Shpërthen Edmond Kapllani, dy gola kundër Karlsruhes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2014 | 9:04

Shpërthen Edmond Kapllani, dy gola kundër Karlsruhes

KapllaniEdmond Kapllani ka shkëlqyer dje për FSV Frankfurtin, por edhe pse shënoi dy gola, nuk arriti t’i jepte skuadrës së tij, qoftë edhe një pikë kundër Karlsruhes. Në javën e dytë të Bundesligës 2, skuadra ku aktivizohet sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe gjithashtu mesfushori Odise Roshi, humbi në shtëpi 3-2 ndaj Karlsruhes. Kapllani ndëshkoi dy herë skuadrën ku ai vetë pati kulmin e karrierës së tij. Gjithsesi, Karlsruhe në fund doli me tri pikë, në një kohë që Kapllani dhe Roshi ishin më të mirët në fushë për FSV Frankfurtin. Si sulmuesi, ashtu edhe mesfushori e nisën takimin si titullarë, ndërkohë që 90 minuta në fushë ishte vetëm Kapllani. Roshi u zëvendësua në minutën e 68-të.
Dopieta – Pjesa e parë e takimit FSV Frankfurt-Karlsruhe ka qenë e çmendur, teksa janë shënuar të pestë golat. Fillimisht ishte Micanski që kaloi në avantazh Karlsruhen, ndërsa në minutën e 16-të u kundërpërgjigj Kapllani. Sulmuesi shqiptar përfitoi nga një krosim i Huber dhe afro tetë metra nga porta shënoi një gol shumë të bukur me kokë. Mirëpo, nuk kaluan as 2 minuta dhe Karlsruhe realizoi sërish me të njëjtin autor. Në minutën e 41-të Micanski shënoi edhe golin e tretë. Kur duheshin edhe 60 sekonda nga përfundimi i pjesë së parë, Bitrof i Frankfurtit fiton një penallti dhe këtë të fundit e kthen në gol shqiptari Kapllani. Pjesa e dytë nuk ndryshon asgjë sa i përket shifrave, ndërkohë që duhet theksuar se Roshi dhe Kapllani u ndëshkuan me nga një kartonë të verdhë si pasojë e ndërhyrjeve të parregullta gjatë lojës, respektivisht në minutën e 37-të dhe 83-të. Pas dy javëve kampionat, FSV Frankfurti i dy shqiptarëve mbyll tabelën e Bundesligës 2. Kapllani dhe Roshi vendosën të qëndronin në këtë skuadër, edhe pse ofertat për kuqezinjtë nuk munguan.

Zyrtare, Vullnet Basha te Saragoza
Mesfushori i Sionit dhe Kombëtares shqiptare, Vullnet Basha, ka kaluar në kampionatin spanjoll te klubi i Real Saragozës. Ajo që përflitej prej ditësh është bërë dje zyrtare. Basha është transferuar te skuadra e Ligës së Dytë spanjolle në formë huazimi nga klubi zviceran i Sionit për një sezon. “Real Zaragoza është përforcuar me Vullnet Bashën, i cili është lojtari i dytë i ardhur për sezonin 2014-2015. Mesfushori me origjinë shqiptare ka kaluar mëngjesin e së premtes testet mjekësore dhe të hënën do të zhvillojë për herë të parë stërvitje me skuadrën e re. Trajneri i Saragozës, Viktor Munoz, i njeh mirë aftësitë e Bashës”, citohej dje në uebsajtin zyrtar të klubit të Real Saragozës.

Për Ramën del në skenë edhe Eibari
Pas largimit nga Valadolidi, mesfushori i Kombëtares shqiptare Valdet Rama ka mbetur pa ekip. Por, dy klube spanjolle janë të interesuara për të dhe kosovari duket se do të vazhdojë karrierën në Premiera Division. Pas Deportivo La Korunjës, së fundmi në skenë për Ramën ka dalë edhe klubi i sapongjitur në Premiera Division, Eibar. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, këto dy skuadra janë të interesuara zyrtarisht për shërbimet e Ramës. Mesfushori me tipare sulmuese e mbylli sezonin te Valadolidi, skuadër që zbriti nga “La Liga”. Ai arriti të shënojë një gol spektakolar kundër Atletiko Bilbaos, në humbjen 4-2 të skuadrës së tij. Rama e prishi me konsensus kontratën me Real Valadolidin.

Keidi Bare “debuton” me kampionët e Spanjës
Talenti shqiptar, Keidi Bare, ka zhvilluar dje stërvitjen e parë me klubin kampion në fuqi të Spanjës, Atletiko e Madridit. E premtja ka qenë një ditë që do të mbahet mend gjatë për mesfushorin fierak, pasi që nga dhjetori i viti 2013, kur u bë pjesë e klubit të Atletikos, vetëm dje arriti të stërvitej me ekipin e parë. 16-vjeçari ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me klubin që u shpall kampion në Spanjë gjatë sezonit 2013- 2014. Bare është pjesë e padiskutueshme e Kombëtares U-17 të Shqipërisë, teksa me paraqitjen e tij brilante si kuqezi, arriti të binte në sytë e agjentëve të Atletikos së Madridit. Fillimisht Bare u inkuadrua në ekipin e grupmoshës U-17 të klubit spanjoll, ndërsa dje, për herë të parë, është vënë nën urdhrat e trajnerit Diego Simeone. Ky i fundit duket se është bindur për të afruar që në moshën 16-vjeçare pranë ekipit të parë lojtarin shqiptar. Sipas mediave spanjolle, Bare vlerësohet si një talent që shumë shpejt mund të zërë vend në skuadrën e Simeones. Ndërkohë, dje pas stërvitjes së parë me Atletikon, lojtari fierak që në sezonin e kaluar debutoi edhe me skuadrën e vendlindjes së tij, Apoloninë, postoi në rrjetin social “Facebook” një fotografi me kapitenin Gabi (Gabriel Fernnndez Arenas). Bare ndihet krenar për arritjen e tij, teksa në “Facebook” shkruan: “Sot me kapitenin e Atletikos së Madridit, Gabi, gjatë stërvitjes time të parë me kampionët e Premiera Division”. Gjatë viteve të fundit, mesfushori me tipare sulmuese ka shkëlqyer te Kombëtarja U-17, që drejtohet nga Xhemal Mustedanagiç, ndërsa është vlerësuar edhe nga Xhani de Biazi.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"