“Senatorët” nisin fushatë te Tirana, po bindin lojtarët që të qëndrojnë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Qershor 2, 2017 | 17:33

“Senatorët” nisin fushatë te Tirana, po bindin lojtarët që të qëndrojnë

“Ne e rrëzuam ekipin dhe ne na mbetet për detyrë ta ngjisim”, është ky mesazhi që kanë dhënë “senatorët” e Tiranës për pjesën tjetër të lojtarëve. Qëllimi është i qartë: duan që të ruhet baza e ekipit edhe në inferiore. Sigurisht që nuk do të mungojnë “firot”, me dëshirë të futbollistëve apo edhe me vendim të klubit, por e sigurt është që do të ketë nga ata që do të “sakrifikojnë” edhe në Kategorinë e Parë.

Tirana

Një ligë e panjohur, duke filluar nga anëtarët e stafit e për të kaluar te lojtarët. Askush më parë nuk ka milituar në këto nivele, por për të mos braktisur ngjyrat bardheblu, ata janë gati që të mos largohen. Albi Doka është një ndër ta, duke respektuar edhe kontratën. Por mbrojtësi i talentuar është i vetmi që e ka shprehur publikisht, pasi shumë të tjerë do ta shoqërojnë.

Këtu u referohemi titullarëve, atyre që prej vitesh janë pjesë e “mbretëreshës” së trofeve. Drejt “skadimit” janë kontratat e 5 titullarëve, duke nisur nga portieri I.Lika, për të kaluar te mbrojtësi Teqja dhe për ta mbyllur me mesfushorët Taku, Karabeci dhe G.Lika. Prej tyre, në ikje janë vetëm Olsi Teqja dhe Afrim Taku. Ata kanë marrë edhe oferta dhe gjasat janë që të mos rinovojnë.

kontratat tirana

Pezull mbetet shkodrani Lika, ndërsa kapiteni Karabeci dhe “gardiani” Lika me shumë gjasë do të qëndrojnë. Fjala e fundit do të jepet pas takimit me drejtuesit, e megjithatë një numër i konsiderueshëm janë gati t’i ofrojnë besnikëri klubit.

Do ketë prurje, por këtë herë do të kërkohet një karakter tjetër lojtarësh, më agresivë që të përballojnë edhe të Parën. Ndërsa prej të huajve mund të qëndrojnë 3 ose 4, konkretisht Akua, Merveil, Moise dhe ndoshta Edeh, ndërsa Cise me Romuald mund të shpallin “divorc” të parakohshëm.





www.minuta90.com