“S’ka eufori te Teuta” Ledio Beqja: Si të barabartë me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 18:06

“S’ka eufori te Teuta” Ledio Beqja: Si të barabartë me Dinamon

Pa zhurmë në merkato dhe me elementë të rinj, Teuta duket se ka lënë pas momentin e vështirë dhe po ngjit shkallët e renditjes. Durrsakët mund të bëjnë surprizën e madhe, duke shkuar në 4-she, pasi shanset janë dhe tashmë “oreksi” është hapur. Teuta vuajti, por ia doli të merrte tri pikët në “Air Albania” kundër Tiranës. “Djemtë e detit” triumfuan me rezultatin 1-2 ndaj një kundërshtari mjaft të fortë.

ledio beqja

Në një intervistë për “Panorma Sport”, kapiteni Ledio Beqja thekson se e priste suksesin e skuadrës në kryeqytet. Ai shprehet se te Teuta nuk ka vend për eufori.

Ledio, keni marrë një fitore të madhe kundër Tiranës. A e prisnit?

Më vjen mirë për atë fitoren kundër Tiranës, sepse treguam karakter. Gjatë gjithë ndeshjes krijuam shumë raste dhe në fund duhej të ruanim avantazhin. Prodhuam lojë si skuadër dhe jemi të lumtur, sepse po kalojmë një moment të mirë. Kishim 3 fitore radhazi dhe nëse kërkon të jesh në majë, atëherë duhet të fitosh në të gjitha mënyrat. Jam vërtet shumë i lumtur për këtë fitore.

Si është gjendja e skuadrës para ndeshjes së prapambetur me Dinamon?

Gjendja është shumë e mirë. Të gjithë jemi të gatshëm për të bërë më të mirën në ndeshjen e radhës.

Sa e vështirë do të jetë përballja me Dinamon, që ndodhet 5 pikë para jush?

Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta, por për ne nuk ka ndryshim kundër cilit ekip luajmë. Kërkojmë pikët, kërkojmë fitore në çdo fushë dhe jemi gati. Edhe Dinamo vjen në një moment të mirë.

Kush mendoni se do të bëjë diferencën të mërkurën?

Në të tilla ndeshje nuk ka favoritë, por duke u nisur nga gjendja që kemi, por edhe nga entuziazmi që mbizotëron në Durrës këtë periudhë, mendoj se do të bëjmë maksimumin që të dalim me fitore ndaj Dinamos. Ndeshjen e nisim si të barabartë, pavarësisht pikëve apo renditjes. Duhet të jemi super të motivuar dhe të karikuar për të dhënë gjithçka.

Sa pikë më tepër mund të kishte kjo Teutë, nëse nuk do të kishte pasur oshilacione dhe cila ndeshje ju ka mbetur në mendje?

Me atë që kemi dhënë në fushë, mendoj se duhej të kishim më shumë pikë, por për shumë faktorë këtë gjë nuk e kemi arritur. Nuk është se kam ndonjë ndeshje “peng”, por ato që nuk i fiton të mbeten pishman, sepse mendon se duhej të kishim bërë më mirë.

Pas fitores me Tiranën në ekip ka pak eufori. Mos ndoshta e dëmton ekipin kjo gjë para Dinamos?

Mendoj se të gjithë jemi me këmbë në tokë. Ne e dimë që kampionati është i gjatë dhe nuk ka eufori, sepse nuk kemi fituar asgjë. Në fund të kampionat do të bëjmë llogaritë. Do t’i marrim ndeshjet një nga një, siç kemi bërë gjithmonë. Jemi gati për të dhënë 100%.

ZAMIR QYPI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"