Teuta, Brunild Pepa: U riktheva në shtëpi

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Qershor 24, 2014 | 9:27

Teuta, Brunild Pepa: U riktheva në shtëpi

rajovic-me-pepa-dhe-sakajBrunild Pepa është lojtari i radhës që iu shtua organikës së ekipit të Teutës. Sulmuesi, i cili ishte pjesë e Flamurtarit në dy sezonet e fundit dhe me përfundimin e kontratës me vlonjatët, lushnjari iu bashkua Teutës. Në fakt, 23- vjeçari ka qenë pjesë e “djemve të detit” edhe në sezonet 2010- 2011, 2011-2012, por tashmë, siç shprehet ai për “Panorama Sport”, kthehet te Teuta me të tjera ambicie. “Kalimi te Teuta më ka bërë shumë të lumtur. Është ekipi ideal për mua dhe kjo më motivon edhe më shumë për të dhënë më të mirën time. Mund t’ju them se te Teuta ndihem si në shtëpinë time, duke qenë se kam luajtur edhe më parë këtu. Falënderoj presidentin për besimin e përsëritur ndaj meje dhe i premtoj klubit, por edhe tifozëve se do punoj shumë për ta merituar fanellën që do të vesh”, tha fillimisht sulmuesi Pepa. Më tej ai u ndal te ndërtimi i ekipit për sezonin tjetër, teksa tha: “Ju po e shihni që Teuta, edhe pse nuk është në Kupat e Europës, po zhvillon një merkato shumë cilësore. Ky ekip ka gjithmonë pretendime, kështu që edhe për sezonin e ri kam bindjen se do synojmë të arrijmë objektiva maksimale. Projekti i klubit për t’u mbështetur kryesisht te lojtarët e rinj, besoj do jetë shumë rezultativ. Teuta ka në përbërje edhe disa lojtarë me eksperiencë që bëjnë diferencën, ndaj mendoj se nuk do të kemi asgjë më pak se ekipet e tjera pretendente në sezonin e ri”. Në fund ish-sulmuesi i Flamurtarit pohoi se nuk i trembet aspak rivalitetit në ekip dhe se do të punojë fort për të bindur trajnerin Lika për aftësitë që zotëron. “Teuta aktualisht ka dy sulmues me cilësi të konfirmuara, plus që mund të afrohen edhe të tjerë, por kjo nuk më pengon aspak në pretendimet e mia. Konkurrenca do të na ndihmojë të gjithëve të përmirësohemi dhe të kërkojmë më shumë nga vetja. Detyra ime është të punoj shumë dhe të justifikoj besimin e klubit. Pastaj është detyrë e trajnerit për zgjedhjet që bën”, përfundoi sulmuesi më i ri i Teutës.
Roland Gjini





www.minuta90.com