nuk është i këtij mendimi.
27′ Dosti rrezikon nga larg, pret Çaka.
31′ Kalari kthen për Çotën një top, sulmuesi kombinohet me Limanin, që gjuan, por shumë larg kuadratit.
32′ Goditje këndi për vendësit, gjuan Kalari, topi prek shtyllën anësore dhe kthehet te Karabeci. Mesfushori në tentativë për ta goditur me kokë, Idrizaj i ngre takat. Gjyqtari nuk reagon, edhe pse ishte 11-metërsh.
37′ Goditje dënimi, ekzekuton Kalari, topi shkon te Pashaji, i cili vetëm një metër larg portës nuk e devijon dot.
55′ Limani merr topin, e kontrollon, gjuan nga jashtë zone, por Rizvani pret në dy kohë.
56′ Karabeci provon nga distanca, por topi përfundon shumë jashtë kuadratit.
58′ Hodo ka një rast ideal, gjuan mirë, por rreziku ndalet nga shtylla.
63′ Goditje dënimi për Tiranën, ekzekuton Karabeci, por topi përfundon shumë pak mbi tra.
69′ Karabeci rrezikon, por mbrojtja mike neutralizon gjithçka.
74′ Kalari kroson në zonë, Çota me kokë, por nuk e shënjestron siç duhet portën.
76′ Goditje dënimi për Tiranën, Kalari dërgon topin në zonë, por miqtë largojnë rrezikun.
79′ Aksion për Tiranën, Çota në kontroll të topit, por Jakupi ndërhyn duke i prishur ekuilibrin. Rast i diskutueshëm dhe bardheblutë pretendojnë 11-metërsh.
91′ Goditje dënimi për Teutën, gjuan Hodo, por topi largohet prej Çaushajt.

Tirana dhe Teuta ndahen me një barazim të vakët dhe pa gola. Një pikë që nuk ndihmon askënd, pasi të dyja skuadrat kërkonin me ngulm vetëm fitoren. Bardheblutë kanë harruar të fitojnë dhe të shënojnë, teksa edhe në këtë takim të fundit të 2013-ës nuk ia kanë dalë dot. Nga ana tjetër, durrsakët janë më të qetë, ndonëse janë të katërtit në tabelë, me 24 pikë. Protagonist në këtë duel u kthye treshja e gjykimit, me kryesor Laver Alla, vendimet e të cilëve lanë vend për diskutim. Tre penallti të pretenduara nga ana e vendësve, njëra prej të cilave më flagrante, krijuan irritimin e 24 herë kampionëve të vendit. Në përgjithësi përballja ishte e balancuar, u pa një Teutë më kërkuese, ndërsa Tirana u shfaq më e kujdesshme. Por, përpos tentativave, goli për 90 minuta mungoi.
Pjesa e parë Loja nis me sulm të shpejtë të Teutës, teksa një pakujdesi e portierit Çaka për pak sa nuk u jep avantazhin miqve. Por, ndërhyrja e mbrojtjes vendëse në kohë neutralizon rrezikun. Minutat kalojnë dhe skuadrat mundohen që të fitojnë terren ndaj njëra-tjetrës. Në të 10-ën minutë janë sërish durrsakët, të cilët tentojnë, Beqja provon me një goditje nga jashtë zone, por portieri reagon në kohë. Bardheblutë mundohen që të avancojnë, ndonëse e kanë të vështirë që t’i afrohen mesfushës mike, e aq më pak portës së mbrojtur nga Rizvani. Megjithatë, në të 26-ën minutë vjen sinjali i parë për ta. Peposhi merr krahun, kroson për Çotën, i ndërhyn Hoxha, Tirana pretendon me forcë penallti, por kryesori Alla nuk është i këtij mendimi. Kundërsulm i shpejtë i miqve, Dosti rrezikon nga larg, por Çaka pret në kohë. Rasti më ideal për Tiranën ishte në të 31-ën minutë, por kryeqytetasit e kanë të vështirë që të finalizojnë. Kalari kthen për Çotën një top, sulmuesi kombinohet me Limanin, që gjuan, por shumë larg kuadratit. Tjetër mundësi për vendësit, një minutë më vonë. Goditje këndi, gjuan Kalari, topi prek shtyllën anësore dhe kthehet te Karabeci. Mesfushori, në tentativë për ta goditur me kokë, Idrizaj i ngre takat. Gjyqtari nuk reagon, edhe pse ishte 11-metërsh. Ky moment sjell nerva te lojtarët vendës dhe donatorët në tribunë. Tirana fiton terren dhe shton presionin, në të 37-ën minutë tjetër goditje dënimi, ekzekuton Kalari, topi shkon te Pashaji, i cili vetëm një metër larg portës nuk e devijon dot. Minutat e fundit të kësaj pjese nuk sjellin risi dhe të dyja skuadrat u drejtohen disi të qeta dhomave të zhveshjes.
Pjesa e dytë Ky 45-minutësh nis me të njëjtën panoramë, ndonëse me lëvizje në 11-she. Të dyja skuadrat shfaqen të tërhequra dhe, për pasojë, edhe rastet janë me pikatore. Në të 55-ën minutë Limani merr topin, e kontrollon, gjuan nga jashtë zone, por Rizvani pret në dy kohë. Tenton edhe Karabeci pas një minute nga distanca, por topi përfundon shumë jashtë kuadratit. Kundërpërgjigjet Hodo në të 58-ën minutë, por gjuajtja e tij perfekte ndalet nga shtylla. Tirana nuk dorëzohet dhe e kërkon me aq ngulm një gol, i cili do të përkthehej me një trepikësh, pas javëve të tëra pa fitore. Në të 63-ën minutë, goditje dënimi për Tiranën, ekzekuton Karabeci, por topi përfundon shumë pak mbi tra. Provon sërish mesfushori në minutën e 69-të, por mbrojtja mike neutralizon gjithçka. Për bardheblutë vijon këmbëngulja, por defekti mbetet i njëjtë. Në të 74- ën minutë, Kalari kroson në zonë, Çota me kokë, por nuk e shënjestron siç duhet portën. Tentativat për vendësit vazhdojnë, teksa 2 minuta më vonë Kalari ekzekuton një goditje dënimi dhe e dërgon topin në zonë, por miqtë largojnë rrezikun. Në të 79-ën minutë ka një tjetër rast të diskutueshëm. Aksion për Tiranën, Çota në kontroll të topit, por Jakupi ndërhyn duke i prishur ekuilibrin. Rast i diskutueshëm dhe bardheblutë pretendojnë 11-metërsh, por Alla nuk është i të njëjtit mendim. Kur po mbyllej loja, ka edhe një përpjekje të miqve, Hodo gjuan në goditje dënimi, por topi largohet prej Çaushajt. Për pasojë, gjithçka mbyllet ashtu siç nisi, me një Tiranë që thellon krizën dhe e mbyllur vitin në mënyrën më të keqe të mundshme.

