Skënderbeu, një derbi ballkanas me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2015 | 10:07

Skënderbeu, një derbi ballkanas me Dinamon

skenderbeuFati nuk të ndjek gjithmonë. Pas dy tureve që kaloi në Ligën e Kampioneve duke u përballur me skuadra mesatare dhe lehtësisht të kalueshme, tashmë Skënderbeu duhet të sforcohet shumë për të mbërritur në grupet e Ligës së Kampioneve. Goglat në turin e “play-off”-it nuk ishin me korçarët kësaj radhe. Kampionët e Shqipërisë do të përballen me Dinamon e Zagrebit në një derbi ballkanas dhe nëse do të realizojnë “ëndrrën e madhe” për të kapur grupet, duhet që të kalojnë kroatët. Bazeli dhe kampionët e Kroacisë ishin dy ekipet që korçarët dëshironin të shmangnin nga shorti i djeshëm. Apoel Nikosia apo Bate Borisov do të ishin më mirë. Megjithatë, në një fazë të tillë ku kanë mbërritur korçarët është e vështirë të mendosh ekipe të lehta.

Shorti Në atë që quhet “Champions Route”, dhjetë ekipe ishin ndarë në dy vazo në bazë të koeficientit që ka secila. Skënderbeu bënte pjesë në vazon e ekipeve jofavorite dhe pesë kundërshtarët e mundshëm ishin Bazeli, Dinamo Zagreb, Sëlltiku, Apoel Nikosia dhe Bate Borisov. Goglat i vendosin përballë korçarëve kampionët e Kroacisë. Një short i vështirë duke pasur parasysh emrin dhe atë çfarë ka bërë vitet e fundit Dinamo. Me një prej akademive më të mira në Ballkan, Dinamo e Zagrebit është shumë e vështirë për t’u kaluar. Megjithatë, Skënderbeu shmangu edhe Bazelin apo Sëlltikun në shortin e hedhur dje në Nion të Zvicrës. Nëse korçarët kualifikohen, hyjnë në grupet e Ligës së Kampioneve. Por, edhe nëse eliminohen, kampionët e Shqipërisë i kanë të sigurta grupet e Ligës së Europës. Gjithashtu, dje u hodh shorti edhe për “League Route”, ku u krijuan pesë çifte. Në këtë grup bëjnë pjesë skuadra “big” të Europës si Lazio, Mançester Junaited, Monako apo Sporting.

Ndeshjet Ndeshja e parë ndërmjet Skënderbeut dhe Dinamos do të luhet në Korçë më 19 gusht, ndërsa ajo e kthimit më 25 gusht në Zagreb. Të dyja takimet do të zhvillohen në orën 20:45, orari zyrtar për takimet e Ligës së Kampioneve që përdoret në këtë kompeticion nga “play-off”-i deri në finalen e madhe pas një viti. Këtu bëjnë përjashtim vetëm ekipet e lindjes që i luajnë ndeshjet në orën 18:00. Të dyja skuadrat nuk janë përballuar asnjëherë më parë mes tyre. Për herë të parë një klub shqiptar mbërrin në këtë fazë të Ligës së Kampioneve. Ndërsa Dinamo e Zagrebit ka qenë në fazën e grupeve në sezonet 2011-2012 dhe 2012-2013, në një kohë që dy vitet e fundit është eliminuar në raundet kualifikuese. Ndërkaq, ndër të veçantat e renditura dje nga UEFA pas shortit është edhe fakti që Skënderbeu dhe Astana e Kazakistanit, nëse kualifikohen, do të përfaqësonin shtetet e tyre për herë të parë në histori në fazën e grupeve të Champions-it

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"