Gol shprese Torinos dhe polemika, Neptun Bajko: Pano magjepsi italianët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 16:54

Gol shprese Torinos dhe polemika, Neptun Bajko: Pano magjepsi italianët

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Me Neptun Bajkon më afron një miqësi shumë e vjetër, kur ai ishte në kohën e dashurisë pasionante me Tanën, gruan e tij. Sa herë që takohemi, kujtojmë pak nga të gjitha, sigurisht më kryesorja karriera, kur shpërtheu. Ka qenë një talent, ndër sulmuesit e krahut më spektakolarë që ka parë futbolli kombëtar. Pastaj, dueli me Torinon, përballja me një skuadër të kampionatit italian.

neptun bajko

Neptun, ju kujtohet goli në Torino?

Topi u nis nga mbrojtja, unë kalova në mesfushë, ndërsa Çiraku u spostua në anësore dhe pas një kombinimi me Mihal Gjikën harkoi në zonë. Vieri, në pamundësi ta presë, e grushton. Topi u përplas në traversë, kthehet në fushë. Duke parë hezitimin e mbrojtjes italiane, kam vrapuar me shpejtësi dhe nga një distancë 6-7 metra kërceva dhe me kokë godita. Topi shkoi në trekëndëshin e majtë të Vierit, i cili as nuk tentoi të lëvizte. Por, më shikonte mua që vrapoja duke bërtitur “Gooool” nga gëzimi. Ka qenë minuta e 83-të.

Pse nuk përfundonte stërvitja, ju mbyllën dritat?

Stërvitja njohëse me stadiumin u zhvillua të martën në të njëjtën orë me ndeshjen. Pra, parashikohej 90 minuta. Gazetarë, fotoreporterë, kishin rrethuar fushën dhe na ndiqnin. Në çastin kur Refiku na bëri thirrje që ta mbyllnim, ne iu lutëm të qëndronim edhe dhjetë minuta. Mendoni, një mbrëmje e freskët, një ambient i jashtëzakonshëm. Ndërkohë, edhe dritat u ulën, por nisur nga dëshira jonë, italianët i rihapën dhe ne vazhduam të ndarë në dy skuadra, edhe 30 minuta të tjera. Për disa nga ne ishte hera e parë që luanim me drita.

A ishte Pano më i vlerësuari atje?

Kujtoj një moment kur një top i gjatë i dhënë nga Bizi, pas shpine të mbrojtjes, Pano pas një sprinti, e ndaloi thuajse në vijën fundore topin dhe me një lëvizje shmangu në mënyrë spektakolare ndërhyrjen me të dyja këmbët të Puiës. Pastaj u nxitua në pasim se edhe mund të ecte drejt portës. Në kohën që Pano po zëvendësohej, i gjithë stadiumi duartrokiti. Ne u habitëm, por të nesërmen një gazetë shkruante: Partizani ishte një skuadër e mirë, me një përgatitje të jashtëzakonshme dhe kishte një lojtar të madh, që ishte Pano. Por, aty kanë luajtur mirë edhe Bizi, si dhe dy Gjikët, Mihali e Spiro.

Më treguat për një familje…

Gjatë qëndrimit në hotel, një natë para takimit, vjen një familje prej 4-5 vetash të arratisur nga Shkodra dhe kërkuan leje të takonin ekipin. Shoqëruesi ynë, duke parë që nga sytë e tyre po dilnin lot, pranoi. Dhe kur zbritëm, u lëshuan drejt nesh me një mall të madh. “Kush janë shkodranë?”, pyesnin, duke përqafuar Sabahun, Ramazanin e Lin Shllakun.

Edhe një herë, cila është historia pas golit?

Kur mbaroi loja, publiku nuk lëvizte, ndërsa ne qëndronim pranë vijës anësore, me pretendimin se duhet të zhvilloheshin edhe 2×15 minuta. Sapo ishte futur rregulli i golit të dyfishtë në transfertë. Tifozët e Juventusit në stadium na mbështesnin, madje kur bëmë golin u dëgjua një shpërthim. Kujtuam se ishin shqiptarë, por jo, ishin juventinë. Nga qendra e zërit vinte njoftimi për largimin e tyre, duke i fikur disa herë dritat. Nuk dinim si të vepronim, hezitonin edhe arbitrat, ishin në dilemë. Pati kontestime, debate midis stolave, atij italian dhe të Partizanit, nga Terihati e Foto Sofroni, konsulli ynë në Itali, në një kohë që Fabri, trajneri i Torinos, u bënte me shenjë lojtarëve të tij të futeshin brenda se ndeshja kishte përfunduar. Erdhi edhe ai i UEFA-s dhe ndërsa u futëm në tunel pati një tjetër acarim midis drejtuesve të klubeve.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"