MË I MIRI
Erando Karabeci ishte lojtari më i mirë në fushë. Mesfushori bëri një paraqitje dinjitoze në këtë ndeshje, teksa në çdo dyluftim doli i fituar. Ndonëse jo vetëm kaq, sepse ai ishte frymëzues në çdo aksion të krijuar prej Tiranës. Sakaq, te durrsakët bindi braziliani Fernando, duke qenë i pakalueshëm në mbrojtje dhe krijuar më tepër siguri në prapavijën e miqve.

MË PAK AKTIVI
Mirel Çota dhe Mensur Limani edhe në këtë ndeshje ishin larg nivelit të pritshëm. Sulmuesi dhe mesfushori janë të paqartë në veprimet e tyre, duke krijuar më shumë rrëmujë në fushë. I pari vazhdon të shpërdorojë para porte, ndonëse ka raste aq ideale sa mjafton vetëm ta shtyjë topin në rrjetë. Ndërsa kosovari, edhe pse mundohej, e pati të pamundur që të bënte diferencën.

PIKANTE NGA NDESHJA…
Tribuna –
Tribuna VIP edhe në këtë ndeshje ishte e tejmbushur, ku nuk munguan dhe drejtues të të dyja skuadrave. Nga kampi mik ishte presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ndërsa nga bardheblutë të tre donatorët: Ndriçim Babasi, Refik Halili e Lul Morina.
Dëmtimi – Dorian Kërçiku edhe pse e nisi mjaft mirë ndeshjen, një dëmtim e detyroi të mos e mbyllte të gjithë takimin. Ai rezistoi deri në fundin e pjesës së parë, më pas u zëvendësua. Lojtari kishte një problem në shpinë, të mbartur që nga takimi i luajtur në kupë me skuadrën e Lushnjën.
Ndërprerja – Në minutën e 83-të, kryesori Laver Alla e ndali ndeshjen. Tifozët e Teutës po shanin në kor pikërisht gjyqtarin, kësisoj ai i kërkoi kapitenit Rizvani që t’i qetësonte. Mirëpo ultrasit vazhduan, madje pas tyre edhe ata bardheblu. Situata u qetësua vetëm pas një minute, çka bëri të mundur edhe rifillimin e ndeshjes.
Axhenda – Tirana pas kësaj ndeshjeje të fundit për 2013- ën do të pushojë dy ditë dhe vetëm të martën do u rikthehet përgatitjeve. Stërvitja do të vijojë deri të premten, më pas do të marrin pushimet e fundvitit, për të rifilluar punë më 6 janar.
Merkato – Tirana nga dita e sotme dhe në vazhdim do të nisë zyrtarisht planet për merkaton. Tashmë trajneri Gugash Magani e ka një ide se çfarë kërkon, megjithatë vetëm të hënën pritet që t’u dorëzojë drejtuesve listën zyrtare të dëshirave.

