Rekordi me fanellat kuqezi, Bajrami më i shtrenjti në… ankand. Të ardhuarat për shtresat në nevojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2024 | 20:41

Rekordi me fanellat kuqezi, Bajrami më i shtrenjti në… ankand. Të ardhuarat për shtresat në nevojë

Në fillim të këtyre kualifikueseve, FSHF-ja nënshkroi një kontratë 4 vjeçare bashkëpunimi me kompaninë e njohur “Match Worn Shirts”. Kjo kompani organizon ankande me fanellat që lojtarë të ndryshëm zbresin në fushë, duke siguruar fonde, që shkojnë për shtresat në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuara nëpër botë.

NEDIM-BAJRAMI-1130x635

Njoftimi i FSHF-së ishte: FSHF ka firmosur një kontratë të rëndësishme bashkëpunimi 4-vjeçare me kompaninë e njohur ndërkombëtare “Match Worn Shirts”. Duke organizuar ankande me fanellat e lojës së lojtarëve dhe duke siguruar fonde që shkojnë për të ndihmuar shtresat në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuara kudo në botë. Bashkëpunimi do të nisë që nga kjo ndeshje e parë e kualifikueseve të Europianit “Gjermani 2024” teksa FSHF-ja do t’i sigurojë fanellat e veshura nga lojtarët gjatë ndeshjes me Poloninë, që do të jenë me autografet e tyre për t’u nxjerrë më pas në ankand.

Bëhet fjalë për një nismë shumë të rëndësishme për FSHF-në në aspektin e përgjegjësisë sociale, duke i dhënë mundësinë të gjenerojë fonde për t’u përdorur për bamirësi, përmes një kompanie prestigjioze ndërkombëtare e me shumë eksperiencë në këtë fushë. “Match Worn Shirts” ka marrëveshje të ngjashme bashkëpunimi me Federatën Holandeze të Futbollit, Federatën Kroate të Futbollit, Federatën Sllovene të Futbollit dhe klube si PSG, Borusia Dortmund, Real Madrid, Manchester United, Napoli, Liverpool, Flamengo, Roma, Olimpik Marsejë dhe Çelsi”, thuhej në njoftim.

FANELLA MË E SHTRENJTË

Pavarësisht se të ardhurat do të shkojnë për njerëzit në nevojë dhe kjo është diçka shumë pozitive nga ana e FSHF-së, kurioziteti qendron duke ditur se për kë fanellë, shqiptarët ose të huajt kanë paguar më shumë para në ankandin e zhvilluar. Nga një vëzhgim i thjeshtë në faqen e kompanisë, do të shohim se rekordin e mban Nedim Bajrami me fanellën e ndeshjes në Pragë kundër Çekisë. Numri 10 i Kombëtares në atë takim shënoi një supergol, i cili i dha ekipit një pikë shumë të rëndësishme për kualifikimin.

Kjo fanellë, e firmosur nga vetë lojtari është shitur për një shifër rekord prej 1727 eurosh. Pas tij renditet Jasir Asani, me fanellën numër 9 në ndeshjen e fundit ndaj Ishujve Faroe e cila është shitur për 937 euro. Më tej vijojmë me Etrit Berishën, ku bluza e portierit me numrin 1 në ndeshjen me Çekinë në transfertë ka kapur vlerën 554 euro dhe është shitur. Ylber Ramadani po ashtu zë vend në këtë listë, pasi në ndeshjen e parë në këto kualifikuese kundër Polonisë, fanella e atij takimi, ku mesfushori u djersit në fushë, është shitur për 536 euro. Ndërkohë pesëshën e parë e mbyll Berat Gjimshiti, me bluzën e kapitenit të Kombëtares kundër Moldavisë ku u sigurua kualifikimi në Europian, me çmimin në ankand prej 520 eurosh.

Ndërkohë, duke parë të gjitha ndeshjet e Kombëtares këtë vit, fanella e Kristjan Asllanit dhe Jasir Asanit është më e kërkuara. Në ndeshjet kundër: Ishujve Faroe në transfertë, Çekisë në “Air Albania” dhe miqësores ndaj Bullgarisë, fanella e mesfushorit të Interit në të trija ndeshjet është shitur më shumë se të tjerat. Sakaq, në ndeshjet ndaj Moldavisë, Polonisë dhe Ishujve Faroe në shtëpi, më shumë ka kushtuar fanella e Jasir Asanit.

FANELLAT

KRISTI SEJATLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"