Sulmuesit në “ajër”, Kukësi ka dy çështje urgjente për të zgjidhur para pjesës së dytë të sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2023 | 21:56

Sulmuesit në “ajër”, Kukësi ka dy çështje urgjente për të zgjidhur para pjesës së dytë të sezonit

Ashtu si çdo skuadër, edhe Kukësi do të përpiqet ta shfrytëzojë merkaton e janarit për t’u përforcuar. Ndonëse mundësitë për ndërhyrje nuk janë të shumta, pasi vështirë të gjenden lojtarë që mund të bëjnë diferencën, në Kukës po studiojnë me kujdes çdo afrim të mundshëm që mund të bëjnë.

KUKESI

Dy fazat e para kanë treguar se skuadra ka stonuar dhe hasur probleme në të gjitha repartet, edhe pse nuk kanë munguar në anën tjetër edhe ndeshjet pozitive. Gjithsesi, fakti që janë në vendin e parafundit tregon se skuadra nuk është aty ku duhet dhe në njëfarë mënyre, drejtuesit janë të detyruar të hyjnë në treg.

ÇËSHTJET E SULMIT – Megjithatë, përpara sesa të bëhet merkato në hyrje, në Kukës pritet që fillimisht të sqarohet situata me lojtarët aktualë. Vetëm pasi të ndahet përfundimisht se çfarë do të bëhet me ata futbollistë që janë në mëdyshje për shkak të problemeve që kanë pasur deri më tani, do krijohet ide më e qartë për afrimet. Për momentin, duket se çështja më e nxehtë është sulmi dhe që kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë. Bëhet fjalë për dy lojtarë, Atdhe Rashiti dhe Sebastian La Torre.

I pari, u rikthye të luante me Kukësin në ndeshjen e fundit, ku u pezullua disa ndeshje për shkak të përplasjeve me trajnerin Stavri Nica. U mendua se në merkaton e janarit do të largohej, por mjaftoi ndeshja me Laçin për të shtuar edhe njëherë dilemat, nëse ky i fundit do të qëndrojë apo jo. Paraprakisht mësohet se drejtuesit e vlerësojnë sulmuesin dhe shpresojnë që të përfitojnë diçka nga shitja e tij e mundshme. Nga ana tjetër, është për t’u sqaruar edhe situata me sulmuesin tjetër, Sebastian La Torre. Peruani prej disa javësh nuk po stërvitej më me klubin dhe nuk ka luajtur, ndërsa së fundmi ka udhëtuar drejt vendlindjes së tij.

E gjitha mesa duket lidhet me gjendjen e tij emocionale, e cila nuk ka qenë fort e mirë këto kohët e fundit. Mësohet se ai ka disa probleme familjare, të cilat kanë bërë që për momentin, futbolli të kalojë në plan të dytë. Për këtë arsye ai ka udhëtuar kaq larg dhe mbetet për t’u parë nëse do të rikthehet sërish me Kukësin apo aventura e tij do të mbyllet me vetëm një gjysmë sezoni, në të cilën ai ka arritur të shënojë katër gola.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"