MaganiMagani: Këto janë mundësitë tona
Gugash Magani del garant për mbijetesën e Tiranës, gjithnjë nëse bëhet merkato cilësore. Në deklaratën e dhënë për mediat, pas ndeshjes, ai u shfaq i kënaqur për lojën e të tijve, për aq sa potencial ata kanë, përpos rezultatit. Dhe qartëson se nuk ka në plan të dorëzohet, përkundrazi do e çojë misionin deri në fund.
Si e gjykoni këtë barazim, i kënaqur?
Mund t’ju duket jonormale kjo që po them, por unë jam i kënaqur me atë çka dhanë djemtë e mi në fushë. Dhanë maksimumin në këtë 90- minutësh. Ekipi dha më të mirën, me aq sa potencial ka. Gjeta një skuadër shumë problematike psikologjikisht. Vetëm me këta lojtarë nuk mund t’ia dalim dot, ka nevojë për ndërhyrje.
Ju penalizoi arbitrimi?
Vetëm pasi ta shoh, do të jap mendim. Por veç gjykimit, mendoj se ndikoi edhe lodhja.
Keni besim për të ardhmen?
Jo vetëm kam besim, por jam i bindur që e ardhmja do të jetë e sigurt. Unë i kam bërë të qarta kërkesat e mia që kur erdha, por tani do ua përsëris prapë drejtuesve. Jam i gatshëm që të marr çdo lloj përgjegjësie, nëse skuadra dështon edhe pas merkatos.
Domethënë, ju do të vazhdoni të jeni pjesë e Tiranës?
Unë nuk kam ndërmend të dorëzohem, kam një kontratë deri në fund të këtij sezoni. Por nuk mund ta mbaj dot turpin, nëse ne nuk e shpëtojmë këtë skuadër.
Çfarë i keni kërkuar skuadrës për merkaton?
Do respektoj etikën profesionale, për merkaton do flas pas së dielës. Gjithsesi, unë jam partizan i lojtarëve vendës, por nëse nuk do të gjejmë dot, sytë do i hedhim edhe jashtë.
Si ishte kjo ndeshje përballë ish-skuadrës?
Tepër emocionuese, pasi unë jam larguar miqësisht nga Teuta. Ju e patë edhe në fund që unë i takova të gjithë lojtarët. Por realisht doja me gjithë shpirt që ta fitoja këtë ndeshje, dhe mundësitë ishin.
Skuadra nuk po pëson më, por vazhdon të mos shënojë…
Kur shënon vetëm 5 gola, ka diçka që nuk shkon. Nuk çalojmë në lojën sulmuese, por në konkretizim.
Po me Semedon dhe Takun çfarë ndodh?
Sikur të kisha edhe 5 pikë më tepër, Semedon nuk do e përfshija hiç në skuadër. Ndërsa Taku nuk ishte në formë fizike.

SorrentinoSorrentino: Rezultat i drejtë, kundërshtari na hapi punë
Roberto Sorrentino në fund të takimit është shprehur i kënaqur me barazimin: “Ishte një ndeshje e luftuar. I patëm mundësitë tona gjatë pjesës së parë. Po të ishim treguar më të saktë, tani do të kishim tri pikë më shumë. Nuk ia dolëm dhe më pas na u desh të menaxhonim situatat që u krijuan. Përgëzime për Tiranën, sepse bëri një ndeshje mjaft të mirë. Besoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë për këtë takim, duke parë që ishim të barabartë edhe në volumin e lojës, por edhe në mundësitë e krijuara. Për sa i përket rasteve, mund t’ju them se portën e Rizvanit nuk na e rrezikuan në asnjë moment seriozisht. Kishim mungesa dhe duke parë një skuadër të përgjysmuar u detyrova të eksperimentoj. E ardhmja?! Na duhen disa përforcime. Po punojmë për të gjetur lojtarët e duhur për skuadrën, dhe i kemi piketuar disa. Në ditët në vazhdim do të bëjmë disa lëvizje. Sa i përket penalltive, nuk i pashë. Por derisa gjyqtari nuk akordoi gjë, nuk kanë qenë”.

