Refuzoi rinovimin me Vllazninë, sulmuesi drejt transferimit te Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2020 | 11:04

Refuzoi rinovimin me Vllazninë, sulmuesi drejt transferimit te Teuta

Teuta kërkon të kompletojë grupin dhe ashtu siç ka paralajmëruar trajneri Edi Martini, priten edhe të paktën dy goditje deri në fund të merkatos, e cila zyrtarisht mbyllet më 2 tetor. Një nga preferencat e drejtuesve të Teutës është pa diskutim Dejvi Bregu, por pavarësisht se është biseduar ditë më parë me vlonjatin, ende nuk është gjetur një marrëveshje. Nga burime në klub, mësohet se së fundmi ka dalë në skenë emri i sulmuesit që mund të bëjë disa pozicione në fazën ofensive, Silvio Zogaj.

silvio zogaj

Ky i fundit është futbollist i lirë pas përfundimit të kontratës me Vllazninë dhe gjasat janë që t’u bashkohet durrsakëve në ditët e ardhshme. 23-vjeçari ka tri sezone që luan në Superiore, teksa fillimisht u afirmua te Luftëtari, më pas luajti për Laçin dhe në dy vitet e fundit me Vllazninë. Klubi shkodran insistoi për të bindur sërish lojtarin që të qëndronte me kuqeblutë, duke qenë se edhe trajneri Tomas Brdariç kishte pëlqyer cilësitë e tij. Mirëpo, pavarësisht bisedimeve mes palëve, Zogaj refuzoi rinovimin e kontratës për shkak se nuk e bindi oferta që i kishin bërë drejtuesit.

MESAZHI – Zogaj ka konfirmuar përmes një postimi në faqen e tij në “Facebook” largimin zyrtar nga Vllaznia. “Ndarjet janë gjithmonë të vështira, sidomos kur marrëdhënia është e fortë dhe e pastër. Në fund gjithmonë pyesim veten: ‘Çfarë mund të bëja më mirë? Çfarë gabimesh bëra gjatë rrugës? Si do të mbahem mend në skuadër?’ Sot largohem nga Vllaznia. Largohem pa pengje, pa hatërmbetje, pa inate, vetëm me një mirënjohje të jashtëzakonshme për gjithçka. Po largohem dhe po marr me vete shumë dashuri dhe krenari që m’i dhuruat këto dy vite.

Silvio-Zogaj-prezantim

Kam pasur nder dhe përgjegjësi të papërshkrueshme çdo herë që e kam veshur në trup fanellën e Vllaznisë. Jam përpjekur që në çdo ndeshje të jap maksimumin e forcave të mia. I kam mbrojtur ngjyrat e Vllaznisë me shpirt e me zemër dhe për këtë ndihem më shumë krenar.

Dua t’i falënderoj të gjitha stafet teknike me të cilat punova këto dy vite, në veçanti trajnerin Hasan Lika, kryetaren e bashkisë, Voltana Ademi, administratorin Suad Lici, shokët e skuadrës me të cilët kemi qenë si një familje e madhe dhe në fund, por jo më pak të rëndësishmit tifozët e mrekullueshëm shkodranë, të cilët jetojnë me sportin e me Vllazninë. E kam ndier respektin tuaj në shkallët e stadiumit dhe në rrugët e qytetit. Po largohem me një eksperiencë të bukur mbi shpatulla, i përgatitur për sfida të reja akoma më të vështira që sjell bota e futbollit. I uroj ekipit të Vllaznisë suksese”, shkruante 23-vjeçari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"