Sfida me Apoloninë, flet portieri i Lushnjes: Shumë shpejt ngjitemi në krye, në Fier fitojmë ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2022 | 11:22

Sfida me Apoloninë, flet portieri i Lushnjes: Shumë shpejt ngjitemi në krye, në Fier fitojmë ne

Lushnja hodhi një hap drejt kualifikimit për në turin e dytë të Kupës, por ajo ndeshje tashmë është “arkivuar”. Kohë për të pushuar nuk ka, pasi të shtunën udhëtojnë në Fier. Atje i pret Apolonia, që ka të njëjtin pikavarazh si verdhejeshilët. Pritet një takim i luftuar dhe sidomos kur dihet që është derbi. Në kamp janë tejet optimistë para këtij 90- minutëshi dhe në ndihmë u ka ardhur pikërisht ndeshja me Tërbunin. Këtë e konfirmon edhe portieri Mikel Kaloshi, në një prononcim për “Panorama Sport”:

Kaloshi Lushnja

“Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë me Tërbunin dhe kemi marrë një rezultat shumë të mirë, si fillim. Mendoj që është një mesazh pozitiv para derbit me Apoloninë.

Ekipi vjen në ngritje në çdo ndeshje, pasi siç e dimë, jemi një ekip i formuar me lojtarë të rinj. Besoj se kundër Apolonisë do të zhvillojmë një lojë edhe më të mirë”.

29-vjeçari kërkon vetëm fitore kundër fierakëve, ndonëse e parashikon të vështirë.

“Gjendja është shumë e mirë dhe atmosfera është pozitive. Na pret një ndeshje derbi, një përballje e fortë, por ne shkojmë në Fier për të fituar. Pra, për të marrë tri pikët.

Jemi në transfertë, por ne sigurisht që në çdo ndeshje futemi për të marrë tri pikët.

Si brenda ashtu edhe jashtë fushës, për ne është njësoj. Kemi marrë katër pikë në këto tri javë të para, por besoj se shumë shpejt Lushnja do të ngjitet në krye të tabelës. Aty ku dhe i takon të jetë”, deklaroi portieri Mikel Kaloshi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"