Ronaldo: Trajneri më tha të gjuaja penalltinë i fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2012 | 12:37

Ronaldo: Trajneri më tha të gjuaja penalltinë i fundit

Kristiano Ronaldo ka treguar se ishte pikërisht tekniku Paulo Bento që i kërkoi të godiste penalltinë i pesti. Dhe ai nuk hezitoi të pranonte. Kjo bëri që ai të mos gjuante nga pika e bardhë, ndërsa më parë luzitanët kishin humbur dy 11-metërsha të tjerë. “Unë do të gjuaja penalltinë e pestë, por për fat të keq nuk m’u dha mundësia, pasi ne humbëm dy. Kjo ishte një çështje midis meje dhe trajnerit. Ai më pyeti nëse dëshiroja të gjuaja penalltinë e pestë. Dhe unë iu përgjigja menjëherë ‘po’. Ka raste që unë gjuaj të parën, të dytën ose të tretën. Këtë herë pranova të gjuaj të pestën. Kjo është e gjitha”, shpjegoi portugezi, ndërsa shumë aludime pati nga mediat pas përfundimit të penalltive. Edhe tekniku Bento tha se kishte një marrëveshje me kapitenin që ai të gjuante penalltinë e fundit. “Mendonim se gjërat do të shkonin ndryshe dhe ai do të vendoste në fund”, u shpreh Bento. Kapiteni i luzitanëve shtoi se ishte e padrejtë që ekipi të humbiste nga pika e bardhë e 11-metërshit. “Tani shpresoj që Spanja të fitojë turneun, pasi unë kam në atë kombëtare shumë miq, luaj në këtë kampionat dhe për ta do të jetë një finale e fortë. Përballë kisha shokët e Realit të Madridit, por në fushë ata s’i njoh. Tani gjërat ndryshojnë. Shpresoj t’ia dalin”.
Makthi penallti Kristiano Ronaldo ka dështuar dy herë në këtë sezon në kompeticione të rëndësishme, kur ka luajtur në gjysmëfinale. Kështu, zhgënjimi i parë erdhi në Ligën e Kampioneve, kur ai me Realin e Madridit u eliminuan nga Bajerni i Mynihut me penallti. Në atë takim, kapiteni i luzitanëve gaboi nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe ishte një nga arsyet e eliminimit të galaktikëve. Ndërkohë që zhgënjimi i dytë vjen në Evropian. Këtë herë Kristiano Ronaldo nuk pati mundësinë të gjuajë, por fakti që dy herë në një sezon ka dështuar, tregon se kur ndeshja vendoset me penallti, sipas tij probabiliteti për të fituar është i pakët.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"