“Selman Stërmasi”, si u ndërtua për Dinamon nga të burgosurit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2015 | 21:50

“Selman Stërmasi”, si u ndërtua për Dinamon nga të burgosurit

Nga Uvil Zajmi

foto4Në përfundim të luftës dhe kryesisht pas viteve ‘45, Shqipëria trashëgoi vetëm terrene sportive, siç ishte ajo me famë e Shallvares në Tiranë. Rikthimi intensiv i sportit, në veçanti i futbollit, kërkonte krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare. I vetmi stadium kombëtar,  “Qemal Stafa”, i filluar nga italianët dhe i përfunduar nga shqiptarët, në të cilin u zhvilluan Lojërat Ballkanike të 1946 në futboll e atletikë dhe pas tij vjen “Vojo Kushi” i Shkodrës, i ndërtuar në vitin 1953. Në ato mjedise, krahas fushës së futbollit, kishte pista atletike dhe në anekset e tyre fusha volejbolli e basketbolli ku luheshin evenimentet zyrtare, apo miqësore të kohës. Përjashto këto dy qytete, kudo në Shqipëri për shumë vite është luajtur vetëm në fusha futbolli.

Tirana, stadium edhe për “Dinamon”

Kanë qenë disa arsye që Tirana e fundviteve ‘50 kërkonte një stadium të dytë. Së pari, si domosdoshmëri e kohës për numrin e madh të skuadrave 5-6 të tilla në Kategorinë e Parë dhe fluksin e madh të ndeshjeve, deri në tri ndeshje brenda ditës në “Qemal Stafa”. Pastaj, takime miqësore ndërkombëtare me klube të vendeve lindore, që krijonin mbingarkesë për kombëtarin kryeqytetas. Por, edhe si dëshirë e zyrtarëve te Ministrisë së Brendshme, që skuadra e tyre “Dinamo” të kishte një stadium, tipik e të ngjashëm me ato rusë, ishte një tjetër arsye për ndërtimin e një tjetër stadiumi në Tiranë.

Ndërtimi, zonë e lirë vetëm me shkurre

U zgjodh terreni ku është sot, në pjesën perëndimore të qytetit, si zonë e lirë në atë kohë e mbuluar me shkurre. Vetëm pak ndërtesa përreth, si dy vilat Dalia dhe tre pallatet katërkatëshe të  Aviacionit në veri të tij, të ndërtuara në kohën e Italisë për ushtarakët dhe aviatorët, por që pas lufte u shfrytëzuan për ambasadat e huaja. Në juglindje janë katër pallatet Moskate, me të njëjtën strukturë si ato të Aviacionit. Quhen Moskate nga arkitekti italian që i projektoi. Në veriperëndim ishte një pallat trekatësh (është edhe sot), edhe ky i kohës së Italisë, që ka shërbyer si shtëpi publike për ta, ndërsa më pas, si Shtëpi e Fëmijës, shkollë 7-vjeçare, konsultore, shtëpi banimi etj. Gjatë viteve 52-53 u ndërtuan pallatet dykatëshe në jug të tij, ndërsa ato përballë tribunës, dy vite më vonë.

Me të burgosur, disa vepra sportive

Stadiumi filloi ndërtimin në vitin 1956 dhe përurimi i tij u bë më 8 korrik të 1959. Gjatë viteve 1950-‘60-‘70 për ndërtimi disa qendrave të mëdha sportive, kryesisht në kryeqytet janë shfrytëzuar si fuqi punëtore të burgosurit. E tillë është historia e stadiumit “Dinamo”, i ngritur me punën e kontingjentëve të dënuar për vepra të ndryshme penale. Vetëm me një turn, nga ora 08:00 deri 16:00, në një terren të rrethuar dhe nën kontrollin e ushtarëve, që qëndronin në kullat e larta të ngritura përreth zonës. Është punuar në mënyrë intensive. Në të tilla kushte, me forca të burgosurish është ndërtuar edhe kompleksi “Dinamo” në vitin 1986. Ndërsa Partizani, përdorte ushtarët si forcë ndërtuese për komplekset e tij sportive.

