Shkurti “i mallkuar” i Lushnjës, nga +1 në -4 pikë nga kreu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2020 | 16:24

Shkurti “i mallkuar” i Lushnjës, nga +1 në -4 pikë nga kreu

Lushnja nuk ka shkuar më shumë se barazimi në transfertën me Turbinën, duke konfirmuar momentin jo të mirë që po kalon në këtë fazë delikate të kampionatit. Në stadiumin “Nexhip Trungu” u luajt me dyer të mbyllura dhe nuk kishte asnjë trysni, por myzeqarët sigluan barazimin e parë pa gola në këtë kampionat.lusnja

Me dy pikët e lëna në këtë ndeshje, lushnjarët humbën sërish terren në tabelën e klasifikimit, ku tashmë veç Apolonisë, edhe Pogradeci shkoi 4 pikë para skuadrës verdhejeshile. Përplasjet direkte në këtë garë treshe për kreun e Grupit B e kanë nxjerrë Lushnjën në vend të tretë, por edhe paraqitja e skuadrës, për arsye të ndryshme, ka qenë e dobët gjatë muajit shkurt.

SHKURTI I MALLKUAR – Shkurti mund të quhet muaji më i keq i lushnjarëve, që para 4 javësh kryesonin grupin dhe ishin 1 pikë para vendit të dytë, ndërsa tani janë 4 pikë pas Apolonisë dhe Pogradecit. Në 4 ndeshje të zhvilluara gjatë këtij muaji, Lushnja ka marrë vetëm 4 pikë nga 12 të mundshme.

Gjithashtu, skuadra e trajnerit Ilir Gjyla po tregon se vuan shumë në transfertë, ku në tri përballjet e fundit jashtë shtëpisë ka marrë vetëm 1 pikë. Dihet që ndeshjet jashtë fushës janë shumë të rëndësishme për një skuadër që kërkon elitën.

KRIZA E SULMIT – Sulmi lushnjar ka ndaluar këtë javë, por edhe në ndeshjet e tjera të shkurtit nuk është se ka qenë efikas si më parë. Pas dëmtimit të kapitenit Fatjon Sefa, ishte sulmuesi tjetër, Mikel Canka, ai që mbante ekipin në krye me golat e tij, por edhe ai u dëmtua dhe ndaj Turbinës u rikthye, duke luajtur si zëvendësues.Lushnja-Devolli

Sulmuesi tjetër, Mezini, i cili ka shënuar gola vendimtarë në disa ndeshje, javët e fundit nuk po e gjen shpesh rrugën e rrjetës, ndërkohë që në Pogradec iu mohua padrejtësisht një gol që do t’i kishte dhënë pikë skuadrës. Goli i fundit i Mezinit është ai i ndeshjes me Devollin, ku Lushnja mori kryesimin e përkohshëm.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"