Histori e 65 viteve më parë, Ljubisa Broçiç i Kombëtares së Shqipërisë bën Juventusin kampion të Italisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2023 | 21:02

Histori e 65 viteve më parë, Ljubisa Broçiç i Kombëtares së Shqipërisë bën Juventusin kampion të Italisë

Nga BESNIK DIZDARI
Ky është një lloj përvjetori krejt origjinal. Plot 65 vjet më parë, më 1958- ën, jugosllavi i Beogradit, Ljubisa Broçiç, bën kampione të Italisë skuadrën legjendare të Juventusit. Dhe Broçiç është i vetmi trajner i Kombëtares së Shqipërisë që ka arritur këtë maje karriere. Kur mendon mandej se famën e parë atij ia blatoi Shqipëria – kampione e Ballkanit 1946, atëherë të duket se kjo arritje e trajnerit Broçiç, është, sado pak, edhe arritje për historinë e futbollit shqiptar.

Ljubisa Broçiç, duke drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë në ndeshjet e Ballkaniadës 1946.

Ljubisa Broçiç, duke drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë në ndeshjet e Ballkaniadës 1946.

Sigurisht vite të shkuara kam shkruar jo pak për Broçiçin. Po përfitoj sot nga ky 65- vjetor për t’i rikujtuar edhe njëherë Shqipërisë sime historinë shqiptare të një trajneri të përmasave botërore, i cili, drejt me thënë, u përurua me Shqipërinë përmes një suksesi që bëri bujë në gjithë Europën: Shqipëria-Kampione e Ballkanit 1946.

Dhe pa e zgjatur po kaloj te këto radhë të gazetës “Politika” të Beogradit 1946, të ribotuar në shtypin shqiptar nën këtë stil të bukur “mazrrekian” të gegërishtes:

“Kur arbitri i fryen bilbilit në mbarim të lojës Rumania–Shqipnia dhe stadiumi buçiti nga zanet e ma se 30.000 spektatorëve, lojtarët shqiptarë u vërsulën kah porta, ku qëndronte traineri i tyne Ljubisa Broçiç, e mueren përdore dhe e ngriten në triumf, tue e sjellë para tribunës qendrore. Ky xhest i lojtarëve shqiptarë, ka qenë shumë simpatik, mbasi në çastin e fitores së madhe nuk harruen trajnerin e tyne Broçiç, por s’bashku me te deshtën me kremtue fitoren e madhe, mbasi edhe ai kontribuoi në një shkallë të gjanë për të”.

Ky është një kalim i asokohe marrë pra nga shtypi shqiptar prej një shkrimi të “Politikës” së Beogradit, që në një fare mënyre përmbledh shumë shkurt edhe thelbin e nderimit shqiptar ndaj trajnerit Ljubisa Broçiç.

Më 1946 ai ishte 35 vjeç. Shtatë muaj më vonë, mbasi Shqipëria humbet 0-4 me Rumaninë për kampionatin e ri ballkanik pa Broçiçin, atë e thërrasin përsëri. Do të ketë dy ndeshjet e tij të pafat, 0-2 me Bullgarinë dhe 0-3 me Hungarinë dhe largohet tashmë. Mbas një viti (1948) është një këshillues i kombëtares të Jugosllavisë, e ndërsa Shqipëria barazon 0-0 në Beograd, ai ka qytetarinë të përshëndesë me sinqeritet rezultatin e madh të nxënësve të tij.

Sot e kësaj dite nuk i kemi bërë asnjë nderim Ljubisa Broçiçit, i cili i dha aq shumë Kombëtares së Shqipërisë, madje është një nga themeluesit ndërkombëtar të saj. Po nga ana tjetër nuk duhet harruar se qe kjo Kombëtare që i dha jo pak atij, duke e bërë të famshëm. Broçiç kishte qenë partizan i Luftës së Dytë Botërore nën formacionet jugosllave të Titos, e menjëherë në këtë 1946, është trajner i skuadrës së Sindikatave të Beogradit, që në të vërtetë kishte lojtarë të shquar dhe ishte një lloj përfaqësueseje e vetë Beogradit, pavarësisht prej emrit propagandistik. Broçiç kishte mbaruar fakultetin e edukimit fizik të Beogradit, kishte qenë mesfushor i qendrës deri i kombëtares së Jugosllavisë mbretërore, nga periudha 1935 deri më 1941-shin.

