Rrëfehet “Maldini” i Luftëtarit, Ymeraj: Një ditë dua të jem kapiten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2018 | 12:33

Rrëfehet “Maldini” i Luftëtarit, Ymeraj: Një ditë dua të jem kapiten

Maldin Ymeraj ka një ëndërr, të bëhet kapiten. Duket se prej legjendës së Milanit nuk mjaftohet vetëm me emrin, por pret edhe një shirit. Mesfushori me tipare sulmuese i Luftëtarit, në një rrëfim ndryshe për “Panorama Sport”, tregon historinë e emrit të tij dhe flet për planet e së ardhmes. Nuk kishte si të mos fliste për ekipin gjirokastrit dhe transfertën delikte që luajnë të shtunën në “Niko Dovana”. Mbijetesa shihet si një synim i realizueshëm për 23-vjeçarin.

44772647_2197660970268763_1622031464902164480_n
Maldin, që prej verës i jeni bashkuar Luftëtarit, i kënaqur nga kjo aventurë?

Ditët e para që erdha në Gjirokastër isha shumë i kënaqur, pasi stafi dhe presidenti më pritën shumë mirë, duke më thënë fjalët më të mira. Kemi pasur ca probleme nga të gjitha aspektet, sikundër të gjithë e dinë, por prapë djemtë dhe unë bashkë me ta, japim shpirtin në fushë, edhe pse në disa ndeshje rezultatet pozitive na kanë munguar. Mundohemi për të dhënë më të mirën për fanellën e Luftëtarit, ndaj dhe ndihem i lumtur që jam pjesë e tij.

Nuk jeni sulmues i mirëfilltë, por mesfushor krahu. A e vuani mungesën e golit?

Po, patjetër që e vuaj, por rëndësi gjithmonë ka që skuadra të dalë me pikë nga çdo ndeshje. Si qëllim, të gjithë kemi dhënien e maksimumit në fushë ndaj çdo kundërshtari dhe nëse shënoj s’ka gjë më të mirë. Gjykoj se nëse kontribuoj për shokët me asist, del dhe goli.

Kundërshtari i radhës është Teuta. Me çfarë objektivi udhëtoni drejt Durrësit?

Si çdo ndeshje, luajmë jashtë fushe dhe objektivi është të mos dalim pa pikë. Me Teutën do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, për vetë formën e kundërshtarit. Në gjashtë javë ata nuk e njohin humbje dhe si të tillë duhet të jemi të përqendruar dhe shumë të kujdesshëm në çdo fraksion loje. Kanë kundërsulm vrasës me lojtarë të shpejtë dhe ky fakt na e vështirëson shumë këtë 90- minutësh.

Si ndiheni në momentet kur tabela elektronike shënon numrin tuaj dhe u duhet të dilni nga fusha?

Jam tip që dua të jap maksimumin qoftë edhe kur më jepen 5 minuta lojë. Në një skuadër kompakte dhe të vendosur për më të mirën, rëndësi ka fitorja dhe jo aktivizimi. Nuk ka rëndësi se cili do të luajë, por ecuria e skuadrës.

Quheni Maldin, emri ka lidhje me ish-kapitenin e Milanit?

Sa mirë që ma bëtë këtë pyetje, pasi dua të tregoj edhe historinë e emrit tim. Im atë është tifoz i Milanit dhe si i tillë kur fliste me shokët, e kishte ndarë mendjen që po të bëhej me djalë, do t’i vendoste emrin e kapitenit të Milanit, legjendarit Paulo Maldini. Ndaj quhem Maldin. Por, babait i kam një borxh, që dhe unë një ditë dua të bëhem kapiten, si madhi Maldin. Por, këtë t’ia lëmë kohës.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"