Tirana-Skenderbeu 1-0, Hysenbelliu ne dyluftimMerr oferta nga jashtë, Hysenbelliu largohet nga Tirana
Fatmir Hysenbelliu nuk do të jetë më pjesë e Tiranës. Mesfushori ka shpallur zyrtarisht “divorcin” me bardheblutë dhe prej muajit janar do të luajë në një tjetër skuadër. Ditën e djeshme, pas përfundimit të ndeshjes me Teutën, 21-vjeçari u përshëndet me shokët e ekipit dhe stafin teknik. Burime të sigurta pranë lojtarit zbulojnë se ofertat e ardhura nga jashtë vendit kanë bërë që ai të merrte një vendim të tillë. Hysenbelliu ka nisur tashmë bisedimet me një klub të mirënjohur në Europë dhe pritet që shumë shpejt të ketë diçka konkrete në këtë drejtim. Por, nëse nuk arrihet akordi dhe lojtarin nuk e bind oferta, atëherë mbetet e hapur edhe pista vendëse. Skuadra të ndryshme të Kategorisë Superiore kanë shfaqur interes për të. Megjithatë, muaji janar do të jetë deciziv për të ardhmen e lojtarit të Shpresave.
Lamtumira – Me një status në rrjetin social “Facebook”, i riu i ka dhënë lamtumirën Tiranës, ndërsa nuk nguron që t’i urojë suksese klubit bardheblu, me shpresën që këta të fundit t’i largohen krizës. “Sot (dje) ishte ndeshja ime e fundit me KF Tiranën. Nga janari do të jem pjesë e një tjetër ekipi. Në këtë periudhë 1-vjeçare si bardheblu kam mësuar shumë gjëra, të cilat do të më ndihmojnë në zhvillimin tim si futbollist. Gjatë kësaj kohe kemi kaluar momente të mira dhe të këqija. Gjithsesi, shpresoj që Tirana të dalë nga kjo situatë dhe të ngjitet në majë! Më duhet t’i falënderoj lojtarët, stafin dhe tifozët”, – shkruante mesfushori i bardhebluve, i cili prej ditës së djeshme ka edhe statusin e “ish”- it. Pas një paraqitjeje dinjitoze, Fatmir Hysenbelliu ka dorëzuar numrin 7, fanellë që e mbajti mbi shpinë gjatë kësaj periudhe. Mesfushori synon që të ngjisë shkallët e karrierës. Pasi rinovoi huazimin e tij te Tirana, 21-vjeçari pritet që shumë shpejt të vendosë se cili do të jetë ekipi që do të ketë shërbimet e tij për pjesën e mbetur të këtij edicioni.

Semedo: Do të iki, nuk e përballoj dot
Është fakt i kryer tashmë: Hoze Semedo nuk do të jetë më pjesë e Tiranës. Sulmuesi, i cili edhe dje mbeti jashtë 18-shes dhe e pa ndeshjen nga tribuna, në një bisedë me gazetën tregoi se: “Do të iki, nuk besoj se do të kthehem më. Kam një kontratë deri në maj, por uroj që të gjej gjuhën e përbashkët me drejtuesit dhe ta prish atë para kohe. Në Shqipëri nuk mund të rri më, nuk është futboll për mua. Nuk e përballoj dot, luhet shumë fort dhe është i ashpër. Pastaj jam i mërzitur, asgjë nuk shkoi si e kisha parashikuar. Vazhdojmë të mos fitojmë, nga ana tjetër, kam javë që nuk shënoj. Në kushte të tilla kam vendosur që të largohem, por sigurisht fjala e fundit i takon klubit”. Gjasat janë që Tirana ta lërë të lirë, pasi edhe vetë trajneri Gugash Magani nuk e ka më në planet e tij.

Tri penallti të pretenduara dhe shumë vendime të diskutuara
Tirana-Teuta është një nga ato ndeshje që lë shumë vend për të diskutuar, e sidomos nga specialistët e moviolës. Nga ana e bardhebluve kanë qenë tri penallti të pretenduara, nga të cilat kryesori Laver Alla nuk dha asnjë. Momentet për t’u riparë ishin edhe disa ndërhyrje të ashpra, apo faullet e dhënë apo të padhënë. Në të 26-tën, Peposhi merr krahun, kroson për Çotën, i ndërhyn Hoxha, Tirana pretendon penallti, por kryesori Alla nuk është i këtij mendimi. Në të 32-tën ishte rasti më flagrant, Karabeci në tentativë për ta goditur topin me kokë, Idrizaj i ngre takat. Gjyqtari nuk reagon. Në të 79-tën, Çota në kontroll të topit, por Jakupi ndërhyn duke i prishur ekuilibrin. Edhe ky rast i diskutueshëm dhe bardheblutë pretendojnë 11-metërsh.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"