Fama e arritjes me Shqipërinë do ta çonte te trajner i Crvena Zvezdës (1951) dhe i Eindhovenit të Holandës (1956-57), prej ku mbërrin deri tek ajo që dihet mirë: trajner i Juventusit, me të cilin më 1958 fiton pra kampionatin e Italisë. Natyrisht mbasi kishte çuar te titulli kampion i Jugosllavisë Crvena Zvezdën (1951).

JUVENTUS 1958. Kjo është skuadra që fitoi titullin 1958 nën drejtimin e trajnerit Ljubisa Broçiç. NË KËMBË NGA E MAJTA: B.Boldi, U.Colombo, G. Boniperti (kapiten), B. Garzena, presidenti i klubit Umberto Agnelli, J Charles, R.Ferrario, G.Corradi, B.Nicole. ULUR NGA E MAJTA: G.Viola, A.Montico, G.Stacchini, G.Turchi, G.Stivanello, F.Emoli, O.Sivori, G.Patrucco, C.Mattrel;

JUVENTUS 1958. Kjo është skuadra që fitoi titullin 1958 nën drejtimin e trajnerit Ljubisa Broçiç. NË KËMBË NGA E MAJTA: B.Boldi, U.Colombo, G. Boniperti (kapiten), B. Garzena, presidenti i klubit Umberto Agnelli, J.Charles, R.Ferrario, G.Corradi, B.Nicole. ULUR NGA E MAJTA: G.Viola, A.Montico, G.Stacchini, G.Turchi, G.Stivanello, F.Emoli, O.Sivori, G.Patrucco, C.Mattrel;

Brenda vitit 1957-1958, Broçiç e bën skuadrën e Anjelit kampione të Italisë për herë të 10-të. Ky Juventus është skuadra e parë italiane që mbërrin titullin e 10-të, në dy shifra, të kampiones së Italisë, ndryshe atë që italianët quajnë “scudetto”. Është distinktivi me ngjyrat e flamurit italian, çka përherë simbolizon fitimin e titullit kampion kombëtar.

brocic 2

Broçiç ka fatin e madh të ketë në skuadër treshen e rrallë Boniperti-Charles-Sivori. Në librin e historisë së Juventusit, përcaktimi për këtë sukses është ky: “Merita e këtij titulli është e trajnerit jugosllav Ljubisa Broçiç, një poliglot simpatik me flokë të bardhë”.

Do ta rrëzonte mosmarrëveshja e tij me Sivorin, por mbi të gjitha Kupa e Kampioneve të Europës sezonin e ardhshëm, madje vetëm një ndeshje e saj krejt aksidentale: Viener sportklub-Juventus 7-0! Këtu duket sikur merr fund karriera e madhe e Ljubisa Broçiçit, që i dha titullin e 10-të Juventusit të madh, po dhe njeriu i cili e bëri Shqipërinë kampione të Ballkanit, emrin e të cilit askush nuk guxoi ta përmendte në Shqipëri për plot 43 vjet!

Një foto e rrallë. Ljubisa Broçiç (djathtas) kur ishte trajner i Juventusit, duke shkuar drejt fushës së stërvitjes.

Një foto e rrallë. Ljubisa Broçiç (djathtas) kur ishte trajner i Juventusit, duke shkuar drejt fushës së stërvitjes.

Do të ketë megjithatë edhe një kulm tjetër befasues, kur më 1960-1961 papritmas është as më pak e as më shumë, por trajner i Barcelonës – kampione në fuqi e Spanjës dhe fituese e Kupës së Panaireve – kur në skuadër ka Kocishin dhe Cziborin, dy hungarezët legjendarë të Hungarisë së Pushkashit. E mbyll karrierën si trajner i Bahreinit më 1980-ën në eliminatoret e Kupës së Botës. Mbasi kishte qenë kështu, trajner i klubeve në zë si Juventus, Crvena Zvezda, PSV Eindhoven, Barcelona, si dhe i kombëtareve të Shqipërisë, Egjiptit, Libanit, Kuvaitit, Zelandës së Re dhe Bahreinit.

Kështu merrte fund historia edhe shqiptare e Ljubisa Broçiçit, i cili me titullin e tij shqiptar të kampionit të Ballkanit, do t’ia fillojnë “curriculum”-in e jetës së tij të gjitha enciklopeditë.

