Ronaldo zgjohet vonë, Portugalia & Gana jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2014 | 23:04

Ronaldo zgjohet vonë, Portugalia & Gana jashtë

Portugali-GanePORTUGALI – GANË  2-1
GOLAT: Boje 31′ (A), Ronaldo 80’/ Gian 57′
PORTUGALIA (4-3-3): Beto (Eduardo 89′), Bruno Alvesh, Pepe, Velozo, Karvajo, Ronaldo, Mutinjo, Eder (Vieirinja 69′), Nani, Amorim, Pereira (Varela 61′) Trajner: Paulo Bento
GANA (4-2-3-1): Dauda, Gan, Atsu, Badu, A.Ajev (Vakaso 81′), Rabiu (Akuah 76′), Varis (Xh.Ajev 71′), Mensah, Azamoah, Boje, Aful Trajner: Kvesi Apiah
ARBITËR: Navaf Shukralla (Bahrein)
KARTONË TË VERDHË: Mutinjo 94’/ Aful 39′, Varis 55′, Xh.Ajev 78′
SPEKTATORË: 67.540

Dy gola të shënuar dhe 3 të munguar. Plus një traversë dhe një penallti e mundshme: Kristiano Ronaldo do të kishte mundur ta kualifikonte Portugalinë e tij në 1/8-at me ndihmën e Gjermanisë së “ndershme” dhe Ganës së përhumbur në mbrojtje. Por CR7 u përplas tre herë me portierin: për herë të parë që në minutën e 5-të me një goditje me kokë dhe dy rastet e tjera në fund të ndeshjes. Në dy shanse të tjera, shënjestra e tij nuk ishte perfekte, por për vetëm pak centimetra. Recitoi si protagonist i madh, por tashmë luhej akti i fundit.
Nuk mjafton – Dhe kështu, ai i jep lamtumirën turneut në fazën më të hershme të tij, me 4 pikë të grumbulluara, por duke bërë më mirë se Spanja, Anglia dhe Italia. Skuadra e Bentos paguan ndeshjen e parë shkatërrimtare me Gjermaninë dhe 4 shuplakat që “pancerat” u dhanë. Paguajnë edhe dëmtimet e ndryshme, por kur Ronaldo ankohet se ka një skuadër të brishtë, këtu të paktën ka të drejtë. As Nani, i cili është një lojtar me kualitete të larta teknike, nuk shfaqet dot atëherë kur i duhet më shumë se kurrë skuadrës: asnjë driblim, asnjë ide. Gana, e goditur edhe nga skandalet e fundit në skuadër, ka madje rastin për ta fituar ndeshjen me një goditje me kokë të Varis 15 minuta pas rikthimit nga dhomat e zhveshjes: nëse do të kishte shënuar në zonën e vogël dhe në një pozicion qendror, duke bërë më të vështirën me rezultatin e fiksuar në 1-1, atëherë sot mund të flisnim për mrekullinë e Ganës me një gol të tretë, ose të shpresonin që gjermanët të shënonin golin e dytë në portën e SHBA-së. Pas këtij rasti të shpërdoruar, afrikanët shthuren. Por pa dhuratën e portierit të tyre për Ronaldon (80′), ndoshta ndeshja do i ishte drejtuar një barazimi. Falë pritjes-asist të Daudas, minutat e fundit ishin fantastike, ndërsa Portugalia kishte topat e mrekullisë përpara. Duheshin edhe tre gola të tjerë: dy herë Ronaldo u përplas te portieri, herën e tretë nga një aksion nga asgjëja, pa sferën t’i drejtohej traversës. Asgjë për të bërë. Ky nuk ishte Botërori i tij.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"