Tavo: Kemi projekt, mos u çudisni nëse mundim edhe Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2016 | 18:27

Tavo: Kemi projekt, mos u çudisni nëse mundim edhe Kukësin

Ishte viti 1999, kur biznesmeni Grigor Tavo u shfaq për herë të parë në futbollin shqiptar, duke investuar për një Luftëtar kampion. Qëndroi në krye të klubit për vetëm dy sezone, por nuk solli trofe në Gjirokastër, edhe pse pjesë e bluzinjve ishin lojtarët më të njohur në Shqipëri për kohën.

Artur Dadaj dhe Grigor Tavo, dy financuesit e Luftëtarit

Artur Dadaj dhe Grigor Tavo, dy financuesit e Luftëtarit

Tashmë është rikthyer te Luftëtari si zotërues i 75% të aksioneve të shoqërisë aksionere të klubit bluzi. “Nuk kam qejf të jap intervista. Më mirë flasim pas fitores në Kukës”, nis me shaka Tavo bisedën për “Panorama Sport”. Në një intervistë ekskluzive për gazetën presidenti i gjirokastritëve tregoi planin për klubin.

Zoti Tavo, pas 15 vitesh riktheheni të investoni në klubin e Luftëtarit, duke marrë 75% të aksioneve…?

Unë që në fëmijëri e kam ndjekur ekipin si tifoz dhe kam udhëtuar me këmbë kilometra të tëra për të mbështetur Luftëtarin e lavdishëm. Kjo ndjesi më kishte munguar, por pas një viti pune e sakrifice, tashmë po filloj të ndiej sërish të njëjtën ndjesi, bashkë me tifozët gjirokastritë. Na duhet akoma punë që të kthehemi në ato nivele, por ambicia që ka shfaqur skuadra dhe me emocionet që më ka dhuruar, në momente të caktuara më është dukur si Luftëtari i lavdishëm. E rëndësishme për mua është që ky investim të shpërblehet në emocione të forta për të gjithë. Pra, kjo ka rëndësi më shumë se çdo gjë tjetër.

Përveç bashkisë, e cila ka 25% të aksioneve, jeni i vetëm që financoni në klub apo janë afruar edhe donatorë të tjerë së fundmi?

Jam bashkë me një mikun tim, që gjithashtu e dashuron këtë ekip. Bëhet fjalë për zotin Artur Dadaj.

Tashmë që jeni bërë pronar i klubit, gjithçka e shikoni si biznes dhe mendoni se këto investime do të kthehen një ditë…

Sigurisht, nëse një klub në ditët e sotme nuk do ta shikoj si një biznes është amatorizëm dhe mungesë profesionalizmi. Pra, një dështim i sigurt që nuk ka jetëgjatësi. Të gjitha klubet e suksesshme ndërtohen me mbështetje dhe baza biznesi. Kjo duhet ndërthurur me shumë kujdes, me qëllimin kryesor, që si në çdo garë të ecësh sa më shumë dhe të japësh maksimumin për të kapur vendin më të mirë.

luftetari stervitje

Çfarë planesh keni me Luftëtarin. Doni thjesht të mbijetoni në Superiore apo do të kërkoni të ndërtoni një ekip si i 16 viteve më parë që kishte synime madhore?

Plani ynë nuk është aq i thjeshtë, sa ta përmbledhim me një fjalë të vetme siç është objektivi i mbijetesës këtë sezon në Superiore. Ky është një projekt në tërësi, duke filluar nga ndryshimi i strukturave të klubit dhe deri te mentaliteti dhe ndjesia që do të përçoj te tifozët ky klub. Duhet të ndërtojmë një klub funksional, si në të gjitha vendet, të cilat kanë nivele të larta.

Keni marrë 10 pikë në 8 ndeshje, jeni i kënaqur apo keni pritur më shumë nga ekipi?

Jam i kënaqur, por edhe i sigurt që do të marrim më shumë pikë në vijim.

Fitorja ndaj Tiranës ishte surprizuese për të gjithë, nisur edhe nga fakti që kundërshtari vinte pas një ecurie mbresëlënëse. Ju e mendonit se mund të thyenit Tiranën?

Për mua nuk ishte një fitore e papritur. Që nga ndeshja e parë e këtij kampionati, Luftëtari ka treguar që është një skuadër surprizuese dhe të bën për vete me lojën që zhvillon. Të gjithë në Gjirokastër prej një viti presin të shohin një ekip dinjitoz dhe realisht kanë marrë nga ky Luftëtari atë ndjesi që u ka munguar.

luftetari tirana

Keni shkuar deri në Serbi për të gjetur trajner. Pse kjo zgjedhje, në një kohë që e kishit një trajner që ktheu skuadrën në Superiore?

Futbolli është global tashmë, kështu që për mua dhe besoj për çdo president, nuk ka rëndësi kombësia e trajnerëve apo lojtarëve. Unë shikoj profesionalizmin dhe Mlladen Milinkoviç është një i tillë. E vlerësoj dhe e respektoj për punën që ka bërë në skuadër deri më tani.

Afruat pesë lojtarë të huaj, keni ndonjë peng nga merkatoja e verës?

Po, kam pengje, por koha nuk kthehet. Diçka mund të ishte bërë ndryshe.

Luftëtari nuk po luan në shtëpi prej tetë javësh, pse u vonuan kaq shumë punimet në stadium?

Është fakt tashmë që punimet janë vonuar, por nuk dua të gjej fajtorë. Kjo na penalizon, jo vetëm për mbështetjen që jep tifozëria, por mbi të gjitha për të realizuar qëllimin kryesor, për të argëtuar sërish pas shumë kohësh tifozërinë gjirokastrite.

Do të luani në fundjavë ndaj një kundërshtari si Kukësi që nuk njeh humbje. Çfarë prisni?

Pres të papriturën për opinionin sportiv. Dua që skuadra të dhurojë spektakël dhe të marrim pikët maksimale edhe në Kukës. Deri më tani nuk kemi zhvilluar asnjë ndeshje si inferior, kështu që do të vazhdojmë të luajmë me kokën lart për të marrë maksimumin.

BONUSET PËR LOJTARËT

Presidenti i Luftëtarit tregon se si po e motivon ekipin. “Përveç pagës mujore, lojtarët janë shpërblyer pas çdo katër ndeshjeve në bazë të pikëve që ka grumbulluar skuadra. Do të aplikojmë shpesh edhe premio ekstra për ekipin”, ka thënë Tavo sa u përket shpërblimeve të lojtarëve.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"