Jam munduar vitet e fundit të bije në gjurmët e tij, dhe më se një herë, përmes shkrimeve apo dhe bisedave, kam mëtuar se këtij njeriu Shqipëria i ka një borxh të madh nderimi, çka nuk e ka bërë sot e kësaj dite. Ljubisa Broçiç u rrit kësisoj me vetë suksesin e madh shqiptar, natyrisht falë edhe mbështetjes së fuqishme të të dy ndihmesave të tij shqiptarë, Adem Karapici e Ludovik Jakova, të cilët ia zbulonin me zgjuarsi gjithë botën shqiptare të futbollit.

I paharrueshmi Pal Mirashi, njëri prej nxënësve më të denjë të tij, tregonte: “Broçiç përzgjodhi 29 futbollistë si fillim, u kushtoi shumë rëndësi dy treguesve: përgatitjes fizike të lojtarëve dhe disiplinës. Ishte një njeri i hijshëm dhe shumë i aftë. U mërzit shumë kur mësoi se pjesa më e madhe e futbollistëve pinin duhan. I pyeti një nga një se sa cigare në ditë pinin dhe u tha se “qysh nesër cigaret do t’ua sjell unë”. Kështu bëri dhe brenda pak ditëve, duke ua pakësuar vazhdimisht, ia arriti që asnjeri të mos pinte më duhan. Zhvillonte një stërvitje tepër të larmishme dhe aty kam parë për herë të parë që mbas çdo stërvitjeje, ai bënte peshimin e lojtarëve. Gjatë 45 ditëve, ai e shtonte çdo ditë dozën e stërvitjes përmes një larmie ushtrimesh gjithmonë në tri drejtime: atletike, teknike, taktike. Brenda pak ditëve ia arriti që t’i mësonte skuadrës përvetësimin e shkëlqyer të sistemit WM, gjë që do t’i befasojë kundërshtarët tanë gjatë ditëve të kampionatit. Unë ruaj kujtimin e jashtëzakonshëm ndaj tij. I bënë presion të madh të më largonte nga formacioni për shkaqe politike të biografisë sime, por ai nuk u spraps, madje kërcënoi me dorëheqje “nëse nuk luan Mirashi”. I paharruar mandej pragu i ndeshjes me Jugosllavinë, sidomos episodi me dy trajnerët e atletikës të ekipit jugosllav, të cilët i kërkuan me ngulm që ai të mos lejonte humbjen e Jugosllavisë. Mendoj se Broçiç ka rezistuar fort”, përfundon Mirashi në kujtimin e tij.

Ndërkaq, tejet interesant është edhe kujtimi i një futbollisti tjetër të paharrueshëm, Xhelal Juka, në intervistën që i ka dhënë kolegut Namik Mehmeti.

“Ndeshja e parë, ajo me Malin e Zi, – ka treguar Juka, – ishte një provë “gjenerale” për Ballkaniadën, ku u zgjodhën futbollistët më të mirë të Shqipërisë. Unë isha i grumbulluar me ekipin kombëtar në hotel ‘Internacional’ dhe mbas dy javë stërvitjesh erdhëm për ndeshje në Shkodër. Nuk e mendoja se do të isha në formacion simbas sistemit klasik WM, sepse në qendër të sulmit (centërfor) ishte Boriçi. Në krahë nuk parapëlqeja të luaja. Mbasi u grumbulluam në hotelin e Kafes së Madhe kur erdhëm në Shkodër (ndonëse ne shkodranët flinim në shtëpitë tona), më afro het Bimo Fakja e më thotë: ‘Xhelal, shko në shtëpi e flejë herët, sepse nesër je në formacion’. U besova fjalëve të tij mbasi Broçiç ishte një mik i Fakjes dhe kishte shumë konfidencë me të. Parapani ishte i sëmurë me temperaturë dhe nuk mund të luante. U bë një zhvendosje në krahët, ku gjysmësulmues ishin Boriçi dhe Mirashi, e nëse unë fitova qendrën (Nr. 9), ky ishte një privilegj për mua dhe më dukej një ëndërr, çka e vlerësova shumë. Kujtoj se sportdashësit shkodranë treguan shumë interes për këtë ndeshje. Vështirë për biletat dhe njerëzit na rrethonin për të na kërkuar bileta. Kur shkuam pranë Fushës së Vjetër (më vonë e ashtuquajtura “zona industriale”), autobusi e kishte të vështirë të çante rrugën. Njerëzit vraponin, duke na ndjekur nga mbrapa autobusit. Kjo ndodhi edhe mbas ndeshjes. Kur do të fillonte Ballkaniada, unë dhe Preng Gjeloshi, edhe pse luajtëm në ndeshjen e Shkodrës, mbetëm jashtë formacionit, por në Kombëtare ishim deri në prag të ndeshjes së parë, duke qenë se Biçaku, Teliti, Boriçi, Mirashi, Kavaja e tjerë ishin të padiskutueshëm. Ky fakt nuk më dekurajoi për të vazhduar që të luaja me pasion dhe angazhim për të hyrë në historinë e futbollit shqiptar. Broçiç ishte atëherë 35 vjeç, shumë serioz dhe në të njëjtën kohë një komunikues i çiltër me futbollistët. Shumë shpejt njohu aftësitë e futbollistëve, cilësitë e tyre, u gjeti secilit vendin që u takonte dhe që dëshironte të luante. Edhe pse krijonte momente humori e komunikimi të sinqertë, ishte menjëherë edhe kërkues dhe nuk tërhiqte në asgjë nga plani që ai kishte parashikuar të zbatonte. Me Bimo Fakjen kishte tepër intimitet, por nuk i bënte dallime apo diferencime”.

