Salami, më i shtrenjti/ Kukësi i rinovuar, ja lojtarët që iu rrit vlera

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2024 | 20:05

Salami, më i shtrenjti/ Kukësi i rinovuar, ja lojtarët që iu rrit vlera

Në merkaton e verës 2023, Kukësi afroi lojtarë jo shumë të njohur, por në moshë të re dhe që mund t’i shërbenin skuadrës për të realizuar objektivat, siç është qëndrimi në kategori. Synimi ishte i qartë, për të formuar një ekip pa shumë shpenzime dhe për të pretenduar të evidentojnë lojtarë të talentuar që më pas t’i shesin.

KUKESI

Është luajtur vetëm gjysma e sezonit dhe kanë nisur të dalin në pah disa prej lojtarëve që në të ardhmen mund edhe t’i sjellin të ardhura ekipit. Edhe pse Kukësi është në zonën e ftohtë të renditjes, kjo nuk ka ndikuar për të ulur vlerat e lojtarëve në treg, por përkundrazi, i ka rritur.

VLERAT NË RRITJE

“Panorama Sport” i referohet faqes “transfermarkt”, e specializuar për vlerat e lojtarëve për të bërë një vëzhgim të situatës me lojtarët blu. Janë plot 10 futbollistë që kanë pësuar një rritje të vlerës së tyre në krahasim me nisjen e sezonit, ku spikasin Endri Reçi dhe Mateus Mota, me një rritje prej 100 mijë eurosh në treg. Salami dhe Beshiraj kanë një rritje prej 75 mijë eurosh, ndërsa gjashtë lojtarë të tjerë: Zhongo, Fejzaj, Lala, Momoh, Murati dhe Najara kanë një rritje prej 50 mijë eurosh. Sakaq, lojtari më i shtrenjtë i Kukësit është sulmuesi i krahut, Mustafa Salami, që vlen në treg 275 mijë euro, një futbollist që vërtet ka spikatur deri më tani për blutë e Stavri Nicës.

VLERAT KONSTANTE

Sakaq, nuk mungojnë as ata lojtarë që nuk kanë pasur asnjë lëvizje në vlerën e tyre që nga nisja e këtij sezoni. Bëhet fjalë për pesë futbollistë, që duket se kanë qenë konstantë përgjatë këtyre muajve. Për të nisur me portierin dhe kapitenin Anxhelo Tafas dhe mbrojtësin Franko Lamçe që vlejnë 200 mijë euro, Abdou Mbarak 150 mijë dhe Nikonin Duka me Françesko Hasaj me nga 100 mijë euro.

VLERAT NË RËNIE

Bëhet fjalë për dy futbollistë që kanë pësuar një rënie të lehtë në treg dhe janë pikërisht dy lojtarët kryesorë të sulmit: peruani Sebastian la Torre dhe kosovari Atdhe Rashiti. Dy lojtarë që në fakt gjatë kësaj periudhe kanë pasur edhe problemet e tyre me klubin dhe nuk dihet nëse do të qendrojnë deri në mbyllje të kontratës. Të dy këta lojtarë vlejnë aktualisht 50 mijë euro më pak sesa në fillim të sezonit, respektivisht 150 mijë për peruanin dhe 100 për Rashitin.

kuk

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"