foto1Stadium dhe klub, mjedis Olimpik për kohën

U projektua stadium i hapur, me parametra olimpikë për kohën, me një unazë dhe jo më shumë se 12 shkallë, me kapacitet 12.000 mijë vende. Me një tribunë të mbuluar dhe të strukturuar me shkallë për të hipur skuadrat që të marrin trofeun, si dhe dy sektorë të quajtur “anekse” në krahët e tribunave A dhe B. Me 7 hyrje dhe dalje për tifozët, dy në secilin sektor anësor, një tek ajo përballë dhe dy në tribunën qendrore bashkë me hyrjen kryesore për arbitra, futbollistë, zyrtarë. Dy dhoma zhveshje të vendosura poshtë tribunës A, nga kryhej edhe  dalja e futbollistëve në fushë, por që pas viteve ‘90 është bërë poshtë tribunës VIP. Në krah të stadiumit, pjesa veriperëndimore, u ndërtua një fushë stërvitjeje për skuadrën (është edhe sot). Çmimet e biletave varionin 30 lekë ato të tribunës, 20 aneksi dhe ajo përballë, dhe 10 lekë anësoret që shiteshin në një pikë përballë Pallateve të Aviacionit. Një tabelë e madhe dërrase për golat dhe ora 45-minutëshe në pjesën jugore, si dhe gjelbërim me pemë përreth mjediseve të brendshme të tij. Për kohën ka kryer dy funksione: stadium dhe klub ku qëndronte administrata. Nga i pari shef apo drejtor si T. Golemi, R. Avdia, V. Afezollli, P. Arbana, C. Hysi, te k/llogaritari E. Topi, te mirëmbajtësit e fushave Sh. Luka e A. Baruti. Pa harruar Gëzim kuzhinierin me ndihmëset Fadilen, Lekon, por edhe Fatushen e lavanderisë, këpucarët I. Kecin dhe R. Agollin, dhe shoferët L. Gjikuria, që ishte edhe futbollist bashkë me Q. Toton. Ndryshe nga ai i “Qemal Stafës” me 6 korsi, pista e “Dinamos” kishte 8 të tilla ndonëse jo me tartan, por me dhe të zi. E kundërta me fushën, më e madhe ajo e “Qemal Stafës”, ndaj “Dinamos” më e vogël në përmasa, aq sa për skuadrat e kryeqytetit flitej se kishin vështirësi të luanin e fitonin kur kundërshtarët i mblidheshin në zonë.

foto2Cilat ngjarje sportive lidhen me stadiumin Dinamo?

Janë disa ngjarje të mëdha e të rëndësishme sportive për kohën që lidhen me stadiumin “Dinamo”. Aty janë luajtur dy takimet e paharruar për titullin kampion në korrikun e vitit 1961, Partizani-Dinamo. 1-1 ndeshja e parë me golat e Resmes dhe Lubonjës, pastaj sfida e dytë pas katër ditësh me golin e historik të Panos nga porta jugore, në shtesën e tretë të ndeshjes, saktësisht në min 122-të. Edhe përballja me më shumë spektatorë, madje mbi kapacitetin e lejuar, siç ka qenë Partizani- Fenerbahce e 30 shtatorit 1961 për Kupën Ballkanike, kur tifozët shpërthyen portat. Në këtë stadium, 26 shkurt 1961, gjatë takimit 17 Nëntori-Besa, portieri kavajas Shefqet Topi ka kryer pritjen më spektakolare, tejet historike e rrallë për futbollin kombëtar, fituese në konkursin e fotove sportive organizuar në Moskë. Pikërisht, në këtë stadium Panajot Pano ka luajtur me fanellën e Dinamos në Kupën Ballkanike në vitin 1962, rast unik për legjendën e Partizanit. Në paraditen e 16 shkurtit 1971, Gjermania e madhe e Myler, Bekenbauer, Netzer, Overat dhe Majer, një ditë para ndeshjes, zhvilloi seancën stërvitore pikërisht në këtë stadium të tejmbushur nga fansat, tifozë, i gjithë populli i Tiranës. Por, në këtë stadium skuadra kombëtare nuk ka zhvilluar asnjë takim zyrtar gjatë historisë së saj. Stadiumi ka shërbyer për stërvitje dhe ndeshje të ekipeve Shpresa, klubeve në aktivitete ndërkombëtare, kryesisht në Kupën Ballkanike, apo për të gjitha aktivitet zyrtare të organizuara nga FSHF, kupa, trofe të ndryshëm, spartakiada etj. Aty janë zhvilluar shumë gara atletike, janë thyer rekorde ndër vite. Deri ditën e fillimit të punimeve, ka qenë i vetmi stadium pa ndriçim në Shqipëri.

