Superliga e Kosovës/ Llapi i jep “shuplakë” Ballkanit të Dajës. Fitojnë edhe Prishtina me Malishevën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2023 | 16:47

Superliga e Kosovës/ Llapi i jep “shuplakë” Ballkanit të Dajës. Fitojnë edhe Prishtina me Malishevën

Java e 17-të e Superligës së Kosovës ka nisur me rezultatet interesante, ku bie në sy triumfi i Llapit në shifrat 5-3 ndaj kampionëve të Ballkanit, që drejtohen nga trajneri Ilir Daja Llapi ka ndërprerë serinë e 25 ndeshjeve pa disfatë të Ballkanit në elitën e futbollit të Kosovës. Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani, që për herë të fundit në Superligë kishte humbur në “Zahir Pajaziti” pikërisht nga Llapi më 12 mars.

llapi

Ndeshja dramatike u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Pesë gola u realizuan në pjesën e parë, dhe dy tjerë në pjesën e dytë. Të udhëhequrit e trajnerit Tahir Batatina shënuan dy gola fillimisht.

Hamdi Namani në minutën e shtatë shënoi me kokë pas shkëputjes së lartë në zonë. Në minutën e 16-të, Llapi ndërtoi aksion shumë të mirë, që në fund në gol u konkretizua nga sulmuesi Muhamet Hyseni. Sipas “koha.net”, për futbollistin e Kosovës ishte goli i 11-të i edicionit aktual. Por, të besuarit e trajnerit Ilir Daja nuk u dorëzuan. Iniciativa e mysafirëve rezultoi me penallti të fituar. Në minutën e 24-t, sulmuesi i krahut, Valid Hamidi, që u pengua në zonë nga Granit Jashari.

Gjyqtari Visar Kastrati sinjalizoi në penallti, ndërsa Nazmi Gripshi në minutën e 26-të ishte i pagabueshëm nga 11-të metra. Më pas, Ballkani i barazoi shifrat.

Pesë minuta para se skuadrat të shkonin në pushim, sulmuesi Albin Berisha shënoi për 2:2 në minutën e 40-të. Por, Llapi u kthye në lojë sërish me golin e dytë të Namanit. Mesfushori shtatlartë gjuajti fuqishëm nga zona për 3:2, në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, raste patën të dyja skuadrat, por ishin vendësit që shënuan edhe një tjetër gol. Gentrit Halili e kapi brenda në zonë Muhamet Hysenin. Pas rishikimit të situatës në VAR, gjyqtari Kastrati sinjalizoi në penallti, kësaj radhe për Llapin.

Muhamet Hyseni realizoi sërish në minutën e 73-të për 4:2, për golin e 12-të të edicionit. Golin e pestë për Llapin e realizoi sulmuesi Ahmed Januzi, një minutë para fundit.

Ndërkohë, në minutën e pestë të kohës shtesë shënoi edhe Albin Berisha duke vulosur rezultatin në 5:3. Llapi me këtë fitore ka 31 pikë në 17 ndeshje. Ballkani mbetet lider me dy ndeshje më pak të luajtura dhe ka 38 pikë.

Prishtina-Fushë Kosova

prishtina

Prishtina ka fituar përballë Fushë Kosovës. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, Prishtina fitoi me rezultatin 1:0 dhe e vazhdoi serinë pa humbje në gjashtë ndeshje në të gjitha garat. Ka tri barazime e tri fitore. Për skuadrën që drejtohet nga trajneri Emmanuel Egbo, golin e vetëm në këtë ballafaqim e shënoi kapiteni Mërgim Pefqeli në minutën e 32-të. Fushë Kosova në minutën e 74-t fitoi penallti, por nga pika e bardhë gaboi sulmuesi Urim Statovci.

Malisheva-Liria

malisheva

Falë penalltisë së fituar dhe konkretizimit të Drilon Hazrollajt, Malisheva mposhti Lirinë në shifrat 1:0 në stadiumin “Liman Gegaj”.

Nga minuta e 73-të, Malisheva luajti me një futbollist më pak në fushë, pasi me kartonin e dytë të verdhë u ndëshkua Agon Xhaka.

kos

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"