Semedo kalon provën, Tirana heq dorë nga nigerianët. Dede ka dëmtime para Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2013 | 11:10

Semedo kalon provën, Tirana heq dorë nga nigerianët. Dede ka dëmtime para Lushnjës

semedoHoze Filipe Korreia Semedo kalon provën te Tirana. Klubi ka gati kontratën për të dhe sot pritet që të ulen e të flasin konkretisht për kushtet e marrëveshjes. E thënë ndryshe, tashmë gjithçka mbetet në duart e sulmuesit portugez. Nëse do e joshë oferta që do t’i bëhet prej drejtuesve bardheblu, ai mund të hedhë firmën. Gjatë paradites së sotme është përcaktuar një takim mes krerëve të skuadrës kryeqytetase dhe 33-vjeçarit portugez. Sulmuesi, i cili prej pesë ditësh është vënë nën urdhrat e Nevil Dedes, në paraqitjen e bërë gjatë këtyre seancave, por edhe në lojën e zhvilluar brenda grupit, ka lënë shije tepër të mirë te stafi, ndaj Nevil Dede dha OK-in për ta pasur në radhët e bardhebluve. Ajo çka bindi më tepër ishte fakti që me portën Semedo ka marrëdhënie të mirë dhe këtë e dëshmoi që ditën e parë, duke shënuar 4 gola në një test kontrolli. Futbollisti 33-vjeçar, i lindur në Portugali, por me pasaportë të Kepit të Gjelbër, me shumë gjasa do të jetë zyrtarisht i bardhebluve, duke qenë se në këtë periudhë, kur merkatoja është e mbyllur, nuk do të gjente një alternativë më të mirë. Emri i tij është regjistruar ditë më parë, ndaj tashmë mbetet që të bëhet vetëm federimi në listën e sezonit të ri.
Nigerianët Afrimi i dy nigerianëve te Tirana duket më shumë se i pamundur. Lojtarët rritën pazarin dhe klubi mësohet se ka hequr dorë prej tyre. Vetë administratori Krenar Alimehmeti, i pyetur për Olalekan Bola dhe Adebajo Adigun, ka deklaruar se: “Duket e pamundur që të vijnë. Ata e rritën pazarin dhe kjo komplikoi gjithçka”. Kujtojmë që sulmuesi me tipare sulmuese dhe mbrojtësi janë regjistruar me kohë në listën e federimeve, por që pasi mbyllën sezonin me Bylisin nuk kanë shkelur në Shqipëri dhe aq më pak të viheshin nën urdhrat e trajnerit Nevil Dede. E thënë ndryshe, ky hezitim i tyre nuk qëndron vetëm te prerja e biletave të avionit, pasi gjithçka lidhet me çështje parash. Ata, në fakt në fundin e muajit gusht u transferuan në formë huaje nga Bylisi te Tirana, madje donatorët për të arritur këtë marrëveshje i dhanë 5 mijë euro klubit ballshiot. Pak absurde faktikisht, duke qenë se ata ishin regjistruar në listën e federimeve, por jo vetëm kaq, pasi Tirana pagoi një shumë jo të vogël për të pasur shërbimet e tyre. Në kushte të tilla, lojtarët ose do t’u duhet të kthehen në Ballsh, ose të qëndrojnë në Nigeri deri në janar.

Dëmtime dhe dyshime para Lushnjës
Problemet me infermierinë janë shtuar, dhe kjo ka krijuar shqetësim për trajnerin Nevil Dede. Ilir Çaushaj dhe Roland Peqini vazhdojnë me probleme, kështu që ende nuk është përcaktuar nëse do të jenë gati. Mungesë e sigurt është Erjon Hoxhallari, i cili ka gati një muaj që ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në menisk, ndaj është ende në proces rikuperimi dhe pauza do të jetë deri diku e gjatë. Por edhe Vedran Gerc, i cili ka marrë disa ditë leje dhe është nisur në Kroaci, për arsye se do të martohet. Sakaq edhe për Endri Vrapin ka dilema, duke qenë se problemi që hasi në stërvitje nuk është i vogël. Sikur të mos mjaftonin këto, dje u dëmtua edhe Kalari, për të cilin do të vendoset sot.

Lojë mes grupit, Dede krijon një ide për 11-shen
Tirana ka vijuar edhe dje përgatitjet. Si pasojë e kushteve klimaterike dhe faktit që errësohet më shpejt, ajo e ka ndryshuar orarin, duke e zhvilluar atë në orën 15:00. Gjatë kësaj seance, ekipi ka realizuar një lojë brenda grupit. Trajneri i ndau të tijtë në dy grupe, me nga 11 lojtarë secili. I vetmi që nuk ishte i pranishëm dje qe Dorian Kërçiku, i cili nuk mori vesh orarin e përgatitjeve. Sipas asaj që u pa, pritet që të jetë kjo 11-she, por për ta përcaktuar zyrtarisht duhet të mbërrijë e shtuna. Porta iu besua Çakës, ndërsa në mbrojtje u rreshtuan Kalari, Kaja, Muça e Sina. Në mesfushë Taku me Hysenbelliun, në qendër të saj Karabeci e Limani. Në sulm ndërkaq, veç Çotës, trajneri kishte programuar edhe Semedon, i cili me shumë gjasa firmos sot.

E donte Tirana, Marselinjo firmos në Oman
Edgar Marselinjo deri dje paradite ishte në tratativa me Tiranën, por në mesditë hodhi firmë në Jemen. Mesfushori 27-vjeçar ka nënshkruar për Al-Seeb, duke shuar shpresat e bardhebluve. Ky futbollist ishte pjesë e gjeneratës së artë në Portugali, e cila përfshin emra si Kristiano Ronaldo, Rikardo Kuarezma dhe Miguel Veloso. Sikundër raportojnë mediat luzitane, shoku i “CR7” sezonin e ri do të jetë pjesë e skuadrës që militon në ligën e parë në Oman. Sakaq, nga ana e klubit bardheblu, deri në mbrëmje nuk ishin në dijeni të mbylljes së këtij akordi, madje besonin se do të mund të arrinin që ta bënin të vetin Marselinjon, duke qenë se ai ishte edhe lojtar i lirë në treg. Me mbylljen e kësaj piste, ndoshta drejtuesit e klubit do të mendojnë për ndonjë tjetër element për të afruar.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"