foto5E rrallë, maternitet pranë tij

Mund të jetë i vetmi që ka pasur një maternitet afër, si asnjë stadium tjetër në botë. Çdo thirrje për gol, apo një brohoritje, ka qenë shumë afër me një fëmijë të sapolindur, madje shumë të atij brezi e kanë të lidhur datën e lindjes me një ngjarje sportive në atë stadium. Në krah të tribunës ballore, një zonë e shkretë më parë, pastaj një market në vitet ’70, ku për herë të parë u tregtuan banane, pikërisht në atë vend në mesvitet ‘70-‘80 u projektua dhe u ndërtua Materniteti i dytë i Tiranës, pas atij te “Treni”. Si i tillë ka funksionuar për shumë vite, ndërkohë që ka ndryshuar destinacion vetëm pak kohë më parë.

Nga mitingjet në “rock & roll”, “Scorpions”

Asnjëherë më parë, por vetëm pas viteve ‘90 ndryshoi edhe koncepti se në një stadium futbolli mund të jepen koncerte gjigante të këngëtareve, si dhe grupeve të njohura të muzikës së lehtë apo “rock”, ndonëse ndër vite e periudha janë organizuar manifestime masive, spartakiada të ndryshme sportive etj. I pari historik i dhënë nga një artist, madje i huaj në Shqipëri, ka qenë ai i këngëtarit italian Albano dhe Romina Pauer, në “Qemal Stafa”, në një skenë të improvizuar në fushë. Ndërsa në “Selman Stërmasi” i ka takuar grupit të njohur  gjerman “Scorpions” të japin një koncert madhështor. Pastaj në pafundësi mitingje të partive politike.

Ndryshimi, ruhet struktura

Për shumë dekada ka qenë “pronë” e “Dinamos”, por në vitet 1990 ai njihet me emrin “Selman Stërmasi”, për nder të presidentit të parë dhe një ndër themeluesit e klubit, një personalitet i madh i futbollit shqiptar, veçanërisht klubit “17 Nëntorit”, “SK Tirana”. Stadiumi prej vitesh nuk funksiononte, pasi kishte filluar të amortizohej tërësisht. Me projektin modern është ruajtur struktura ajo tradicionale, me një kapacitet 9.600 vende të ulura, kanë ndryshuar përmasat e fushës duke u zmadhuar në një dimension 116×74 m, ndërkohë që pista e atletikës nuk do të ekzistojë më. Ndërsa vetë terreni ku do të luhet krejtësisht me bar natyral do të jetë 105x 68 m, në përmasat e FIFA-s. Po kështu, edhe ndriçimi, si pjesë e stadiumit do të jetë funksional dhe modern. Nuk ndryshon tribuna, që mbetet si e vetmja pjesë e mbuluar e tij. Në brendësi do të ketë salla, si ato të kateringut, shtypit, vendqëndrimi i gazetarëve, dhomat e transmetimeve radiofonike e televizive dhe stadiumi është projektuar si multifunksional, duke qenë edhe klub me zyrat e administratës, dhoma e trofeve etj.

foto5Medi Bushati: “Aty jam njohur me gruan, Verën”

