Teuta, plan për kontrata afatgjatë dhe lojtarë të rinj në moshë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2017 | 11:01

Teuta, plan për kontrata afatgjatë dhe lojtarë të rinj në moshë

Nën drejtimin e trajnerit Magani dhe stafit të tij, skuadra e Teutës nuk i ka ndalur për asnjë moment përgatitjet. Durrsakët do të kenë nesër ndeshjen e parë miqësore ndaj Çezenës, ku lojtarët do të jenë disi të lodhur fizikisht pas ngarkesës që kanë marrë gjatë këtyre ditëve.

Teuta

Sa i takon merkatos, ende nuk ka asnjë lëvizje dhe grupi i futbollistëve është i njëjtë si ai që është nisur nga Shqipëria. Megjithatë, menaxherët, me të cilët klubi po bashkëpunon, janë duke punuar për të afruar futbollistë cilësorë dhe nuk përjashtohet të ketë ndonjë lëvizje surprizë.

Gjithsesi, drejtuesit janë duke menduar për kontrata afatgjata me të gjithë lojtarët që do të jenë pjesë e Teutës. Do të synohen të afrohen kryesisht lojtarët e rinj në moshë, të cilët do të firmosin për të paktën dy vite, pasi klubi po mendon për një strategji suksesi, e cila pritet të japë fytet e saj.

Në merkato nga Teuta janë larguar një numër i madh lojtarësh, megjithatë organika është duke u plotësuar. Gjatë qëndrimit në tokën italiane, Teuta do të luajë në total gjashtë ndeshje miqësore me kundërshtar të niveleve të ndryshme dhe, para kthimit në vendin tonë, ekipi do të jetë i kompletuar dhe gati për të nisur sezonin e ri. Durrsakët pritet që të jenë një ekip cilësor dhe me objektiva të qarta, ndryshe nga ai i vitit të shkuar.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"