Teuta kërkon të lërë fundin, Rubin Hebaj: Duam fitoren në Kukës!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2022 | 12:53

Teuta kërkon të lërë fundin, Rubin Hebaj: Duam fitoren në Kukës!

Sulmuesi i Teutës, Rubin Hebaj, beson te kthesa e madhe e skuadrës të dielën në transfertë kundër Kukësit. Në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të të Kategorisë Superiore, durrsakët shkojnë si vendi i fundit, ndërsa rivali më i afërt është pikërisht kundërshtari i radhës me katër pikë më tepër. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi shkodran u shpreh i bindur se Teuta nuk do të bëjë të njëjtat gabime.

Hebaj

Rubin, rifillimi i kampionatit po afron. Si e prisni ndeshjen me Kukësin dhe a jeni gati për një rinisje të mbarë?

Po, jemi gati. Situata në ekip është normale dhe po përgatitemi në maksimum që të jemi gati të dielën. Grupi është i plotë dhe mendoj se të gjithë lojtarët kanë kapur formën maksimale. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të fokusohemi te kundërshtari i radhës.

Kukësi pret të bëje kthesën, ashtu si Teuta. Sa të vështirë e bën këtë ndeshje presioni i pikëve që kanë skuadrat?

Të gjitha ndeshjet në këtë kampionat janë të vështira. Ne do të futemi në fushë për tri pikë dhe ky është objektivi ynë parësor. Ashtu si ne, edhe Kukësi vjen nga rezultate jo të mira, por kjo nuk do të thotë asgjë në këtë moment. Se çfarë rezervon ndeshja është gjë tjetër, por duke parë seriozitetin e skuadrës në stërvitje, mendoj që do ta kalojmë edhe këtë takim delikat.

Çfarë ka ndryshuar te Teuta në këtë periudhë përgatitjesh?

Është i njëjti grup. Jemi stërvitur mirë dhe kjo na bën akoma më të fortë. Unë mendoj se grupi është pika më e fortë e ekipit tonë dhe këtë do ta tregojmë në fushë.

Jeni të fundit në renditje, çfarë duhet të bënit më tepër për të ndryshuar këtë situatë?

Kemi lënë shumë pikë, për më tepër kur kemi qenë në avantazh në disa ndeshje, ashtu si ajo e fundit me Erzenin. Sigurisht që nuk jemi të kënaqur me këtë gjendje, por shpresoj të kemi vazhdimësi duke filluar nga e diela. Duhet të jemi të mobilizuar në maksimum për të nisur me fitoret dhe të mos gabojmë më në kampionat.

Çfarë ju bën të besoni më tepër se do të bëni kthesën dhe do të lini fundin shumë shpejt, ashtu siç premtoi edhe trajneri Martini?

Unë besoj shumë se në ekip kemi lojtarë profesionistë dhe me shumë eksperiencë, të cilët kanë dalë edhe kampionë. Kjo na ndihmon akoma më shumë, për më tepër që në skuadër ka harmoni. Siç e thashë edhe më lart, pika më e fortë është fryma e grupit dhe marrëdhënia që kemi me njëri-tjetrin, kështu që kjo do të na rikthejë te suksesi.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"