“U konceptua si një stadium modern për kohën dhe ideja për ndërtimin e tij ishte kryesisht për t’i shërbyer klubit Dinamo dhe sportistëve të tij, – thotë Mehdi Bushati, ish-futbollist i Kombëtares dhe i Dinamos. – Qëllimi ishte edhe për zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit kombëtar, turneve miqësore, veprimtarive ndërkombëtare, pasi ishin të shumta kryesisht me klube. Ai u projektua nga arkitektë, inxhinierë të njohur dhe me funksion të dyfishtë si stadium e klub, me dy kate në pjesën qendrore të tij, ku sportistët e Dinamos do të stërviteshin, zhvillonin ndeshjet, por edhe do të akomodoheshin duke banuar aty. Në katin e parë kujtoj ishte mensa, lavanderia, zyrat e administratës klubit, dhomat e zhveshjes, ndërsa në katin e dytë ato të fjetjes së lojtarëve, kryesisht atyre të ardhur nga qytete të ndryshme. Jo vetëm futbollistë, por edhe për sportistë elitarë të sporteve të tjera, siç ishte atleti i talentuar Lutfi Guri, që bashkë me Çeçon kemi fjetur të tre në një dhomë gjatë viteve të fakultetit. Shumë shpejt stadiumi u transformua në një mjedis aktiv sportiv, pasi aty zhvilloheshin edhe gara të tjera, si atletikë, peshëngritje, mundje, basketboll, volejboll etj., madje aty pranë kishte edhe një palestër force. Në atë stadium, bashkë me karrierën sportive kam edhe një kujtim të rëndësishëm për jetën time: pikërisht në pistën e tij jam njohur me gruan, Verën…”, rrëfen Bushati.

Stavri Lubonja: Përurimi, kam qenë në fushë atë ditë

Futbollist i Dinamos, i Kombëtares dhe protagonist absolut me Dinamon e viteve ‘60, Stavri Lubonja, i kthehet ditës përuruese dhe kujton: “Kam qenë prezent atë ditë kur është përuruar, madje kam edhe fotot e atij çasti. Fjalimin e mbajti Xhule Ciraku dhe në prani të shumë spektatorëve kuriozë dhe pranë arbitrave M.Tiko, I. Cani, B.Qorri dhe Xh. Shaqirit shiritin e preu Ramiz Alia. Më pas, u zhvillua një takim midis dy skuadrave të brezave dinamovitë, në të cilën kam qenë në fushë. Ndërsa, më 10 korrik, u luajt ndeshja miqësore Partizani-Forverst e Gjermanisë Lindore, si dy skuadra ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes. Kujtoj se arbitra kanë qenë Sh. Gruda, Godari, Hysenaj. Ndeshja u mbyll 1-1, me gol të Kolec Krajës në portën jugore, pas një aksioni individual, që barazoi në sekondat e fundit. Me atë stadium më lidh e gjithë karriera ime. Aty kam luajtur, jam stërvitur, kam fjetur, por edhe momenti më i paharruar: Kam shënuar golin e barazimit në finalen e parë Partizani-Dinamo 1-1, në vitin 1961”, rrëfen Lubonja.

Diciturat

1 Xhule Ciraku mban fjalën  e hapjes

  1. Ramiz Alia pret shiritin. Në krah të tij, arbitrat M.Tiko, I.Cani, B. Qorri dhe futbollisti Xh.Shaqiri
  2. 8 korrik 1959. Skuadra e rreshtuar para takimit, “Dinamo e brezit ‘50-‘60”

Dinamo e vitit ‘60: Sh. Rreli, E. Beliu, S. Lubonja, R. Haxhiu, Q. Halluni, H. Verria, A. Duma, E. Tallushi, M. Bushati, G. Sheshi, Th. Duro, L. Gjikuria

Dinamo e vitit ‘50: Xh. Shaqiri, M. Metani, A. Cungu, Z. Gjinali, B. Vila, B. Borici, P. Mirashi, S. Jareci, S. Peqini, H. Bakalli, F. Tafmizi, L. Dashi.

4.Pano me fanellën e Dinamos kundër Fenerbahces

  1. Pritja e famshme e Shefqet Topit
  2. Medi Bushati me Dinamon
  3. Stavri Lubonja sot

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"