Në të vërtetë, kjo Kombëtare e sapothemeluar në ndeshjen me Malin e Zi të fitores së bujshme 5-0, e para ndaj përfaqësueses së një kombi tjetër, me Xhelal Jukën – autorin e dy golave (1 ndeshje dy gola – unikalë në historinë e futbollistëve të Kombëtares deri më sot) – do ta mbyllte me kaq, ndonëse ai edhe për e pakta dhjetë vjet do të ishte një protagonist i madh i futbollit shqiptar. Në të vërtetë, gjithë kjo liri e ndeshjes së parë të Kombëtares së Shqipërisë nuk do të dilte jashtë kornizave të vitit 1946. Biografia, lufta me emrat dhe familjet nuk do t’i ndahej as sportit, as Xhelal Jukës e sa e sa të tjerëve…

Ljubisa Broçiçin e sillte në Shqipëri, mbi gjithçka, miqësia politike shqiptarojugosllave e dy regjimeve komuniste. Ai mbërrin në Shqipëri vetëm në shtatorin e vitit 1946 dhe brenda disa javëve e bën gati Kombëtaren me fanellat kuqezi. Si provë gjenerale, siç u tha, për kampionatin ballkanik në prag, ai zgjedh të thërrasë përfaqësuesen e Malit të Zi në ndeshjen e Shkodrës. Është dita e njohur e 22 shtatorit 1946. Dhe… 5-0 për Shqipërinë në të parën ndeshje të Kombëtares përballë një përfaqësueseje të një shteti të huaj.

Për kampionatin ballkanik, Ljubisa Broçiç do ta nisë me Jugosllavinë “mike”, në krye të së cilës si trajnerë janë dy emra të mirënjohur të vetë historisë botërore të futbollit: Milorad Arsenijeviç dhe Aleksandër Tirnaniç. Kishin qenë pjesë e 11-shës së Jugosllavisë, madje titullarë në të tri ndeshjet e saj, në kampionatin e parë Botëror të futbollit, atë të Montevideos 1930. Arsenijeviç si gjysmëmbrojtës dhe Tirnaniç si sulmues, dhe ky i fundit edhe autor i golit të parë të Jugosllavisë në kampionatin botëror, në ndeshjen dhe fitoren historike kundër Brazilit në Montevideo më 14 korrik 1930: Jugosllavia – Brazili 2-1, që e çonte vendin ballkanik në katërshe të botës në atë vit 1930!

Kjo për të kuptuar sadopak se në këtë Ballkaniadë, Shqipëria do të triumfonte ndaj dy prej shteteve themeluese të Kupës së Botës, kur kujton se edhe Rumania kishte qenë në kampionatet e para Botërore, madje tri herë rresht: 1930, 1934, 1938. Po për çudi, emrat e Arsenijeviç dhe të Tirnaniç nuk duken askund në shtypin shqiptar të Tiranës në këtë 1946, ndonëse ata janë aty në pankinën e Jugosllavisë të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

Vijmë kështu te kjo ndeshje përuruese e 7 tetorit 1946, ndeshja e parë e kampionatit ballkanik të Tiranës, dhe Broçiç nuk i qëndron besnik formacionit të Shkodrës. Ai nuk nguron dhe zëvendëson 4 titullarë: Juka, Bizhuta, Gjeloshi, Foto Janku, duke sfiduar jo pak. E ndien se Jugosllavia ishte zot shtëpie në Shqipëri dhe falë kësaj sigurie, kupton se askush nuk do të guxojë të kundërshtojë. Ai ka aftësinë të kuptojë se lojtarët e SK Tiranës, Demneri, Spahiu, Parapani e tashmë dhe Mirashi i Shkodrës duhet të jenë në 11-she. Kështu i del përpara Jugosllavisë së tij më 7 tetor 1946, në ndeshjen përuruese të kampionatit ballkanik në dramën e atij 2-3 legjendar. Dhe po kaq, siç ka mbetur në histori si premiera e parë e Shqipërisë në një kampionat ndërkombëtar, dita e 7 tetorit 1946 shënohet në histori edhe si një “rekord” klimatologjik, i pathyer sot e kësaj dite për tokën shqiptare, me shiun e papushueshëm.

