Tetova nuk i zë besë Laçit: Rivalin e vlerësojmë në maksimum, duam sërish trofeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 9:51

Tetova nuk i zë besë Laçit: Rivalin e vlerësojmë në maksimum, duam sërish trofeun

Egnatia luan sot në “Arena Egnatia” aktin e dytë kundër Laçit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.Tetova

Pas fitores 0-1 në Laç, për skuadrën e Tetovës është më e lehtë që të arrijë objektivin e kualifikimit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri durrsak shprehet se sfida e sotme ka vështirësitë e veta, pasi përballë është një ekip ekspert në Kupë. Tetova pohon se nëse fiton Kupën e Shqipërisë, sezoni i Egnatias do të jetë i suksesshëm.

Tetova, prisni Laçin në takimin e kthimit në Kupë. Sa i arritshëm është kualifikimi pas fitores në ndeshjen e parë?

Me Laçin është një ndeshje tejet e vështirë, është një ekip që bën mirë në Kupë. E kemi përgatitur me kujdes këtë sfidë, që duhet kaluar me sukses për të qenë brenda objektivave. Jemi fituesit në fuqi të trofeut dhe duam ta ruajmë. Duhet përqendrim maksimal për të shkuar në gjysmëfinale.

Sa mund të ndikojnë rezultatet e fundit në kampionat te ky duel?

Ndaj Laçit nuk do të kemi trysninë e rezultateve të kampionatit, është tjetër llogari. Fituam në Laç dhe do ta shfrytëzojmë këtë avantazh për të kaluar më tej. Skuadra është e qetë dhe e fokusuar. Mendoj se i kemi kapacitetet për të përballuar ndeshjet në të dy frontet.

Mos ka një ngërç psikologjik te futbollistët?

E them me siguri se te lojtarët e Egnatias nuk ka ngërç psikologjik. Ekipi gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur fat për rezultatet, por ka luajtur mirë. Kjo situatë na motivon të punojmë për ta kaluar sa më shpejt. Kam besim se do arrijmë ku dëshirojmë, thjesht duhet maturi.

E konsideroni të suksesshëm sezonin, nëse fitoni Kupën?

E kemi prioritet Kupën dhe nëse ngremë lart trofeun, e konsideroj të arrirë sezonin. Por kjo nuk na pengon të synojmë titullin, kemi treguar se jemi favoritë. Do të shfrytëzojmë kualitetet që kemi për të bërë më të mirën dhe të përligjim investimet e presidentit. Fryma e bashkëpunimit dhe atmosfera këtu është ideale.

Do të ketë rotacion me Laçin?

Duke qenë që kohët e fundit kemi luajtur çdo 3 ditë, lojtarët kanë pasur ngarkesë fizike, por nuk dua kurrsesi të rrezikoj askënd në këtë fazë të sezonit. Ngarkesa mund të ndikojë për dëmtime dhe duhet të kemi ndërthurje të titullarëve me ata të stolit. Kushdo që hyn në fushë, duhet të japë maksimumin. Kërkoj nga skuadra të jetë e qetë.

Situata jo e mirë te kurbinasit a është një bonus për ju?

Nuk mendoj që situata është e keqe tek Laçi, që është një ekip me stabilitet. Kanë lojtarë që vlejnë. Në futboll ndodh shpesh që kur nuk je aty ku synon, ke egërsi sportive për t’i marrë maksimumin vetes, ndaj na duhet përqendrim. Laçi e ka fituar Kupën vitet e fundit.

Çfarë vlerësimi keni për lojtarët e ardhur në merkaton e janarit?

Jam i kënaqur, i di sakrificat që kanë bërë për tu inkuadruar. Mos prisni menjëherë protagonizmin e tyre, u duhet ende kohë. Kanë cilësi dhe shumë shpejt do të justifikojnë besimin tonë. Falë tyre organika është e pasur dhe jemi në rrugën e duhur. Objektiv i klubit është sigurisht të arkëtojë, ndaj do kishim largime. Jemi munduar të plotësohemi, jemi në vend të parë, pra brenda objektivave tona, kështu që nuk ka ndikuar merkato e dimrit në rezultatet e fundit.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"