Sadiku: Dua t’i shënoj Zvicrës në Europian, ja pse zgjodha Vaduzin

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 13, 2016 | 15:47

Sadiku: Dua t’i shënoj Zvicrës në Europian, ja pse zgjodha Vaduzin

Ka kontratë edhe dy vite të tjera me Zyrihun, por Armando Sadiku ka preferuar që të huazohet te skuadra e vendit të fundit, Vaduz, ekipi nga Lihtenshtejni që luan në kampionatin helvet.20160112122151230646 Futbollisti është prezantuar në mesditën e djeshme me skuadrën e re, pjesë e së cilës do të jetë deri në fund të këtij sezoni. Sulmuesi 24-vjeçar ka preferuar të pranojë ftesën e trajnerit Xhorxho Kontini.

“Kam biseduar edhe me De Biazin për këtë zgjedhje dhe nuk mendoj aspak se kam gabuar. Dua që të luaj sa më shumë dhe të bëj detyrën time si sulmues. Kam refuzuar edhe ofertë nga Bundesliga”, shprehet ndër të tjera sulmuesi i Kombëtares shqiptare në një rrëfim për gazetën “Panorama Sport”.

Sadiku do të nisë menjëherë aventurën e tij me skuadrën e vendit të fundit, ekip në të cilin luan edhe Albion Ajeti. Të dy shqiptarët pritet që të jenë dyshja e repartit të avancuar, të cilët do të kenë në dorë fatin e ekipit, për të shënuar sa më shumë, në mënyrë që Vaduz t’i shpëtojë rënies nga kategoria.

Armando, kush e mori vendimin për huazimin tuaj te Vaduzi?

Unë së bashku me menaxherin tim. Jemi në prag të Europianit dhe dua që të kem sa më shumë minuta në këmbë dhe një formë sa më të mirë. Trajneri i Vaduzit më ka telefonuar disa herë dhe kjo më bëri që ta pranoja huazimin prej gjashtë muajsh, edhe pse kisha të tjera mundësi.

Për çfarë ekipi bëhet fjalë?

Menaxheri im bisedoi me drejtuesit e Ingolshtadit në Bundesligë, por për gjashtë muaj atje do ta kisha të vështirë që të kisha mjaftueshëm minuta dhe nuk preferova që të rrezikoj Europianin.

A keni diskutuar me De Biazin për këtë zgjedhje që keni bërë?

Patjetër dhe ka qenë i pari që më ka këshilluar të pranoj menjëherë. Ai do që secili prej nesh të ketë garanci për sa më shumë minuta dhe kur i tregova se për çfarë bëhej fjalë, këshilla e tij ishte “mos u mendo dy herë, por pranoje menjëherë”.

I jeni bashkuar skuadrës së fundit. Mendoni se keni bërë hap pas me këtë zgjedhje?

Jua thashë edhe arsyen përse zgjodha Vaduzin. Kam marrë garanci për minuta dhe prandaj pranova. Tashmë dua që të shënoj sa më shumë dhe që të ndihmoj këtë ekip të sigurojë mbijetesën. Duke luajtur dhe bërë paraqitje të mirë me këtë ekip, do të jem në formë për Kombëtaren dhe më pas shpresoj që t’i krijoj vetes mundësi më të mira për të ardhmen.

Do të ketë një “derbi” mes Shqipërisë dhe Zvicrës në Europian. Si e prisni?

Për ne që jetojmë dhe luajmë në Zvicër është speciale. Për Shqipërinë duhet që të jetë vetëm një nga përballjet në Europian ku duhet të paraqitemi sa më denjësisht. Unë dua shumë që t’u shënoj. Do të ishte speciale për mua që të realizoj kundër Zvicrës. Çfarë ndodh në merkaton e verës.

Qëndron ende mundësia e Ingolshtadit?

Unë jam lojtar i Zyrihut edhe për dy vite dhe, nëse nuk ka skuadra të tjera, do të rikthehem atje. Megjithatë, pas Europianit shpresoj që të ketë të tjera ekipe edhe më cilësore se Ingolshtad. Por, çdo gjë varet nga unë dhe nga ajo që do të bëj gjatë këtyre muajve dhe gjithashtu në Europian.





www.minuta90.com