Rikthehet Teuta, fiton mes kontestimeve ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2015 | 11:23

Rikthehet Teuta, fiton mes kontestimeve ndaj Vllaznisë

Teuta feston fitoren me Skenderbeun

TEUTA VLLAZNIA 2 1
GOLAT Nika 41′ (11-m), Çota 86’/ Soza 67′
TEUTA: Osmani, Premçi, Kotobelli, Stafa, Brahja, Hoxhallari (Peposhi 65′), Hodo, Kuli (Hyseni 75′), Nika, Dita, Çota (Hyka 88′); Trajner: G.Begeja: (në dispozicion: Vata, Gripshi, Kastrati, Ahmataj).
VLLAZNIA: Selimaj, Beqiri, Gocaj, Sykaj, Tafili, Hakaj (Hajdari 88′), Krymi, Dema (Bardulla 65′), Soza, Shtubina (Kalaja 67′), Lika; Trajner: B.Raineri: (në dispozicion Vjerdha, Cinari, Pjeshka, Marku).
KARTONË TË VERDHË: Stafa 42’/ Dema 10′, Sykaj 43′, Gocaj 41′, Lika 90′
VËZHGUES: Arjan Mali (Patos)/DELEGAT: Petrit Brehja (Tiranë)
GJYQTARET B.Ziri, E.Veseli, Sh.Ziri (Fushë-Krujë)

Teuta rikthehet pas dy muajsh te fitorja. Durrsakët kanë fituar 2-1 ndaj Vllaznisë, në një ndeshje ku nuk kanë munguar kontestimet. Penalltia e Nikës dhe Çota në limit kanë nderuar vendësit, duke zhvlerësuar golin e barazimit të realizuar nga Soza. Përballje kjo që i pati brenda të gjitha: raste, shtylla, pritje, gol të anuluar, kartonë, tension, ndërprerje të ndeshjes.
Pjesa e parë Përballja mes Teutës dhe Vllaznisë nisi me ritëm të lartë dhe të dyja skuadrat, pa kaluar as 5 minuta lojë, kërcënuan portat kundërshtare. Fillimisht ishin miqtë nga Shkodra që rrezikuan me anë të Sozës, por uruguaiani nuk gjen kuadratin. Teuta qëndron e vendosur lart dhe Çota me një predhë të lëshuar nga 25 metra e stampon sferën në traversë duke tronditur shkodranët dhe portierin Selimaj. Vendësit përpiqen të marrin nën kontroll situatën dhe, teksa kujdesen për prapavijën, mendojnë edhe për të sulmuar. Në të 20-ën Lika përfiton nga një mosmarrëveshje e mbrojtjes durrsake, godet ngjitur me shtyllën pingule. Provon sërish Lika pas 7 minutash, por këtë herë me anë të një goditje dënimi, por pret pa problem Osmani. Pesë minuta para fundit, në cep të zonës Stafa fiton një goditje dënimi. Hoxhallari pason duke ekzekutuar një skemë për Kulin, i cili, me një goditje në formë kthese, godet mbi tra. Në të 41-ën Nika merr një pasim në mesfushë dhe vërshon në krahun e djathtë drejt zonës shkodrane, por pengohet nga Gocaj dhe penallti. Kryesori Ziri, përtej kontestimeve nga ana e miqve, tregon me gisht pikën e bardhë dhe kartonin e verdhë për mbrojtësin e majtë Gocaj. Nika merr përsipër ekzekutimin e saj dhe e kthen në gol, duke zhbllokuar rezultatin që në pjesën e parë.
Pjesa e dytë Edhe fraksioni i dytë i ndeshjes starton me të njëjtin ritëm. Teuta luan e ngjeshur në mesfushë, ndërsa shkodranët i besojnë Sozës dhe Likës në majë të sulmit, të mbështetur nga Dema, Shtubina e Tafili. Miqtë përpiqen të marrin nën kontroll situatën duke qarkulluar mirë topin dhe zbritur herë pas here drejt zonës durrsake, por Brahja, Stafa, Kotobellidhe Premçi nuk linin shumë hapësira, duke u koordinuar mirë me njëri-tjetrin. Raineri kupton se diçka nuk po funksionon dhe nxjerr Shtubinën për mesfushorin Kalaja. I sapofuturi në fushën e lojës bëhet shkak për golin e barazimit. Në minutën e 67- të Kalaja futet bukur në hyrje të zonës durrsake duke goditur fort dhe Osmani, jo në pozicion të mirë, grushton, aty ku përfiton Soza i pamarkuar, i cili e ka shumë të lehtë për të shënuar dhe 1-1. Dhjetë minutat e mbetura të takimit luhen nga të dyja skuadrat për gjithçka, pasi barazimi nuk kënaqte askënd. Në të 86-ën një top i larguar nga Beqiri, kontrollohet nga Hodo, i cili ul bukur me kokë në zonë për Çotën, që nuk e ka të vështirë për të shënuar përballë portierit Selimaj, dhe 2-1. Shkodranët nuk dorëzohen dhe në të 89-ën nisen drejt portës së Osmanit, ku pas një rrëmuje në hyrje të zonës miqtë shënojnë sërish me anë të Tafilit. Por, pa përfunduar sfera në rrjetë, kryesori Ziri kishte vërshëllyer për faull në hyrje të zonës dhe goli nuk vlen. Lojtarët e Vllaznisë kontestojnë Zirin, madje me tone të ashpra, por kryesori kërcënoi me kartonë, duke ia drejtuar dhe një Likës për protestë. Teuta e mbyll në sulm takimin, madje ka mundësi të shënojë me anë të Hykës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"