Për vite, merita e madhe e Ballkaniadës është identifikuar vetëm me meritën e regjimit. Por për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se fitorja e titullit kampion i Ballkanit, më tepër është sinjifikativi i kampionateve të paraluftës se sa këtyre të mesit të viteve ‘40. Të parët triumfojnë në dy drejtime: vunë baza e futbollit dhe i sollën kësaj Shqipërie 1946 plot 6 protagonistë, të cilët i kishin lindur ato kampionate të viteve ‘30: Tahiri (ndonëse jo në Shqipëri), por në Malin e Zi), Llambi, Fakja, Teliti, Boriçi. Sot mbas zbulimit të organizimit të tri kampionateve kombëtare të futbollit nga Italia fashiste më 1939, 1940, 1942 (Shih botimin tonë “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”, Libri III, Ombra 2004) del se edhe kampionët e tjerë të Ballkanit si Dibra, Spahiu, Demneri, Biçaku, Parapani, Kavaja, Fagu, janë prodhim i këtyre kampionateve të viteve ‘40 të Luftës.

Ndërkaq, vitet ‘40, që sapo kishin filluar, për regjimin kanë meritën se kishin bashkuar dy dekada në një, dhe se ky regjim diti të organizonte për së mbari Kombëtaren e Shqipërisë, të lindur më 1936-ën. Nga ana tjetër, nuk mund të harrohet kurrë që edhe pse trajner i parë është Ljubisa Broçiç, Adem Karapici, sidomos, po dhe Bik Jakova, figura të mëdha të futbollit shqiptar të paraluftës, duke qenë bashkëtrajnerë me jugosllavin, kanë pra një meritë të jashtëzakonshme. Madje, Karapici, i cili vinte me diplomën e universitarit të Romës, qëndronte po aq lart në kulturën perëndimore të llojit, edhe sesa vetë universitari Broçiç. Ndërsa përsa u përket vlerave të fushës së blertë, përsërisim se tri kampionatet kombëtare të Luftës, kanë qenë vendimtarë për një formim futbollistik që çoi në formimin e Kombëtares 1946. Vëreni pra, se si me përjashtim të Pal Mirashit, të gjithë lojtarët shqiptarë – kampionë të Ballkanit vijnë nga këto kampionate, kur Loro Boriçi dhe Sllave Llambi vinin nga Kampionatet e Serisë A dhe B të Italisë së fillimit të viteve ’40, shto këtu dhe dyshen e portierëve të futbollit italo-malazezë, Poselli-Tahiri.

Nga ana tjetër, assesi nuk mund të mohohen meritat e Shqipërisë “së re komuniste” të sapothemeluar, e cila me zgjuarsi dhe me pasion, sa politik aq dhe sportiv, ia arriti që falë kuadrove të edukimit fizik të Mbretërisë, po dhe të specialistëve jugosllavë, padyshim edhe të dhjetëra pasionantëve të tjerë të sportit shqiptar të kohës, sado modest që ishte, të organizonte lojërat ballkanike, që pavarësisht nga mungesa e Greqisë dhe e Turqisë, prapëseprapë qenë shembullore. Lojëra që luajtën një rol të jashtëzakonshëm për ecurinë e mëtejshme të sportit shqiptar dhe u bënë një themel në kulturën sportive, në zhvillimin e atletikës dhe të futbollit në Shqipëri, në vetë përvojën e organizimeve sportive në tërësi.

E pra, përse e kanë harruar shteti e qeveria shqiptare, ministria përkatëse apo FSHFja veprën shqiptare të trajnerit Ljubisa Broçiç?…

Ljubisa Broçiç u nda nga jeta në Beograd më 16 gusht 1995 në moshën 84-vjeçare, humbje që falë popullaritetit të tij, që nisi në Shqipëri, nuk kaloi në heshtje nga shtypi sportiv botëror.

* Ribotimi i këtij shkrimi është i rezervuar;

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"